Albspirit

Media/News/Publishing

Gjuhët më të përdorura në SHBA trazojnë konspiracionistët

Në Shtetet e Bashkuara, numri i njerëzve që flasin një gjuhë tjetër në familje, përveç anglishtes, u trefishua mes viteve 1980 dhe 2019, thuhet në një raport të Byrosë amerikane të Regjistrimit të popullsisë.

Pothuajse 68 milionë vetë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara flasin një gjuhë të dytë në shtëpi. Në vitin 1980, vetëm 23 milionë njerëz flisnin një gjuhë të dytë me familjet e tyre në Amerikë.

“Kjo tregon larminë për të cilën njihet ky vend”, thotë Dina Arid, nënë e tre fëmijëve nga Kalifornia, e cila përveç anglishtes, gjatë fëmijërisë fliste edhe arabisht në shtëpi.

“Pra, është mirë që nuk flitet vetëm anglishtja. Këtu ka një grup të madh emigrantësh”, thotë ajo.

Arabishtja është një nga pesë gjuhët e dyta më të folura në Shtetet e Bashkuara. Arid, e cila u flet kryesisht në anglisht fëmijëve të saj, po përpiqet t’ua mësojë atyre edhe arabishten.

“Gjatë fëmijërisë, unë kisha të afërm të cilët nuk arritën ta mësonin arabishten. Ndonëse nuk janë të mërzitur me prindërit e tyre për këtë, ata thonë se do të donin ta flisnin gjuhën tani”, thotë ajo.

Spanjishtja është gjuha e dytë më e njohur në Shtetet e Bashkuara. Më shumë se 41 milionë njerëz, 12 herë më shumë se gjuhët e tjera të dyta më të zakonshme, flasin spanjisht në shtëpi. Hispanikët janë grupi më i madh i pakicës në Shtetet e Bashkuara. Më shumë se gjysma (55%) e atyre që flasin spanjishten kanë lindur në Shtetet e Bashkuara.

Gjuha kineze, tagalo dhe ajo vietnameze janë në grupin e pesë gjuhëve që fliten më së shumti në Amerikë.

“Prindërit e mi flisnin edhe anglisht në shtëpi, por ata u përpoqën ta ruanin gjuhën e tyre. Gjatë ditës në shkollë unë flisja anglishten, ndërsa në mbrëmje, në shtëpi, e flisja vetëm gjuhën vietnameze”, thotë Jenny Nguyen, studente e stomatologjisë në Virxhinia, prindërit e së cilës emigruan nga Vietnami.

“Kur isha më e re, nuk e kuptoja rëndësinë e saj, por tani jam shumë e lumtur që mund të flas dhe të shkruaj në gjuhën vietnameze në një nivel kaq të mirë”, thotë ajo.

Ajo e vuri re rëndësinë e gjuhës kur udhëtoi në Vietnam për të ofruar kujdes dentar falas për komunitetet e varfra. Shumë nga bashkëmoshatarët e saj që ishin pjesë e kësaj nisme ishin gjithashtu vietnamezo- amerikanë.

“Ata nuk mund të komunikonin mirë me pacientët sepse nuk e flisnin gjuhën në një nivel të mjaftueshëm”, thotë Jenny Nguyen.

“Unë isha një nga vullnetarët e rinj të paktë që mund të komunikonin me pacientët”, thotë ajo.

Sipas Byrosë amerikane të Regjistrimit të popullsisë, ata që e flasin gjuhën kineze, vietnameze, tagaloge dhe arabe kishin më shumë gjasa të pajisen me shtetësinë amerikane.

Raymond John “R.J.” Mosuela, rekrutues punonjësish të kujdesit shëndetësor në Virxhinia, prindërit e të cilit janë nga Filipinet, nuk mund të flasë gjuhën e tyre amtare, por thotë se i kupton kur ata i flasin në gjuhën e tyre.

“Tagalo, dialekti kryesor i gjuhës që flitet në Filipine, flitej në shtëpi, por ai përzihej me anglishten”, thotë zoti Mosuela.

“Unë jam më i vogli nga tre vëllezërit. Dy nga vëllezërit e mi më të mëdhenj kanë lindur në Filipine. Unë linda pasi prindërit e mi mbërritën në Amerikë. Nëna më fliste në gjuhën tagalo dhe unë i përgjigjesha në anglisht”, thotë ai.

Përcjellja e kulturës amtare të prindërve tek fëmijët e tij është e rëndësishme për zotin Mosuela.

“Kur të martohem dhe të bëhem me fëmijë, ndoshta jo gjuhën, por të paktën do të përpiqem të ruaj ushqimin dhe traditat tona kulturore”, thotë ai.

Cathy Erway, autore e shkrimeve për ushqimin në Nju Jork, po përdor një aplikacion të telefonave inteligjentë për të mësuar dialektin mandarin të gjuhës amtare kineze.

“Është interesante se babai im, i cili është amerikan i bardhë, e flet gjithashtu gjuhën kineze”, thotë zonja Erway.

“Prindërit e mi komunikonin në gjuhën kineze kur nuk donin që ne fëmijët, unë dhe vëllai im, të dëgjonim se çfarë po thoshin. Pra, ata e trajtuan atë si një gjuhë sekrete”, thotë ajo.

Ndërsa më shumë njerëz flasin një gjuhë të dytë në shtëpi, Byroja amerikane e Regjistrimit të popullsisë raporton se numri i njerëzve që flasin vetëm anglisht në shtëpi gjithashtu u rrit, me rreth 25 për qind, nga 187 milionë në vitin 1980 në 241 milionë në vitin 2019.

(Zëri i Amerikës)

Please follow and like us: