Partizani Myftar Grabocka, përfaqësuesi tipik i një brezi të papërsëritshëm
Petrit Zeneli
-Si jeni me shëndet? – e pyesnin kur i shkonin për vizitë. Dhe ai gjithë humor e të qeshura: – Si mirë jam…! Nuk dorëzohem unë…! Ik i them asaj…, se nuk kam nge, kam dhe goxha punë për të bërë! Më erdhi njëherë tek dera…, por e sikterisa…, tutje i thashë! Dhe iku! Të mahniste me humorin, me kurajon dhe optimizmin që tregonte, jo se nuk e mendonte vdekjen apo kish frikë prej saj, por nuk ja bënte qejfin kurrë pleqërisë. Ai fillonte ligjërimin, pa bërë asnjë lapsus. Dhe duhej ta shihje në sy kur fliste, ndryshe të “telendiste”. Kishte një memorje të jashtëzakonshme, deri disa ditë para se të mbyllte sytë përjetë.
***
Myftar Grabocka lindi më 15 prill të vitit 1918, në fshatin Grabockë të Vakëfeve të Korçës, nga dy prindër të nderuar, Bektash e Zylfie Zeneli, dhe nën shembullin e të atit dhe xhaxhait të tij, patriotit Qazim Panariti, edukohet që fëmijë me një ndjenjë të fuqishmë atdhetarie. Pasi kreu një pjesë të Liceut francez në Qytetin e Korçës, gradualisht filloi të aktivizohej në lëvizjet punëtore të kohës. Më 7 prill 1939 i bashkangjitet turmës së irrituar të punëtorisë dhe rinisë korçare dhe shkojnë para Prefekturës për të kërkuar armë. Në korrik të vitit 1941, fillon aktivitetin antifashist në krahinë për të vazhduar në Durrës (shtator-tetor 1942) dhe pas disa muajsh kthehet në Vakëfe, Kolonjë, Shën Mërtir e Leskovik, ku kryen një sërë detyrash të rëndësishme
Më 9 shtator 1944 inkuadrohet në Brigadën XX Sulmuese, ku luftoi deri në çlirimin e plotë të vendit.
Mbas çlirimit, ka një karrierë të shkurtër ushtarake, ( 1944-1949), pranë Shtabit të Korparmatës së Dytë për Shqipërinë e Jugut me qendër në Berat, pastaj komisar i Komandës së Qarkut Korçë, me gradën Major, më vonë Kryetar i një Gjykate Ushtarake pranë Divizionit të Parë, Tiranë-Elbasan-Vlorë-Berat, me qendër në Elbasan dhe së fundi Shef i Zonës Ushtarake për Shqipërinë e Veriut, me qendër në Shkodër, njëherësh kryetar i Gjykatës Ushtarake me gradën Nënkolonel.
Pas karrierës ushtarake dërgohet në Korçë dhe më tej dërgohet për studime në Bashkimin Sovjetik (Moskë) dega “Filozofi-sociologji”. Me mbajtjen e zgjedhjeve lokale, më 1950, zgjidhet kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Korçë, më pas të Qarkut dhe përsëri të rrethit, për 18 vjet rresht, deri më 1966, duke hyrë në historinë e Korçës si drejtuesi më jetëgjatë dhe më i suksesshëm. Për punën që Myftar Grabocka bëri për Korçën, le ta mësojmë nga fjalët që tha për të Kostaq Qirinxhiu (100 vjeç), i jati i Raqi Qirinxhiut, në një drekë të shtruar në Dvoran, në vitin 1960:
-Unë jam më i moshuari nga ju dhe dua t’ju kujtoj diçka. A e dini si thonë për “të mëdhenjtë” që punojnë në Korçë?! Kush vihet në krye të punëve në Korçë, t’i verë mirë gishtin kokës, se po të ketë bisht, këtu ta presin dhe po të mos ketë bisht, këtu ta ngjisin! Por, djali ynë Myftari, bisht s’kishte dhe s’kishin çfarë t’i prisnin, por edhe për të ngjitur s’ia ngjitën dot, sepse s’e bëri veten të tillë! Ky nuk është vetëm mendimi im, por i të gjithë korçarëve pa përjashtim, të krishterë e myslimanë, të rinj e të vjetër! Është edhe mendimi i atyre që në fillim i mbyste egoizmi, cinizmi dhe zilia, por që Myftari i mposhti me urtësinë, punën dhe drejtësinë. Dhe tani të gjithë betohen për kokën e tij”!
Më 1966, transferohet në Elbasan, përsëri me detyrë Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të atij rrethi. Në vitin 1968, emërohet përfaqësues diplomatik i Shqipërisë, i ngarkuar adinterim në Republikën Demokratike Gjermane (Berlin), ku shërbeu deri në vitin 1970.
Me kthimin nga Gjermania, caktohet me detyrë në Aparatin e Këshillit të Ministrave, kryeinspektor për pushtetin lokal, duke drejtuar njëkohësisht dhe Degën e Ankesave të Popullit në Kryeministri, deri sa doli në pension në vitin 1983.
Krahas këtyre funksioneve të rëndësishme, ka qenë i zgjedhur për tre legjislatura rresht deputet në Kuvendin Popullor të Shqipërisë (1960-1970). Pas daljes në pension, shkrojti dhe sistemoi kujtimet e tij, të cilat janë përmbledhur në librin me titull “Myftar Grabocka dhe rrënjët e një fisi”, prill 2007. Për meritat gjatë LANÇ dhe pas çlirimit, mban urdhëra e medalje të shumta. Në vitin 2003, Këshilli i Qarkut Korçë i jep Myftar Grabockës titullin e lartë “Qytetar Nderi” i Qarkut, kurse në vitin 2004 shpallet “Nderi i Trevës së Vakëfeve”. Me rastin e 95-vjetorit të lindjes, më 6 qershor 2012, i jepet titulli “Nderi i Organizatës së Veteranëve të LANÇ”, ndërsa dy rrugë, një në Korçë e një në Elbasan, mbajnë emrin: “Rruga Myftar Grabocka”.
Në vitin 1947, Myftari martohet me Leonora Aznedari nga Berati, një vajzë dalë nga një derë oxhak, me të cilën lindi katër fëmijë, Katjushën, Verën, Gëzimin dhe Irën, të katër emra të nderuar dhe të respektuar në shoqërineë shqiptare. Pa dyshim, spikat mes tyre ai i regjisores së Vera Grabocka.
Myftari jetoi në katër kohë (në Mbretërinë e Zogut, në vitet e Luftës Antifashiste, në periudhën e sistemit komunist dhe së fundi në sistemin demokratik pluralist). Në të katra ka mbajtur një qëndrim të palëkundur prej atdhetari të përbetuar, duke i shërbyer me fanatizëm vendit dhe popullit të tij. Mirëpriti vendosjen e demokracisë në Shqipëri, dëshiroi vënien në vend të nderit dhe dinjitetit të ish të dënuarve dhe të persekutuarve politikë, por kurrë s’u pajtua me hipokrizinë e atyre që deri dje i kishin shërbyer me zell regjimit, ndërsa sot u hoqën të persekutuar, pa u lënë radhë të qahen vuajtësit e vërtetë.
Sa herë binte fjala për Myftarin, kohë më parë, njerëzit pyesnin tërë kërshëri: “Pse rron akoma Myftari?!”, “Hallall, është kockë e fortë ai!”, “Druri i vjetër rron shumë..! Ka qenë burrë i lartë”! Dhe vërtetë i tillë ishte, një figurë komplekse, sa strikt dhe i rreptë në punë e jashtë saj, aq human, i dashur dhe popullore me këdo! Në përfytyrimin tonë ai vjen njëherësh behar dhe rrebesh, i qeshur e serioz, i thjeshtë e i pamshëm, tolerant e i pakorruptueshëm, i ditur dhe organizator i përkryer, punëtor e këmbëngulës për t’u shkuar gjërave deri në fund, shkurt: përfaqësuesi tipik i një brezi të papërsëritshëm!
Myftari u nda nga jeta në fillim të prillit 2014.
Please follow and like us: