“Liria”, “LiriaA”, unë dhe miku im i paharruar, Kostaq Xoxa
Nga blloku im i kujtimeve
“Liria”, “LiriaA”, unë dhe miku im i paharruar, Kostaq Xoxa
Eden Babani, Bruksel
1.
Njohja ime me të ndjerin Kostaq Xoxa, – Koçin, siç e thërrisnim ne, miqtë e tij, – daton disa muaj pas rënies së përmendores së diktatorit Hoxha, kohë kur, pas afro gjysmë shekulli të censurës komuniste, krahas pluralizmit politik, shpërtheu edhe shtypi i lirë. Më së pari, doli “Rilindja Demokratike” “RD) dhe, fill pas saj, një zinxhir i tërë: “Republika”, “Alternativa SD”, “Liria” etj.
Botimi i gazetës “Liria” është një ndër vendimet e para dhe më të rëndësishme që ndërmori Kryesia e Shoqatës së ish-të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, pas themelimit të saj. Si organ shtypi, “Liria” mori jetë dhe u rrit me përkujdesjen e veçantë dhe të drejtpërdrejtë të Kryetarit të Shoqatës, të ndjerit Osman Kazazi.
Qysh me numrat e parë, “Liria” tërhoqi vëmendjen e publikut të gjerë dhe u bë tribunë e shprehjes së të vërtetave historike të lëna në harresë. Numër pas numri, ajo filloi të hidhte dritë mbi gjithçka të zhytur në errësirën shumëvjeçare të regjimit komunist. Faqe pas faqeje, ajo filloi të shpaloste fakte të panjohura për burgun e Burrelit, të Spaçit, të Qafë-Barit, të Urës Vajgurore, të Kripores së Skrofotinës (Vlorë) etj., ashtu sikundër edhe për kampet e punës në Kuç, në Tepelenë, në Berat etj. Titull pas titulli, ajo sillte të reja për gjyqet e sajuara dhe për dënimet e rënda ndaj përfaqësuesve më në zë të nacionalizmit shqiptar.
Në atë kohë, emri i Koçit përmendej si njëri ndër themeluesit e gazetës “Liria”, përkrah Uran Kostrecit, Uran Butkës, Vejsel Kullës etj. Unë, bashkëpunoja me organin e Partisë Republikane, “Republika”, e cila doli pak kohë pas “RD”-së.
2.
Te” Republika”, u afrova falë njohjes së rastësishme me të ndjerin Sabri Godo, në vitet 1962 – 1964. Asokohe unë kryeja shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Repartin 5310, një ndër të ashtuquajturit “reparte të punës”, me ushtarë pa armë, por me kazma e lopata. Pa këpucë, por me opinga. Ishin reparte ushtarake të destinuara për rekrutë nga familje me biografi të keqe. Reparti 5310 ishte dislokuar në kodrat përballë Vorës dhe merrej me ndërtimin e Fabrikës së Tullave.
Në atë kohë, Sabriu ishte drejtor i magazinave të zarzavateve, në Tiranë.
…Një herë në javë, kapteri ynë i depos së ushqimeve, Preng Rica bënte furnizimet e radhës. Me atë rast, merrte me vete tri-katër ushtarë për ngarkim-shkarkim. Mes syresh, edhe “shkruesin” e depos së ushqimeve, edhe mua, si “shkrues” i komandës së batalionit. Visheshim me uniformë të rregullt dhe me këpucë ushtarake, fringo të reja.
Me sebep e në xhenet, i thonë një fjale. Dy a tri arka me patate e qepë, një torbë me fasule, një bidon të vogël me vaj, një qese me kripë, një tjetër me sheqer, ca kuti me konserva mishi, do llogari, do nënshkrime e vula e aq.
Pas kësaj, me fletën e liridaljes në xhep, secili në punë të vet, deri në orët e vona të pasdites, koha kur ktheheshim së bashku në repart. Ja pse ia di për nder, sot e gjithë ditën kapterit tonë zemërmirë…
* * *
Me “Republikën” bashkëpunova disa muaj, në mënyrë intensive. Jo vetëm për shkak të idealizmit që më pati rrëmbyer fluturimthi ato kohë të paharruara, por edhe sepse kryeredaktori Vangjush Gambeta dhe ndihmësi i tij, Agim Zeka, ia patën hapur krahun kat-e-kat çdo artikulli që çoja. Së fundmi, edhe nevoja për ndonjë lek. Shefi i llogarisë i Partisë Republikane, Petrit Kërçaku, një nga shokët e mi të fëmijërisë së parë në Korçë, teksa çdo dy javë nënshkruante borderotë për personelin e Partisë, nuk harronte as honorarët e ne bashkëpunëtorëve.
Te “Republika”, bash të nesërmen e rrëzimit të përmendores së diktatorit, publikova edhe të parin shkrim të jetës sime, triptikun me titull: “Tri poezi, lidhur me një fill, – ‘Për Xhaxhain tim, dëshmorin, Sedat Babani’, ‘Për gjyshin tim, Mehmet Babani, pushkatuar si armik’ dhe ‘Për veten time, një jetë mes dy zjarresh”.
3.
Për t’u lidhur me gazetën “Liria” u bë sebep një takim me Seit Petrelën, njëri ndër veprimtarët e palodhur të shoqatës, sidomos për mbarëvajtjen e gazetës.
Një ditë, teksa zbrisja shkallëve të selisë së Partisë Republikane (asohere në Bulevardin e Madh, përbri Maternitetit), takova Seitin, i cili më ftoi të bashkëpunoja edhe me gazetën “Liria”. Me kënaqësi, i thashë, po si? Hajde nesër te lagjja e Kazazëve, më tha. E di rrugicën dyqanit Flora, ku Enver Hoxha shiste cigare? Të pres atje, në orën 10.
Kësisoj, redaksi e parë për mua, – tashmë si gazetar, – u bë ajo e “Liria-s”. I pari “mësues” i gazetarisë, u bë Kostaq Xoxa, ish-punëtor në Kriporen e Kavajës, ish-shofer kamioni e më pas profesor matematike, por me njohuri të vyera gazetarie, trashëguar nga i ati, Dr. Zoi Xoxa, themeluesi i gazetës “Diell” e botuesi i saj, deputet i Parlamentit të Mbretërisë gjatë viteve ’30 të shekullit të shkuar, njëri ndër themeluesit e gazetarisë moderne shqiptare.
Asohere, redaksia e gazetë sonë sapo të lindur ishte sistemuar në shtëpinë e Osman Kazazit, bash në dhomën e tij të gjumit. Përfytyroni një dhomë 5 me 5 në katin e dytë të një shtëpie të lashtë tiranase, me një palë shkallë të drunjta së jashtmi, të cilat përfundonin në oborr, mu përbri një verande të sajuar me xhama, ndërmjet dy ndërtesave fqinje. Shkallët e drunjta, kushedi sesa-vjeçare, lëkundeshin sapo të shkelje mbi to. Lëkundej e dridhej majtas e djathtas edhe parmaku bashkë me shkallët, thua se binte tërmet. E, megjithatë, Sabi, njëra nga motrat e Lalë Osmanit, ngjitej pa u mbajtur në parmak me një tabaka filxhanësh plot me kafe. Vente e vinte disa herë në ditë, derisa ne përgatisnim gazetën për botim. Herë për kafe, herë për pastrim, herë për ndonjë porosi… Hip e zbrit, gjithë paraditen.
Në krye të shkallëve mbuluar me një strehë llamarine që lëngonte ditë e natë nga era ose nga shiu, një shesh sa për të lënë dy a tri palë këpucë. Prej andej, drejt e në dhomë.
Djathtas, një krevat dhe një komodinë, ku Lala linte veglat e rrojës e ndonjë furçë dhëmbësh. Më tej, një lavaman e një muslluk. Përballë një banak i sajuar, dëng me gazeta e copa gazetash, me letra të shkruara me dorë, dërguar nga bashkëpunëtorët tanë, me letra kopjative e me lapsa. Mes asaj rrëmuje, dy makina shkrimi të reja fringo, dhuruar nga një bashkatdhetar i arratisur gjatë kohës së diktaturës. Tri a katër karrige përballë banakut, kompletonin mjedisin e redaksisë. Kur shtypnin Koçi e Vejseli, korrigjoja unë. Kur shtypja unë dhe njëri syresh, korrigjonte tjetri. Kryeredaktori, i ndjeri Uran Kostreci, rrinte më tepër në oborr, sepse pinte duhan pareshtur. Për të marrë “vizën” e botimit, artikujt e shtypur, ia çonte Koçi, i cili përfitonte nga rasti ta tymoste në shoqëri të Kostrecit, sepse “sa s’po i çahej hunda për një cigare”.
Shtypja e gazetës te shtypshkronja e Stabilimentit “Mihal Duri”, ka qenë mesele më vete. Ende nuk kishte fituar Partia Demokratike dhe drejtuesit komunistë të shtypshkronjës na nxirrnin lloj-lloj pengesash, si fjala vjen, mungesa e plumbit a e qymyrit për shkrirjen e plumbit. Përkundrazi, radhitësit ishin përkrah nesh. Mblidhnin fshehtazi shkronjat e plumbta të përdoruara e na i jepnin për t’i shkrirë sërish në fonderinë e vogël të shtypshkronjës. Qymyrgurin e sajonin ku mundnin Sabi e Seiti dhe e bartnin në shtypshkronjë me karrocë dore.
Kësisoj, gazeta “Liria” nuk mungoi asnjëherë në pikat e shitjes, ku zinin radhë e prisnin që pa gdhirë ish-të burgosur e të internuar, familjarë të tyre, si edhe tërë gjindja antikomuniste e etur për demokraci.
* * *
Fitorja e Partisë Demokratike në zgjedhjet e marsit 1992, e shpërnguli redaksinë e gazetës “Liria” nga dhoma e Lalë Osmanit, në një dhomë të katit të pestë të ish-selisë së Komitetit të PPSH-së për Tiranën, mu përballë postës qendrore. Pjesa tjetër e ndërtesës, ajo me hyrjen prapa Bankës Kombëtare, i mbeti pasardhëses së saj, Partisë Socialiste.
Edhe atje, nuk na u ndanë të ngjara e të pangjara.
Të ngjara, sepse Kostreci e Koçi nuk e pinin më duhanin në oborr, por venin e vinin nëpër korridorin e gjatë të katit të pestë me dritare të hapura kat e kat, ngase ishte pranverë. Të pangjara, sepse ndonëse kishim secili nga një tryezë pune, nga një karrige dhe nga një makinë shkrimi, njëra ndër katër karriget ishte me tri këmbë. I mbetej atij që vinte i fundit.
4.
Pas ish-selisë së PPSH-së, për ne erdhën ditë edhe më të mira. Shoqata mori në administrim një ndërtesë në Rrugën e Elbasanit, mu te ndahet rruga majtas, drejt Urës së Tabakëve, e djathtas, drejt Urës së Lanës. Gazetën e shtypnim në ish-shtypshkronjën 8 Nëntori, ku qenë shtypur dikur veprat e Enverit e dokumente të rëndësishme të Partisë. S’do mend, cilësia ishte më e mirë.
Në mjediset e reja të Shoqatës, redaksia jonë mori dy dhoma. Në njërën, më të madhen, u vendosëm ne, gazetarët. Secili në tryezë më vete, me makinën e vet të shkrimit e me gjithçka i duhej. Në tjetrën, kryeredaktori, tashmë Uran Butka, derisa u zgjodh deputet e u largua nga gazeta. Fill pas zotit Butka, unë.
U shtua edhe numri i gazetarëve. Thoma Çomora, ekonomist e gazetar me përvojë dhe Mehmet Isai, ish-i burgosur politik, i bënë më të larmishme tematikat. Vetëm Koçit, iu shtua puna.
Përveç shkrimeve me emrin e vet si autor, përveç shtypjes së shkrimeve të bashkëpunëtorëve dhe ndreqjeve gjuhësore, për të cilat nuk lëshonte pe, iu desh t’i rikthehej profesionit të dikurshëm të shoferit. Redaksia jonë u pajis me një tip veture-furgon pesëvendëshe e me hapësirë të bollshme prapa për transport materialesh. Në rastin tonë, dengje gazetash. Vetura, fringo e re, ishte dhuratë e Ambasadës së Koresë së Jugut.
Nuk më harrohet një shaka e asohershme e Meritës, bashkëshortes së Kostaqit.
Vesej Kullës iu desh të fliste në telefon me Koçin. (Kryesia e Shoqatës pati ndërhyrë pranë Drejtorisë së Postë-Telekomunikacioneve që, sikundër në redaksi, edhe ne gazetarëve, të na instalohej nga një telefon në shtëpi).
Ishte natë, në mos mesnatë. Telefonin e mori Merita. Koçin desha, i tha Vejseli. Ja t’i flas, u përgjigj ajo. Mos ishit në gjumë? Jo, jo. Mos u bëj merak. Ai ka kohë që është ndarë nga unë. Nuk e ke marrë vesh ti? Kostaqi është martuar me Lirinë…
Vejseli s’donte t’u besonte veshëve.
Koçi ndodhej në WC, ku po përgatiste një shkrim për të nesërmen. Ashtu ishin kohët. Një apartament me dy dhoma e një kuzhinë, madje edhe ai me mik. Në dhomën e gjumit, çifti. Në tjetrën Neli, vajza, tashmë e rritur e për t’u martuar. Në kuzhinë, Toni, i biri. Kujt t’i binte në qafë e ta linte pa gjumë?…
Nuk harroj as do episode që përsëriteshin dendur, sa herë udhëtoja jashtë Tirane me veturën-furgon. Para ndonjë kthese djathtas, Koçi më lutej të hapja dritaren e të nxirrja krahun nga dritarja, si sinjal për ata që vinin pas. Kur donte të kthehej majtas, nuk më binte në qafë. Hapte dritaren dhe nxirrte krahun e vet.
Ishte mësuar me kamionë “Diesel” të kohës së Luftës. Harronte se drejtonte veturë moderne, me sinjale dritash… Gjithsesi, Koçit, si shofer, nuk ia hante qeni shkopin.
5.
Greva e urisë e Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë e 1994-ës, i dha fund bashkëpunimit tonë, ama veçse përkohësisht. Por aspak miqësisë sonë. Sepse miqësia s’njeh kufij . As për së gjalli, as për së vdekuri…
Shoqata u përça. Unë iu bashkova shoqatës së re (Shoqata e ish-të Përndjekurve Politikë Antikomunistë Demokratë), Koçi mbeti besnik i së parës. Ndërkohë, në fillim të vitit 1995, unë themelova gazetën “Për Mëmëdhenë” e, pak më vonë, gazetën “LiriaA”, të cilën Koçi e quante “Liria me Bisht”.
* * *
Një ditë kishte shkruar diçka me pseudonimin IM. Qe një kritikë e ashpër bash për linjën tonë redaksionale. Unë e njihja stilin e Koçit. Pseudonimi ishte si të fshihej prapa gishtit. Edhe ai e njihte stilin tim dhe priste përgjigje.
Në atë kohë, redaksia jonë ndodhej në Rrugën e Durrësit, mu përballë gjimnazit “Qemal Stafa”, në të njëjtën ndërtesë me Drejtorinë Përgjithshme për Rehabilitimin e ish-të Përndjekurve Politikë. Koçi vinte shpesh te ne, jo vetëm për të më takuar e për të pirë një kafe së bashku, por edhe për probleme të gazetës “Liria”, pronësi e Shoqatës së vjetër, por që financohej nga e njëjta Drejtori. I ndjeri Luan Myftiu, asohere kryeredaktor i gazetës “Liria”, s’para lëvizte poshtë e lart. Këso punësh ia linte Koçit, tek i cili kishte besim të patundur.
Iu përgjigja IM-së me pseudonimin MI.
Koçit nuk iu durua. Biçikletës, e drejt e te ne. Më kërkoi në zyrë, nuk më gjeti. I thanë se isha në klub, në katin përdhes. Sa hyri te dera, filloi me zë të lartë e duke qeshur. Kërkoj MI-un… MI-un, domethënë, një mi, de, një miush!…
Të pranishmit sa s’po shqyenin sytë. Ai: E keni parë miun? Pastaj: E gjeta, e gjeta, tha rrëmbimthi siç e kishte zakon, dhe drejtoi gishtin drejt meje. U ul bashkë me ne, gjithë duke gajasur e duke dëftuar me gisht: Miu, miu!…
6.
Viti i mbrapshtë 1997, mua më dha rrugët e emigracionit, kurse Koçi përfundoi te gazeta 55, e sapokrijuar. Sërish, fati më lidhi me “mësuesin” tim të parë e të fundit të gazetarisë. Më ftoi së largu, të bashkëpunoja me 55-n. Dhe unë nuk ngurova asnjë çast…
Takoheshim e rrinim së bashku, sa herë vija në Tiranë. Takoheshim në redaksi e pinim nga një kafe te klubet rreth e qark, në shoqëri të kryeredaktorit, Ilir Nikolla, dhe, sipas rastit, të ndokujt nga stafi i gazetës. Takoheshim edhe në klubet e përballë Arkivit të Shtetit, pranë shtëpisë së tij. Më shpesh, ia shtronim “Te Fadili”, ku shijonim raki Përmeti 21 gradë.
* * *
Gusht i vitit 2020. S’kishin kaluar veç katër-pesë javë që pata folur me Koçin, pas një heshtjeje bajagi të gjatë, mbase prej dy muajsh a pak më shumë. Kohë pandemie, helbete… Ne me hallet tona këtu, në Belgjikë. Ata, me të tyret atje, në Shqipëri.
Merita, e shoqja, më paralajmëroi se kishte filluar të prekej nga skleroza dhe mund të mos më njihte. Por, jo. Me të mësuar kush e kërkonte dhe me të marrë në dorë telefonin, u ftillua. Ku bëhesh, bre, në Tiranë apo në Bruksel? Ishte e papritura më e këndshme për mua në ato çaste.
Në Bruksel, i dashur Koçi, u përgjigja. Flas me “vocërrak” (kështu i thoshte me të qeshur celularit), por mos u bëj merak se harxhoj. Dhe folëm goxha. I thashë se atë ditë pata publikuar shkrimin “Identitet kombëtar shqiptar apo identitete shqiptare me fraksione?”, ku pata shfrytëzuar fragmente nga letërkëmbimi mes meje dhe tij, në fillim të këtij shekulli.
Ishte biseda jonë e fundit për së gjalli.
7.
Koçi ndërroi jetë në gusht të vitit 2021. Lajmin e zi ma dhanë e shoqja dhe i biri. Për mua, ishte goditja më e madhe që mora në atë kohë të mallkuar pandemie.
Ama shuarja e Koçit, nuk mund të mos më hidhte në botën e kujtimeve që na kanë lidhur ne të dy. Janë ndër më të bukurat e më të larmishmet kujtime të jetës sime, barabar me ato të rinisë.
…Këto ditë, më shkroi Merita:
Ishte viti 1993. 24 janar. Kisha vendosur të festoja 63-vjetorin e ditëlindjes së Koçit. Ju kisha ftuar edhe ju, gazetarët. Të kujtohet? Darkën e kisha përgatitur për merak. Prite e prit që të vinit, ju s’po dukeshit. Ishit në shtypshkronjë, ehe se po afronte mesnata. Mendova se nuk do të vinit… Kur xë-rrr, zilja e portës. Sa hytë ju, u shuan dritat. Ndezëm qirinjtë, kurse ti, me atë natyrën tënde, më ndihmove të shtroja tavolinën dhe më hoqe sikletin. E mban mend? Ishte një natë e paharruar…
Dhe unë, këto kujtime, dua t’ia kushtoj ditës së tij të lindjes, 24 janarit, ani se diç prej tyre, por jo të gjitha, i kam publikuar përpara,