Albspirit

Media/News/Publishing

Ermal Mulosmani: 70 vjet më parë në Kukës lindi nëna ime

Si sot 70 vjet më parë, në Kukës, lindi nëna ime.
Babai i saj, Rizai, mbaroi shkollën e karabinierisë në Itali rreth viteve 40 dhe u kthye në vendlindje (Kukës) me shpresa të mëdha për jetën. Por diploma që i premtonte karrierë në Shqipërinë e varfër e analfabete të sapodalë nga Lufta, iu kthye në njollë në biografi.
Në fillim të viteve 50, Rizai u martua me Sheribanin, bijën e gjakovarit Zenel Bardhi dhe turkeshës me emër Gjejlani. Gjatë viteve 40, në Kukës erdhën mjaft familje gjakovarësh e prizrenalish, duke ndikuar me arsimin, edukatën dhe shpirtin e tyre qytetar edhe në civilizimin e popullatës vendase. Ata dallonin menjëherë prej vendasve prej cilësive të tyre të mirënjohura si shpirti tregtar, lidhjeve të forta me njëri-tjetrin dhe mënyra sesi e gëzonin jetën. Kukësi i vjetër shtrihej në anë të Drinit të Zi, afër vendit ku ky bashkohej me Drinin e Bardhë që vinte nga Kosova.
Ishte një qytet krejt i vogël, me vila dykatëshe të rrethuara me avli, me oborre të bollshme ku mbilleshin trëndafila të kuq e rozë që i jepnin erëmim gjithë qytetit. Kukësi i vjetër shtrihej nja 500 metër në veri të Urës së sotme të Kukëësit, në një ultërsirë në këmbët e Gjallicës. Në perëndim të qytetit ishte Ura e Drinit, një miniaturë e Urës së sotme ku laheshin djemnia e qytetit. Një rrugë kryesore, ku gjendeshin dyqanet apo shërbimet komunale dhe një hotel i vogël për vizitorët, e ndanin qytetin në dy pjesë, megjithëse jo të barabarta. Rrugicat e ngushta që të çonin në shtëpitë e banorëve ishin përplot pemë si edhe bahçet e tyre.
Në një vilë të tillë, plot me pemë e trëndafila, lindi nëna ime, 70 vjet më parë. Babai i saj, Rizai, ishte njeriu më i mirë që unë kam takuar në jetën time. I mençur, i dashur, i urtë dhe me humor – ai ishte një shembull për t’u ndjekur.
Megjithatë, ndikimin më të madh nëna ime do ta kishte nga familja gjakovaro-turke e së ëmës. Shtëpitë e tyre ishin krejt afër. Mbrëmjeve grumbulloheshin vajzat e Zenelit (gjyshit të nënës) bashkë me dhëndurët, në darka të gjata që përfundonin me këngë – një traditë e hershme e gjakovarëve që u përqafua me plot dëshirë edhe nga kuksianët. Tregimet rreth asaj kohe janë të gjalla edhe sot te nëna…
Ishin kohë kur njerëzia kishin nge të jetonin me ritme të tilla, të nesërmen ata do të shkonin të qetë në një punë ku me siguri e rëndësishme ishe të shkoje në punë, jo të punoje…
Nëna ishte fëmija e parë e familjes së re të Rizait me Sheribanin. Brenda 9 vitesh nga lindja e saj erdhën në jetë edhe 4 vëllezër; jeta filloi të vështirësohej por pa e humbur ritmin dembel të saj.
*****
Ishte vetëm 16 vjeç kur më lindi mua. Unë e bëra nënë një fëmijë që shpejt njohu anën e vrazhdë të jetës. Jeta e saj e deriatëhershme, si një promenadë vere anës Drinit, erdh e u ndesh me realitetin e ashpër prozaik plot andralla e dhunë. Pas meje erdhën edhe 3 fëmijë të tjerë derisa martesa e saj e dështuar të përfundonte… Por kjo pjesë nuk është momenti për ta folur këtu.
Jeta ime pa mamanë time ishte një vuajtje e patreguar. Pas divorcit jetonim diku 100 kilometër larg. 100 kilometra mes malesh, pa rrugë të shtruara dhe me fshatra të shkreta në mes tyre…
U ndamë kur ajo ishte 26 vjeç e unë 10. Nëna u kthye edhe një herë në qytetin e prindërve, mes vështirësive të reja tashmë… Ndër të cilat ishte edhe mungesa e fëmijëve të saj.
Filluam letërkëmbimin, bisedat telefonike të panumërta. Postieri ishte dëshmitari i lidhjes sonë, ai u kthye në njeriun më të dashur të qytetit tim. Kur ai mbërrinte te shkolla 8 vjeçare e dija se kishte letër për mua. Nuk kishte nxënës që merrte letra aso kohe. Rrija me sytë nga dritarja kur prisja letrën e radhës…Kur e shihja atë postier kërkoja leje dhe dilja nga mësimi. Më bënte shenjë nga larg të afrohesha. Dridhesha nga emocioni, merrja letrën dhe shkoja në banjo ta lexoja…. Në mes faqeve të shkruara plot dashuri kishte gjithmonë kartmonedha që ma bënin sadopak më të lehtë jetën…
Për të mbërritur te arratisjet e mia të panumërta drejt Kukësit, shtëpisë së re të nënës. Ishin kohë të vështira për mua, shumë të vështira. Më duhej të largohesha nga shtëpia pa u kuptuar se po shkoj te nëna, më duhej të sajoja arsye të besueshme pse po largohesha. Jo sepse im atë kishte ndonjë preokupim se ku po shkoja unë sesa sepse kishte nevojë të mbaja shtëpinë dhe të kujdesesha për një qerre me punë për të cilat nuk është vendi të shkruaj këtu….Por gjithmonë sajoja një alibi dhe largohesha. Malli dhe dashuria për nënën ma kthyen Kukësin në vendin më të bukur të botës ku joshesha të shkoja sa një mysliman në Mekë.
Ishte një udhëtim i çuditshëm. Duhej të hipja një autobusi që nisej për në Gropa, një lokacion sipër Digës së Hidrocentralit të Fierzës. Ai autobus nisej në orën 11.00 nga qyteti. Qysh në momentin që hipja në atë autobus më kapnin ethet, dridhesha. Isha i vogël, i vetëm, udhëtoja pa lejen e tim eti, në fshehtësi të plotë prej tij.
Ishte një udhëtim gri, i ftohtë, mes njerëzish hallexhinj të vrarë nga jeta. Mes tyre ishte vetëm një fëmijë 10-11 vjeçar, i dobët, melankolik, i frikësuar deri diku nga e papritura e rrugës. Në Gropa kishte një ndalesë të shkurtër ku udhëtarët mund të hanin diçka në një mencë të qelbur e të zhurmshme me po aq njerëz sa mace dhe qenj nëpër tavolina. Ankthi aty fillonte të më davaritej sapo shquaja kapitenin e anijes dhe fatorinon….
Anija mbërrinte në 10.00 nga Kukësi dhe, kur stafi i anijes zakonisht takohente sytë e mi, në atë mencë të qelbur, ndieja një relaks. Udhëtimi po bëhej i prekshëm, pas pak fillonte udhëtimi përmes Liqenit të Fierzës, vendin e ankthit e zinte pritja, një ndjenjë e ëmbël që ma bënte të lehtë udhëtimin dhe vështirësitë e tij.
Për të mos u zgjatur, mbërritja në Kukës dhe takimi surpirzë (asnjëherë nuk i tregoja askujt kur merrja aventurën e udhëtimit) ishte një ndër kënaqësitë më të mëdha të jetës sime. Përqafimet me lotë e sentimentalizma të tepruara, harrimet në biseda të gjata mes të rriturish për planet e të ardhmen plot shpresë ia linin vendin porosive dhe premtimeve. Kisha vetëm 24 orë kohë për tu çmallur, nuk dilte koha as të flinim, aq shumë kishim për të folur.
E nesërmja në mëngjes ishte e ftohtë, e trishtë, e largët. Zgjimi lajmëronte ndarjen e shpejtë. Shkonim te Turizmi i qytetit për një ëmbëlsirë por trishtimi i ndarjes na i kishte marrë fjalët. Në sy kishim lotë. Ishim si përpara një stuhie, të ngrysur, pa fjalë… Unë përpiqesha të tregoja histori për të harruar ndarjen por ajo ma zinte frymën edhe mua. Diku Kadareja ka shkruar “Ndarja është e rëndë/shpirtin ta qit”. Por ai nuk di asgjë për ndarjen e një nëne me fëmijën e saj të dashur….
Pasi kalonim zabelin e Kukësit të ri ndodhte ndarja e vërtetë. Aty, majë një kodre ku një monopat i rrezikshëm e plot baltë më priste me anijen e tmerrshme në sfond. Skenat e ndarjes aty ma këpusnin shpirtin deri në takimin e radhës. Zbritja ishte si jerm, mund të rrëzohesha kudo nga pavëmendja. Liqeni ishte i zi kur kthehesha, kapiteni i anijes i ashpër, bashkëudhëtarët të largët. Uturima e anijes dhe dalja e fundit në kuvertë për përshëndetjen me dorë ishin krejt mekanike. Tashmë të dy kishim lënë në atë majë kodre diçka të shqitshme nga trupi, një copë shpirti. Mund të harroj gjithçka nga fëmijëria por kurrë në jetë nuk do harroj ndarjet e tmerrshme me nënën.
Aso kohe unë isha 11 vjeç, ajo 27. Kur unë mbarova maturën ajo ishte 34!
Jeta e saj e re iu kthye bunacës së dikurshme. Mbeteshim vetëm ne, 4 fëmijët, dëshmi e një periudhe të dramatike.
*******
Sot nëna është qytetare e Britanisë së Madhe. Jeton më shumë në Tiranë sesa në Angli. Bën edhe njëherë jetën sedentare të fëmijërisë: Telenovela turke, debate politike, sudok, solitare. Ka të paktën tri llogari në Facebook, unë kam qasje të kufizuar në llogaritë e saj. Bën komente politike, qoka për ditëlindje, GIF-e, porosi online, ndërton plane për të adhmen, më sugjeron me seriozitet postime mashtruesish online. Sali Berisha është idhulli i pazëvendësueshëm për pasojë Edi Rama është fatkeqësia e kombit.
Në 20 vjet në Angli ka mësuar nja 6-7 fjalë por i përdor pa e vrarë mendjen. Mos o Zot të ndodhë që nëpunës doganorë a policorë anglezë ta cënojnë sadopak! Aty shpërthen një ortek zemërimi ku përzihet pa teklif, me tonalitet të lartë, shqipja me ndonjë përemër a ndajfolje anglisht që i bën rezil anglezët që nuk kuptojnë asgjë…
Një herë e kapën me 20 steka cigare që i kishte blerë për vëllain që jetonte në Angli. Ehh, edhe doganieri qeshte me reagimin e saj;
“You nuk guxoni të prekni my cigaretes. Janë my money, unë drink vetë cigaretes”…
Ama me seriozitet dhe shqetësim…Lëre pastaj dramat për djathin kaçkavall, fasulet, suxhukun e deri te turshitë që mbërrinin në Hithro… Nuk kishte burrë nëne tia prekte.
Jeta e saj sot është krejt e qetë. Sigurisht me shqetësime të zakonshme të moshës. Shkoi këto ditë për një vizitë te doktoresha e zemrës dhe i shpjegoi për tensionin, aritminë dhe ilaçet që përdor. Pasi e dëgjoi, doktoresha i tha: “E ke nervore, ti i përjeton shumë gjërat”. Menjëherë e kapën nervat me doktoreshën: “Unë nuk kam pasë asnjë shqetësim”. Doktoresha: “Ja, edhe tani të kapën nervat”. Kishte të drejtë doktoresha. Por kujt t’ia thoshte. Erdhi në shtëpi gjithë nerva. Tensioni 20. Filloi telenovela turke, u hutua, i ra tensioni…
Emisioni i saj i preferuar është “Të panjohurit”, një lojë e Arditit, te e diela. Është e bindur se është tregues inteligjence të gjejë se çfarë profesioni ka një individ nga portreti i tij. Një ditë më tha “Nuk e shoh Big Brotherin se nuk ka nivel”. Në kohën e tij sheh telenovelën turke. Ma sugjeroi. Kur qesha i vari turinjtë. “Provo shihe një herë 10 minuta e do të kujtohen fjalët e mia”…
Sot bën 70 vjet, më duket sikur aq bëj edhe unë. Sepse jetët tona kanë qenë kaq të ndërlidhura me dashuri mëmësore, tensione, ngritje zëri, zënka, ndarje, takime, këshillime…Por asnjëherë distancë.
E kam bërë edhe një herë një urim të tillë por pak më të shkurtër. Do ta bëj sërish. Stacioni tjetër është 75! Deri atëherë shëndet mam! Dhe relaksohu.
Please follow and like us: