Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: “Gaforrja”

 

Tregim

Skica  nga Leonidha Bullgari, Athinë 20.01.2023.

Ai e vështroi edhe një herë pallton e madhe ushtarake që i vinte deri në fund të këmbëve dhe  u ul në fundin e “shëtitores” së bugut 335 që të ishte i vetëm, nga ku mund ta kapte edhe rrezatimi i diellit mëngjezor i pragdimrit, që sapo u duk, ashtu i zbehtë, nga faqja e malit të zhveshur. Me cepat e asaj palltoje që vinte një erë të rënduar vjetërsie, myku e boje të bakërtë, mbuloi gjunjët e thara dhe u kollit përsëri, me vështrimin nga të burgosurit e tjerë që ecnin të heshtur në të njëjtën trajektore zhavori të lagur nga rrebeshi i natës, veshur me po ato pallto të murrme ushtarësh, që i dallonin se nuk ishin ushtarë, po të dënuar, kokëqethur e të heshtur, duke bërë kështu të njëjtën ‘paradë’ përditshmërie, me ‘ece-jakun’ më të mërzitshëm.

Unë e pashë që Thanasi nuk donte asnjeri pranë në ato çaste, po e ndjeva që do më pranonte në vetminë e tij, kur gjithkush e lakmonte dhe e donte atë, për të mbledhur veten përreth trurit të lodhur e, të ishte vetë ai, brenda rrobave të trupit. Kështu që u ktheva nga mesi i rrugës, bëra sikur pata harruar paketën e duhanit dhe e lashë përsëri në vetminë e tij, gjynahqarin që nuk fliste e nuk thoshte asnjë fjalë pse e kishin sjellë aty, për “riedukim”, sikundër thuhej për të gjithë ne…

Edhe pse ishim nga i njëjti fshat i Bregut, unë i lindur e i ikur prej andej dhe ai i ardhur kollovar e i martuar me ‘Quksen’ e mullisit që ‘u mbyt’ në harpazin e mullirit të tij, sikundër flitej, prej një rastësie që nuk e besonte askush a nga ndonjë dëshpërim i madh e i pa zbuluar akoma. Se uji i mullirit, kur del me vrull, stërkalat bashkë më “bëzhdilat” i hedh ca lartë e ca mëtëposhtë… Gjithkush nga ne kishte “misterin” e tij, ndaj edhe rrinim aty, gojëmbyllur, të friguar edhe nga njëri-tjetri. Se, edhe jeta, ashtu si ai mulliri i fshatit qe katandisur, njërin e ngjit mëtëlartë e tjetrin e vithis mëtëposhtë…

Gjeta një stol guri, nga krahu tjetër i karakolleve, e ndeza një cigare, duke pandehur të ngrohja pakëz gishtrinjtë e kallkanosur me tymin e duhanit. Me mendjen nga Nashua. Nuk e pata njohur më përpara se të dhëndërrohej tek fshati ynë, nga një fshat i minoritetit grek, buzë kufirit. Se edhe flitej shumë për të, duke thëne se gjeti ‘tenxherja kapakun’ për t’i vënë ‘kapak’ edhe mbytjes së mullisit plak që ishte martuar me Quksen dërdënge, 20 vite më të vogël se ai, së cilës nuk ia hidhte asnjeri në fshat syrin, ngaqë qe e shkurtër, e shëmtuar, po edhe ma ca pika të kuqe surratit… Po që dhe e “dridhte”!…

Mullisi e donte më tepër që t’i ngrinte thasët me misër e me grurë dhe ato me miell, të ndihmonte në shkarkimin e ngarkimin e mushkave dhe të gomerëve, po dhe të kontrollonte kanalin kur venin e ia merrnin ujin për vaditjen e bahçeve të buzëlumit. Pse jo, edhe të englendisej me të nën velencën e leshtë të dimrit, për të marrë prej saj ngrohtësinë e trupit, ashtu në errësirën e natës e pa ia parë surratin e duke i kërkuar asaj xheç më tepër, netëve të gjata e të ftohta, përsa herë i ‘tekej’ në të rrallë, robit të Perëndisë. Ne të rinjtë e fshatit, si dilnim nga deti, vinim gjer këtu për t’u shpëlarë nga kripa e detit, në harpazin me ujin e ëmbël të mullirit. Quksia na përzinte me gurë, sidomos kur kridheshim në ujë me bile përjashta. Po edhe pse ne nuk rrinim, pa ia tundur pakëz e pa i hedhur ndonjë gurishte mbi pllakat prej guri të çatisë. Ndaj edhe nuk na linte të gjuanim gaforret që gjallonin aty, nëpër vërëzat poshtë gurëve e i piqnim nëpër zjarret që bënim me shkarpa, shpejt e shpejt, si të uritur që ishim në ato vite. Po nuk kishte gjë më të shijshme se gaforet e pjekura në prush. Aman o Perëndi!

Por kur ndodhi ajo mbytja e mullisit plak, nuk venim më aty. Nga arra e madhe më përtej mullirit, shihnim që aty hynte e delte operativi i zonës, që mbante gjithmonë varur në sup një çantë e në brez koburen. Kurse në kokë një kapele ushtarake si atë që e mbante Enveri në Drilon. Sa e shinim atë iknim me vrap e futeshim në det. Jo vetëm se qe njeri vrarëlije, po flitej në fshat se ishte ‘i ngjyer’ edhe si ‘gjahtar grash’! Po mulliri dukej që nga fiqtë e tejme, sikundër shihej edhe manastiri i lartë në kodrinë e kisha e “Shën Thanasit” në krye të fshatit. Kurse ky Thanasi, do vinte kollovar dy vite më mbrapa, si kishte ndodhur ‘rrëshqitja’ e të ziut Stavri brenda shkumës së ujit,- sikundër flitej e do të bëhej burri i kësaj Qukses, që s’e mbajti shaminë e zezë në kokë as gjashtë muaj, si po harrohej fare i shkreti njeri, për ‘aksidentin’ e të cilit kujdesej tani edhe shteti, nëpërmjet këtij operativi sigurimi, që prej ardhjeve të shpeshta të tij, i gjithë fshati ndjente më shumë siguri e mbrojtje, bile edhe mulliri i mënjanuar qe më  i ‘siguruar’. Aty afër shtrinte krahët e shëndetshme Arra e Madhe, po edhe fërfërinin rrepet e rinj buzë lumit që buronte nga mali e derdhej në det, me një gurgullimë të ëmbël e me një freski të pazakontë. Vetëm se nuk na linte më asnjëherë, ajo Quksja e mallkur nga ‘Shejtani’ që e kishte brenda shpirtiit, që të gjuanim e piqnim gaforret, aqsa një ditë, i mblodhëm zërat bashkë e thërrisnim, si në një kor të vetëm: ”Gaforrja… Gaforrja”! E ajo na dëgjonte, na shante e na zinte me gurë… Po i tha edhe atij tjetrit, morunit…

Befas, para meje, u shfaq Thanasi, duke m’i ‘prishur mendimet’, me hijen e verdhë të vetvetes. I heshtur e i palëvizur.

U ngrita ngadalë dhe, ashtu si ishim, po ecnim pas kollonës që mërmërinte një gjuhë të pakuptueshme, nën tonalitetin e zakonshëm. Se qëndrimet në një vend, me dy-tre veta bashkë, nuk shiheshin me sy të mirë nga komanda e sidomos nga operativi që bënte sikur ‘shëtiste’ edhe ai. Ndjehej lagështira e ajrit e gjer aty ngjitej tymnaja e qytezës së shtrirë në luginën e qetë.

“Më ke gjetur këtu,-tha ai me zë të ulët dhe, me aq sa njihemi, pak fare, as që më ke pyetur…”. Heshti e gëlltiti pështymën e ngjitur në qiellzën e gojës.

“Është gjëja më e kot e po aq e rrezikshme të flasësh këtu përse, qysh e ç’farë… thashë unë me vështrimin nëpër këpucët tona, të ushtarëve që liroheshin nga shërbimi ushtarak,- këtu kemi që të gjithë të njëjtin etiketim, atë të ‘armikut’, sikundër kanë edhe shishet. Bile, edhe në vdekshim këtu, po në shishe do ta kemi këtë etiketim të tmerrshëm, edhe emrin, edhe datën, orën e minutën e lirimit”!

“Sa vite shkollë bëre, o NJERI, atje në Tiranë”?

”17 vite,-u përgjegja unë,- Po pse, se askush nuk ma ka bërë këtë pyetje”?!

“As mua… I pa shkollë vërtet jam, po ja tek jemi që të dy… Qirjos (Zotëri). Po ç’e do, më mirë të më kishte mbytur edhe mua, si atë mullisin e shkretë, ajo vrroma e fshatit tuaj se, sa më ‘dorëzoi’, me ‘pseftira’ (shpifje!) tek ai rrufjani që i vinte rrotulI e rrotull, gjera më solli këtu, që t’ia ‘këndonte më mirë’ edhe asaj flokëkuqes me pika’. Bishtëtundësja! Që më mori në qafë. Qënia”!

“Për Gaforren e ke llafin? E marrë me mendje. S’ka nevojë të ma thuash! Se, me të vërtetë gaforres i ngjante, edhe nga bëmat edhe nga fytyra”!

Dhe i shtriva paketën e cigareve, po ai e refuzoi tani me kokë, i zhytur në dëshpërimin e tij më të thellë. Ndërsa mua nuk më linte era që nisi të vërshëllejë, për ta ndezur dhe ai derëziu hapi kapotën… Flaka e shkrepses ndriçoi fizionominë e një njeriu të shfytyruar…

Ecëm një copë herë pa folur, derisa ra çanga e apelit të mbrëmjes. U vumë në rresht, si ushtarët e një kampi armik që ishim, para nisjes së një ‘beteje’ me hijet tona në pasqyrën e errët të natës që po binte, si një perde e rënd Teatri. Dhe e dëgjuan 1225 emra njerëzish gjysmë të vdekur!

***

Ndjeja keqardhje për këtë njeri ‘të mbyllur në vetvete’ që dukej gjithmonë sikur ‘bluante’ tani kockat e tij… Po shumë herë rrinte mënjanë, i pështjelluar nga ‘guacka’ e tij… E shihja që donte të fliste me mua, po përsëri më largohej dhe, megjithatë më afrohej, si rastësisht. Me vështrimin e trembur  e të ligështuar…

Dhe një mbasdite iu afrova vetë e fola me të, duke i thënë se, gjithsesi këtu jemi ‘më mendjembledhur’ se e dimë një datë kur edhe do dalim, ndërsa ata, atje jashtë, janë më të pasigurt, se… sepse… nuk e shikon?… burgjet janë  mbushur plot… se kriminelët, armiqtë e fajtorët e vërtetë të këtij vendi, janë më së tepërmi jashtë këtij territori, që e ruajnë me armë, se sa atje jashtë…

Thanasi vështroi nga të dyja anët e supeve, se mos na kishte dëgjuar ndonjeri bisedën, që mund të kushtonte edhe 10 vite burgim tjetër dhe  pastaj, sikur u bë më i çelur e më i sigurt…

E tha se ‘hante vetveten’ nga dyshimi që kishin për të, se mos ishte ndonjë ‘spiun grek’, kur ai kishte një jetë të tërë që jetonte në brezin kufitar e mund të ikte kur të doje… dhe se  ai operativi i sigurimit, që i ishte vardisur gruas së tij me Quka të kuqe e me flokë të kuqe, si të shejtanit, sido që ishte ajo, atij i fanepsej  edhe në gjumë, sepse edhe shpirtin shejtanit ia kishte shitur,- mund të kishte gisht edhe në vrasjen e mullisit plak, të cilin e “hoqi qafe” të parin e pasaj u kthye edhe nga unë, për të ma “bërë gropën” sikundër edhe ma bëri.

Nashua vuri duart në kokë e ashtu siç ishte u plandos mbi një masë betoni… kapotat e murrme u bënë një me tisin e errët të mbrëmjes, gjersa u dëgjua çanga e darkës. Dhe bëmë gati gavetat e lugët e aluminit, që i mbanim në brez, varur me gjalm, për t’u rreshtuar edhe një herë, për të ngrën garuzhden e supës-lëtyrë a për të pirë çajin, fare pa sheqer…

***

Viti 1982. Apeli i mëngjesit. I gjithë oborri brenda telave me gjëmba ngjante si një njollë e murrme boje. Mbi kokat tona të qethura vërtitej tymi i zi i një Rafinerie Nafte, atje poshtë, po edhe zhurma rrëqethëse e një autoparlanti që priste folësin e rëndësishëm të policisë riedukuese për ‘armiqtë e partisë në pushtet’. Flitej se ata që kishin humbur ‘drynin e gojës”, do të përfitonin nga një ‘zemërgjërësi faljeje’, për ta rifilluar jetën atje ku e patën lënë, unë 6 vite më parë, Thanasi 7 vite më parë e kështu me rradhë, për të gjithë ata që ishin “më të parrezikshmit”, me nga tetë vite e poshtë, siç e thoshte neni 55 i Kodit Penal… Se edhe këtë që bëhej, e kishim ‘si peshqesh’ nga BOTA ARMIKE, që thoshte se këtu tek ne, nuk paska liri… Gjepura! Ja tek i liruam mëkatarët!… Kush kishte dënime edhe një minutë më tepër mund të rrinte aty e të priste ndonjë amnisti tjetër, që nuk do të bëhej më, veç kur do të çaheshin burgjet e depot e armëve  afro 10 vite më mbrapa… Atëhere do të liroheshin, a më mirë të themi,- do të dilnin vetë edhe ata që bënin kryq tre herë në ditë, duke parë nga qielli lartë, klerikët e shumtë, të qethur si delet, që mbaheshin atje brenda e disa syresh përkthenin nga gjuhët e huaja kryeveprat e mbarë botës…

Pasi dolëm nga dera e vogël e hekurave, midis dy ushtarëve të armatosur, u varëm mëtëposhtë kodrinës së zhveshur, duke na përpirë edhe ne ai tymi i zi që villte flakadani gjigand i Rafinerisë që ‘çante qiellin’. Ndërsa vilari i murrmë i kapotave të murme varej mëtëposhtë kodrinës si të ishte një gjarpër…

Thanasit iu ‘zgjidh gjuha’ e po fliste pa pushim e pa ndroje, duke sharë ‘Gaforren’ që i kishte raportuar opeativit se ai dëgjonte Radio Athinën e këngët greke, që nuk mjafonte që i përdorte gruan e i rrëmbeu mullirin, po i hodhi dhe hekurat, me pseftirat (sajesat) e saj, se ky ‘Palo greku’ (Greku i keq!), ‘kishte sharë’ edhe partinë e udhëheqësin e një vendi që po shkërmoqej që nga themelia.

E dëgjoja në heshtje, gjersa pushoi vetë së foluri e derisa arritëm te kryqëzimi i rrugëve…

Nga ana e kodrinës dukej vilari i kokëqethurëve, unë do merrja udhën veriore, nga stacioni i trenit e Thanasi nga drejtimi jugor.

Befas qëndroi si një njeri i balcamosur, duke parë kupën qiellore… Dikush i kishte thënë se, një pjesë e të burgosurve, ktheheshin përsëri, pasi shanin me zë të lartë Udhëheqësin ‘e ndritur’ a partinë e tij, nga që nuk kishin nga të venin e nga t’ia mbanin, në atë kryqëzim të përhershëm jete.

O Zot! – psherëtiu ai, -a nuk ishin të burgosurit e ‘guzhinës private’ që nuk delnin kurrë nga 335-a, edhe si e mbaronin vuajtjen e dënimit, ngaqë jetesa jashtë hekurave qe bërë edhe më e padurueshme?! E, duke i hedhur edhe një herë sytë nga qielli i murrëtyer i mesditës, tek grumbulloheshin e bëheshin si ‘lëmshe’ retë e zeza, me një si kthetër dy këmbëshe të një gaforreje të stërmadhe që i drodhi krejt trupin e ligështuar?!

Një rënkim i thellë i doli nga honi i shpirtit: “Po unë, ku do vete tani? Kush më pret mua”?!

Dhe një pikë loti iu rrukullis nëpër faqet e reshkura…

Please follow and like us: