Takimi dhe biseda e Lord Byronit me Ali Pashë Tepelenën
Takimi dhe biseda e Lord Byron-it me Ali Pashë Tepelenën në Tepelene, tetor 1809. (235-vjetori i lindjes së Lord Byronit).
…Të nesërmen më shpunë tek Ali Pasha. Isha veshur me uniformë të plotë shtabi, me shpatë madhështore etj. Veziri më priti në një odë të madhe të shtruar me mermer; një shatërvan vijonte ujët në mes të saj, oda e shtruar rreth e rrotull me otomane të kuqërremtë. Më priti në këmbë, shenjë e një nderimi të madh nga një mysliman dhe më vuri të rri në shesh në krah të djathtë të tij. Kam një terxhuman grek që të merrem vesh, por mjeku i Aliut, Femlario që di latinisht më shërben për këtë rast.
E para pyetje që më bëri është se përse jam larguar prej atdheut në një moshë kaq të re? (Turqit s’kanë ide për udhëtimet e për qejf). Pastaj tha se ministri anglez, kapiteni Leake, i kishte treguar se qeshë nga derë e madhe. Më porositi t’i dërgoj nderimet e tij nënës sime, dhe ja tek po t’i dërgoj në emër të Ali Pashës. Më tha se qe i bindur se isha prej oxhaku se kisha veshë të vegjël, flokë kaçurrela dhe duar të vogla të bardha, dhe u duk shumë- shumë i kënaqur nga pamja dhe paraqitja ime. Më tha ta kisha si baba sa të qëndroja në Turqi dhe se ai më quante si birin e tij. Dhe me të vërtetë më trajtoi si një foshnjë, më dërgonte bajame e sherbet, pemë e ëmbëlsira nga njëzet herë në ditë. M’u lut ta vizitoja dendur edhe natën kur kishte nge. Pastaj si pimë kafe e duhan u tërhoqa nga vizita e parë. E pashë edhe tri herë të tjera. Është për t’u çuditur se si turqit që s’kanë tituj trashëgimi dhe ka vetëm pak familje të mëdha përveç sulltanit, i japin kaq shumë rëndësi fisit. Sepse pashë që më nderonte më shumë për fisin se për titullin tim… Naltësia e tij është gjashtëdhjetë vjeç, shumë i ngjallur dhe jo shtatmadh, por ka një fytyrë të hijshme, sy të larmë, dhe mjekrën të bardhë, shumë i pritshëm dhe sillet me atë farë sedër që më duket se është veti e të gjithë turqve. Por karakterin e vërtetë e ka fare të ndryshëm nga ç’duket në fytyrë. Është tiran pa shpirt, i ngarkuar me mizoritë më të tmerrshme, shumë trim dhe aq gjeneral i mirë sa e quajnë Bonoparti muhamedan. Napoleoni dy herë i ishte zotuar ta bëjë mbret të Epirit, po atij i pëlqen më fort të mbetet me anglezët dhe i urren francezët, si më tha edhe vetë. E çmojnë aq shumë sa i bëjnë lajka dhe francezët dhe anglezët, meqenëse shqiptarët janë luftëtarët më të mirë të Sulltanit, ndonëse Aliu sa për sy e faqe varet nga Porta. Është luftëtar i fortë, por aq barbar sa edhe dorëmbarë, ata që ngrenë krye i pjek në hell, etj. Bonoparti i dërgoi një kuti duhani me pikturën e tij. Tha se kutia ishte e bukur, por sa për surratin, mund të mos ia kishte dërguar, pasi s’e hante malli shumë as për atë as për origjinalin. Idetë e tij për të kuptuar fisin e njeriut prej veshëve, duarve e të tjera, të çudisin mjaft. Mua me të vërtetë m’u bë baba, më ormisi me letra, më dha njerëz të më ruajnë dhe çdo lehtësirë. Bisedimet e tjera midis nesh qenë lufta dhe udhëtimet, politika dhe Anglia. Thirri ushtarin shqiptar që më shoqëronte dhe i tha të më mbronte me çdo kusht. Quhet Vasil dhe si gjithë shqiptarët është trim, kryekëput i ndershëm e besnik…
Pjesë nga letra nisur së ëmës nga Preveza më tetor 1809. Përkthyer në shqip nga Profesor Skënder Luarasi.
Please follow and like us: