Albspirit

Media/News/Publishing

Odise Kote: DJERRISHTA

 

 

Kjo copëz toke bërë eshkë, nuk i lypset askujt,

kthyer përmbys, si kohë që ecën mbrapsht.

Rrafshinë e parrokshme, trisht – trishtim pa fund,

gjëmbaçë, mercenarë të drobitur, trungje sakatë.

 

 

Gjithçka dyz, trubull e ndryrë pa kthim në mërzi,

Kutiza bosh, shpirtra vegimesh mbetur pezull.

Re zezona nxitimth’, të pambëritshme, n’arrati,

Si ndriçim enigme e derdhin shiun diku tjetër.

 

 

Si barrë prej të cilës kërkon të çlirohet, ajo,

gjëmon e bie heshtas, këmbanë e përzieshme.

E ftohur, pa ndjenjë ngazëllimi, në çdo pore, kudo,

nën guriçka – hija e hyut vizaton hieroglife.

 

 

Kjo copëz toke bërë eshkë, nuk i lypset askujt,

kthyer përmbys, si kohë që ecën mbrapsht.

Tym e mjergull mitesh, sfond i fshehtë plojash,

kufi me një tjetër ëndërr që shtrajt si makth.

Please follow and like us: