Bekim Fehmiu, foto kujtim për mjeshtrin Ibrahim Tukiçi!
2 maj 1972/Gjigandi shqiptar me famë ndërkombëtare i teatrit dhe kinematografisë, Bekim Fehmiu, foto kujtim për mjeshtrin Ibrahim Tukiçi!
Bekim Fehmiu ka lindur në Sarajevë më 1 qershor të vitit 1936, nga i ati Ibrahim Fehmiu patriot dhe punëtor i shquar i arsimit shqip, kurse fëmijërinë dhe rininë e ka kaluar në Prizren ku e ka mbaruar edhe gjimnazin. Fakultetin e arteve dramatike e ka kryer në Beograd ku edhe e ka kaluar jetën me bashkëshorten Branka Petiq, po ashtu aktore, me të cilën ka djemtë Uliksin dhe Hedonin. Bekimi u bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1966, kur në festivalin e Kanës mori Palmën e Artë. Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë. Ai është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, i cili ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ka qenë një nga personalitetet që ka lënë gjurmë në kinematografinë ballkanike, por mbi të gjitha, ai është i njohur për kontributin artistik në kinematografinë botërore. Rolet e tij në filmat “Edukata speciale”, “Odiseja”, apo “Aventurieri”, përmenden si kryevepra të kinematografisë botërore. Bekim Fehmiu ka bashkëpunuar me shumë aktorë të njohur botërore si John Huston, Olivia de Havilland, Ava Gardner, Robert Show, Dirk Bogart, Sharl Aznavur, Irene Papas, apo Claudia Cardinale. Ka interpretuar në shqip, serbisht, maqedonisht, turqisht, në gjuhën rome, në spanjisht, anglisht, frëngjisht dhe italisht. Shkrimtari dhe producenti dhe italian, Françesko Skardamalja ka thënë se “Bekim Fehmiu është i vemti aktor ndërkombëtar nga vendet lindore, komuniste i cili ka filmuar në perëndim gati plot njëzetë vjet, duke shpërthyer perden e hekurt gjithnjë deri në paraqitjen e Gorbaçovit dhe rënies së Murit të Berlinit”. Bekim Fehmiu është një nga artistët më të mëdhenj që kanë dalë prej këtyre anëve. Nga viti 1987, kur në mënyrë demonstrative braktisi shfaqjen “Madame Kolontine” të Anete Playel, ku luante Leninin dhe Stalinin, në teatrin jugosllav të dramës, ai i dha lamtumirën aktivitetit artistik në Jugosllavi. Pas disa kohësh mori dhe vendimin për t’i dhënë fund karrierës edhe në aktivitetet artistike botërore. Në vitin 2002 në Beograd u botua libri autobiografik i Bekim Fehmiut, “Shkëlqimi dhe trishtimi”, në të cilin përshkruhet periudha që nga lindja e tij në Sarajevë e deri në regjistrimin në fakultetin e arteve dramatike në Beograd. Mirëpo libri ende nuk është botuar në shqip. Këto ditë e ka përfunduar edhe pjesën e dytë të dorëshkrimit të librit në fjalë në serbisht, dhe kap periudhën prej vitit 1956 e deri më sot. /BBC/