Niko Mihali: In memoriam, Laver Bariu!
Meditim me mjeshtrin Laver Bariun
…Në mos ardhsha të nëntin vit
Të nëntin të taksurin
Dije… se dheu më ka ngrënë…
(Nga një baladë e vjetër shqiptare).
Mjeshtë i dashur, më dëgjon!?
U bënë plot nëntë vjet që je larguar nga ne dhe ajo që është e vërteta na ka marrë malli. Po po, na ka marrë edhe shumë. Ike atë ditë fund janari i përcjellë si rrallë kush, jo vetëm me kortezh plot e përplot njerëz që kishin ardhur jo vetëm nga qyteti, por edhe nga larg. Shumica ishin njerëz të zakonshëm, ata që i takoje dhe i përshëndesje shpesh në rrugët e qytetit, shkëmbeje ndonjë kafe apo duhan cigare e qaje ndonjë hall, por kishte edhe nga ata që erdhën nga larg, ku nuk do të mungonin sigurisht edhe dy nga miqtë , shokët e bashkëpuntorët e tu më të mirë në vite, Aleksandri, Vasua i Sofos, e dhjetra të tjerë.. Nga mali zbriste një fërfëllimë dëbore, ndërsa gërnetat të përcillnin me kabatë e tua për në banesën e fundit, nga do të niseshe për në Qiellin e Shtatë, ku e kanë vendin ata më të mirët e kësaj bote. Me siguri atje së pari do kesh takuar shokët e tu, ata që kalove një jetë të tërë nëpër skena, në ekrane e në dasma, me këngët e bukura të vendlindjes që i doje shumë.
Nuk dua të të pyes se si kalon atje, se kemi pritur të vish e të takohemi e të dëgjohemi, të çmallemi dhe të kujtojmë ato vite e ato punë të mira që kemi bërë, për ata gurë themeli që vendose ti në muzikën popullore të qytetit tënd e pse jo edhe të Shqipërisë. E mban mend se ç’të tha në vitet e para të këtij fillim shekulli Dritëro Agolli, në bibliotekën e qytetit, kur bënim ca prezantime librash të autorëve të qytetit tonë!? Qëndronit së bashku në presidium si dy kollosë të vërtetë, ti veshur me atë pallton gub të zezë, me atë kapelen republike dhe me atë llullën e cigares që nuk e harroje kurrë, ndërsa ai me ato flokët e bardhë të lëshuar si i dalë nga legjendat…
”Naimi i madh u këndoi këtyre brigjeve, maleve e kodrave, luleve e lisave, ujrave e burimeve me vargje, me poezi dhe na e bëri Shqipërinë të bukur, ndërsa ti Usta Laveri, këtë bukuri të madhe të vendlindjes , këtyre burimeve të Vjosës, këtyre kodrave e pishave plot jetë, fushave e maleve të ngarkkuara me lisa e bredha, këtyre bashkëvendasve të tu, u këndove me tingujt e magjishëm të gërnetës, me zërin tënd të bukur, me kabatë e tua ua bërë Përmetin të gjithëve më të mirë e më të bukur. Ti nuk ishe poet, por ishe dhe mbetesh artist i madh, i paarritshëm dhe i pavdekshëm dhe mund të të them: Punove mirë, usta Laveri…”.
Dhe ja kaluan 9 vjet që ti ke ikur e nuk po vjen. Qëndron atje lart në kupë të qiellit, mbase takon edhe ato shtojzovallet e Pindit që dalin çdo mëngjes në ato maja mbuluar nga bora dhe përshëndetin luginën e bukur të Vjosës që tanimë është shpallur park kombëtar. Ai lumë i bukur dhe i egër në bukurinë e tij, ku ti kaloje një pjesë të kohës me grepin e peshkut e llafoseshe me valët kur përziheshin nëpër stena, sot ka shumë gjallëri, bëhet kanotazh, udhëtojnë me kajakë e gomone, vijnë shumë e shumë njerëz që edhe pse kënaqen me bukuritë e saj e të ujërave termale, prapë nuk ngopen, se duan që në ato rrugë të qytetit të takohen edhe me TY, por Ti, nuk je . Si çdo vit mes të tjerëve vinë edhe ca grupe çiklikstike dhe ai shefi i tyre kujton me shumë mall ato takimet me ty, ato mbremjet e bukura me këngët e Përmetit dhe të nesërmen , atje para hotelit të qytetit, ti do ulje flamurin e garave e do fillonte rrethi çiklistik…
Jam shumë i sigurtë se na shikon, na dëgjon e sikur do të na pyesësh, edhe pse zëri juaj nuk vjen gjer tek ne. Nuk të kemi harruar asnjë çast Usta i dashur. Gati përditë je i pranishëm në bisedat tona e në aktivitetet tona. Disa muaj pasi ti u largove nga kjo jete, në përvjetorin tënd të ditëlindjes së 85-të, ne organizuam këtu në Përmet Festivalin Kombëtar të Sazeve ku dhamë edhe çmimin e madh me emrin tënd Laver Bariu. Erdhën me dhjetra artistë të sazeve e orkestrinave pothuajse nga të gjitha ato qytete që jeton kjo muzikë, nga Delvina, Gjirokastra, nga Berati erdhi grupi “Onufri” dhe “Vrioni “, nga Tirana erdhi Fatmir Lela me pjesëtarët e Familjes Lela, nga Erseka e Leskoviku erdhi Aleksi, e kështu erdhën nga Korça, Pogradeci, Vlora etj, plot 12 grupe, ku dy tre grupe ishin nga Përmeti. Erdhën për t’u nderuar Ju dhe sollën shumë këngë dhe kaba me të cilat përshëndesin kujtimin tënd, veprën dhe emrin tënd. Dhe më e bukura është se ky festival u zhvillua komplet me kontributin e qytetareve, shokëve e miqve Tuaj që jetonin kryesisht në Tiranë, por edhe në Përmet dhe ishte gjë shumë e bukur. Me këto grupe u përgatit edhe një film dokumentar nga RTSH që jepet rast pas rasti . Në njerën nga ato ditë, një mëngjes maji, erdhëm edhe në varreza e u takuam e çmallëm me Ty. Veç të dëgjoje kabatë që u binin pasuesit e tu, Dumua, Sadiku, Josifi, Artani e të tjerë. Ishte një simfoni e vërtetë tinguj që i mori Vjosa me vehte dhe u çoi brigjeve gjer në det. Pastaj erdhëm tek lagjia tënde prej vërteti, aty tek ajo rrugica e vogë që mban emrin Laver Bariu dhe ku është klubi i Cilos, ku Ti kishe tavolinën tënde të preferuar ku pije kafenë, ktheje ndonjë dopio raki dhe takoheshe me miq e shokë, me gazetarë e kineastë…
Ishe i veçantë! Rrallë kush e ka në jetë këtë privilegj. Pastaj në faqen e murit të pallatit tënd vendosëm një terakotë me portretin tënd, për t’u kujtuar të gjithëve që “në këtë rrugë e në këtë shtëpi ka banuar Artisti i Madh dhe gjeniu i klarinetës Laver Bariu”! Kaluam shumë bukur, të kujtuam gjatë! Ishte dhe Nadua me Dashin e Klitin e plot e plot të tjerë që këndonin e vallzonin në atë rrugicë të nderuar. Bardhyl Londo poeti, zbuloi atë portretin tënd e të përshëndeti duke kthyer kokën nga Lipa e mali i Dhëmbelit, nga shkon rruga për në Parajsë.
Bujari tënd që e doje aq shumë dhe nuk e ndaje nga goja asnjëherë, me sy të mbushur me lot foli në emrin tuaj me një zë të dridhur nga malli e emocionet, të kujtoi edhe Arjani, ai biznesmeni që të plotësoi disa kohë pesnionin deri sa more atë pensionin e veçantë që të takonte me kohë. Eh sa jemi lodhur e sa kemi trokitur për atë pension, o Usta, por ia dolëm…
Në ditët që pasuan Josifi, nxënësi tënd nga më të mirët, atë vit shkoi në Festivalin e Gjirokastrës, jo me Përmetin, por me Ansamblin e Këngëve e Valleve Popullore të Tiranës dhe para se të fillonte kabanë tradicionale, u tha atyre njerëzve: “Këtë kaba po e sjell në këtë skenë në kujtim të maestros tim, artistit të madh Laver Bariu i cili sot në këtë ditë të shënuar po na ndjek nga lart i nderuar emri i Tij”!
…Dhe kalaja oshëtiu nga duartrokitjet…
Po këtë mesazh e përcolli edhe në skenën e Teatrit të Operës e Baletit me këtë ansambël në Tiranë dhe së fundi edhe në Bruksel, në sallën e madhe të Pallatit Bozar, me pjesëmmarjen e më se 2500 vetave nga shumë vende të botës, në një takim të klarinetistëve të Ballkanit, ku e shtoi edhe më shumë kuriozitetin për emrin tend…
Ti ike nga kjo jetë i ngarkuar me shumë gas por edhe brenga, ike i ngarkuar më shumë se askush me shumë tituj, medalje e dekorata , me shume imazhe fotosh e videosh nëpër këngë e nëpër filma, të cilat Mama Kanua i ruante me shumë kujdes në sepeten e nusërisë. Ti ike por dhe le pas një mirazh që ndjell gjithmonë të bukurën, këngën dhe kabatë e pavdekshmë. Me dhjetra shkrime nëpër gazeta e shumë referime në libra e studime, u shkruan e do të shkruhen për Ty. Faqet e gazetave ato ditë janari kur ti ishe në rrugë u mbushën me plot ngushëllime, nga ministra, president, kryeministra e shkrimtarë e gjeneralë pa fund . Edhe pse i ikur , ti i solle qytetit dhe orkestrës tënde gati gjysëm shekullore emrin e rrallë “Mjeshtër i madh” , të cilën e solli në një ndër këto vite, vetë Presidenti I Republikës. U le pasardhësve të tu këtë kurorë që duhet të krenohen dhe ta mbajnë me nder e ta pasurojnë nga viti në vit…
Edhe para disa javësh, në Muzeun Kombëtar në Tiranë u promovua një libër për figura të njohura e të shquara të Përmetit, dhe aty ishte dhe vendi Juaj. Një portret i shkruar plot dashuri nga një autor që të njihte që në ato vite kur ishte nxënës në gjimnaz dhe vinte tek ajo dyqanka jote e vogël aty afër shkollës e i mballosje këpucët e grisura. Dhe këtu u mblodhëm disa me Vason, Kulin, Ibrahimin dhe me Bujarin tënd. Pastaj shkuam pimë një kafe tek Hotel “Tirana” e gati dy orë kemi folur për ty, të kemi kujtuat ty, i dashuri Usta.
Që nga ajo ditë që ke ikur, Përmeti është bërë më i bukur, me sheshin, rrugicat e shtruara me kalldrëm deri tek Shën Kolli, janë shtuar bujtinat, hotelet, janë shtuar vizitorët që mes të tjerash kërkojnë të gjejnë ndonjë reliken tënde, të mësojnë më shumë për ty. Ata gati çdo ditë janë këtu por TI ende nuk po vjen. E vërteta është se këtë vit kemi pritur diçka më shumë ardhjen tënde, se gjithmonë çdo sebep me numrin 9, e kërkon një event, e kërkon një ngjarje. Që edhe ne të gjallët të shkojmë plot me dëshirë e te vendosim një tufë me lule e të dëgjojmë një kaba. Ti je diçka më shumë se një njeri i zakonshëm, jo vetëm se je Qytetar Nderi i Përmetit, por je edhe artist që mburet e nderohet një komb. Je artisti që më shumë se kushdo bashkë me shokët e tu të sazeve në gjysëm shekulli, krijove një identitet dhe e mbajte gjallë gjer në ditët e fundit…
Unë shpresoj e besoj se këto fjalë e këto konsiderata ndonjë ëngjëll fluturon deri tek ty e t’i sjell në vesh të Perëndisë, por edhe po nuk i dëgjove nuk ka gjë, se këto fjalë nuk janë më shumë për Ty, se sa për ata që e kanë detyrim moral e shtetëror që të të sjellin këtu mes nesh.
Usta,sot, ka filluar viti i 10 i ikjes tënde dhe unë e shumë si unë, kërkojnë e duan që ti të vish i derdhur në bronx dhe të zësh vendin e duhur në sheshin apo lulishten e qytetit. Të thashë se qyteti ka ndryshuar , por vepra e arti janë ato që ke lënë, ato dy që ka krijuar i madhi Odise Paskali, “Partizani Çlirimtar” i derdhur ne Bronx dhe “Naimi” i derdhur ne beton. Ti e ke vendin këtu, mes njerëzve që të kanë dashur dhe i ke lumturuar dhe ua ke bërë jetën më të bukur. Dhe kështu duhet të jesh, i bukur, i bukur, i bukur, se kështu e kanë vlerësuar portretin tënd dhjetra e dhjetra njerëz të artit e kulturës kombëtare… Jo më kot i vendosa ato vargje të marrë nga një baladë e herëshme, në fillim të këtij meditimi ,se po kaluan 9 apo 10 vjet dhe kjo gjë nuk bëhet, atëhere harrohet, largohet e duhet pranuar se “Dheu” ka triumfuar dhe po ha bijtë e tij! Nuk ka pse pritej kaq gjatë dhe unë shpresoj se nga mot, lulet e trëndafilat e majit do i vendosim tek busti i Tij i derdhur në bronx.
Shënim: Këto rreshta i shkrova si një detyrim moral për artistin e madh L Bariu, por sigurisht Bashkia e qytetit, që gjer tani ka bërë punë të mira, duhet ta marrë në konsideratë këtë sensibilitet, të sigurojë fondet e duhur, të ngreje një komisjon dhe të fillojë nga puna për bustin e Ustait i cili i derdhur në bronx do e bëjë me atraktiv qytetin dhe duhet të përurohet maksimumi vitin e ardhshëm në prag te ditëlindjes së usta Laverit. Jam i bindur se edhe qytetarët, bizneset, institucionet, do të jenë të gatshëm të kuontribojnë me mundësitë e tyre… por puna do filluar dhe mbaruar sa më shpejt, brenda këtij viti… Shpresoj që ky sensibilizim do të pasohet edhe nga shumë të tjerë…
Niko Mihali, President i Seksionit Kombëtar Shqiptar të CIOFF (partner me UNESCO-n)
Tiranë, më 25 janar 2023,