Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Radha e Edi Ramës për t’u shpallur non grata

Amerikë…, me Sali Berishën na shqyet veshët me non grata. U mjaftuat vetëm me atë që është i korruptuar dhe kaq. Duhet të largohet. Kemi prova por nuk i japim. Hiqeni dhe kaq. Megjithëse shqiptarët janë sot ndofta kombi më i përvëluar për drejtësi sociale. Nga ana tjetër standarti bizarr bash me bijtë e nomenklaturës të cilët edhe pse internuan, burgosën dhe pushkatuan afro 35 mijë qytetarë, nuk u është prekur asnjë fije floku. Nuk kanë kërkuar asnjë lloj ndjese publike etj. Madje për ironi të aspiratave shqiptare, të cilët për 45 vjet u persektuan bash për Amerikën, bash pse e çonin nëpër mend atë, bash nga etërit, ju me bijtë e tyre keni sot aleancë solide. Ky dualitet bizarr mund t’i shërbej interesave të Departamentit, por jo aspiratave të shqiptarëve. Me Edi Ramën i keni provat me shumicë. William Argeros u dënua në 2012 me 4 muaj burg pasi kish ndihmuar shefin e opozitës shqiptare Edi Rama, në kontribut fondesh për një foto me Barack Obamën. Ligji amerikan e ndalon sponsorizimin e një fushate politike me kontribute të huaja. Këto ditë doli tjetër shkelje ligjore, rryshfet shqiptar 225 mijë dollarë për të blerë ca dokumenta në lidhje me lobimet opozitare etj. Apo çështja nën hetim McGonigal, të cilën pinjolli i nomenklaturës e konsideron të mbyllur për t’u hedhur hi syve shqiptarëve. Për më tepër ka mbytur botën shqiptare me ca video përgjimesh për 21 janarin e vitit 2011. Nga ana tjetër nuk i konsideron prova përgjimet, ku ai vetë dhe ministrat e tij dalin shqeto për manipulimin e zgjedhjeve të Dibrës në 2016. Sot ka një përgjigje, Amerika ka hetuar, unë nuk kam lidhje me personat. Dhe pas plot 12 vjetëve në pushtet mashtron shqiptarët me gjoja video prova të reja për një protestë kundër institucioneve të shtetit, të cilën ai vetë e dogji dhe e abandonoi. Protestuesit sulmonin, digjnin, godisnin, ai vetë rrinte në fund. Eshtë thuajse e njëjta situatë me protestat e janarit të 2021 në Capitol Hill. Sot Amerika nuk ka ndryshuar Kushtetutën për të shpallur dëshmorë të atdheut protestuesit që humbën jetën aty. Edi Rama e bëri, u ndryshua brenda natës Kushtetuta e vendit, neni i dëshmorit, megjithëse kishte një trend historik gati gjysmë shekullor konsensual. Një fatkeqësi kombëtare e cila ka thelluar dasimet mes shqiptarëve në lidhje me jetët e humbura prej liderëve të natyrës bolshevike. Sot gjykata amerikane po heton organizatorët, pa pritur të ikin vitet, kurse krerët e pushtetit u kujtuan pas 12 viteve. Sa për dijeni ky që ka shkelur me dy këmbë ligjet amarikane, është edhe një nga bojkotuesit më rekordmenë të institucioneve shtetërore, balancimit të pushtetit, shkeljeve kushtetuese, megjithatë bën moralistin. Vetëm një nëpunëse të kastës së tij iu gjendën afro 1 milion dollarë cash në shtëpi. Mendojeni se çfarë mund të gjendet në shtëpitë e shefave dhe të vetë atij. Megjithatë sot drejtësia shqiptare dënon me moralin më të ultë pastruesen dhe jo hajdutët. Kjo është arsyeja që edhe pas plot 33 vjetëve demokraci, shqiptarët vazhdojnë të ikin. Kanë 45% të popullatës jashtë vendit. A doni ta ndihmoni Shqipërinë, mjaft aleanca politike me Edi Ramën, abandojeni. Shpalleni menjëherë non grata.
Please follow and like us: