Cikël poetik nga Avdush Canaj
KUR TA KESH DITËLINDJEN
Kur ta kesh ditëlindjen
Të gjithë yjet e qiellit
Do të zbresin
Në këmishën tënde.
Hëna te xhepi i zemrës
Ylberi do të bëhet kollare.
Ditëlindjen kur ta kesh
Sonatën e urimeve
Do ta këndojnë
Gjithë zogjtë e fushës
Ku janë e ku s’janë.
Do të jesh më i madh
Për një pranverë hareje
Pë një fluturim në shilarës.
Yjet do të zbresin
Në ditën e lindjes tënde
Gotat e gëzimit
T`i cakërrojnë bashkë me ne.
Ai ylli yt
Krahun do ta shtrijë
Mbi supin tënd
Ke për ta parë
Kurrë s`ka për t`u ndarë
Nga ti
As kur të rritesh.
NGA SOT JAM I MADH
S`di t`mbathësh këpucët
As s`di të vishesh vetë,
S`di këtë e s`di atë
Mjaftë më!
Çdo kund
Është një fund.
Edhe atje
Ku e ka skajin deti.
Nga sot jam i madh
Me nënën shkoj në kopsht
Ta di i gjithë planeti.
Mjaftë më me fjalën: I vogël
Edhe ti gjyshe e dajushi im
Kush e përsërit dy herë
Mbetet pa përqafim.
MOTRA E LUMTURISË
Flokët si pylli
Vetullat e qiellta
Sytë me liqen
Të verta faqet
Dredhëz e ëmbël buzët
Fustanin prej puhize.
Motra e lumturisë
Në një klasë me mua.
Aria
Emri yt me muzikë.
Dera e zemrës sime
Rri hapur për ty.
NE MBJELLIM BUZËQESHJE
Pulëbardhat me këngë
nga gjumi e zgjojnë detin.
Ne mbjellim buzëqeshje
ta gëzojmë planetin.
KUR U KTHYEM
Kur u kthyem,
oh, kur u kthyem
me trishtimin,
gjetëm
vetëm hirin
e shtëpisë.
Eshtrat
e nanës
dhe të babës
ende tymonin.