Amarda Ekmekçiu: Pse mos me u dashtë
E pse mos me u dashtë?
Sa kemi jetu s’do jetojmë ma
Ai vend s’bahet m’thonë tanë njerëzia
Se burri, kryet e gruas i k’put si zog n’duart e veta e, gruja nji’at shtazë e mba për burrë
E si asht me t’i k’put kreyt si zog?
Ti ende vazhdon me m’shty me ik
E me ik…
E me ik…
Me ik nga sytë kamët, me ik
Sa herë kthehem e malli im s’gjen kurrë dashninë e mungueme
E malli im dergjet mbi gabime që përsëriten sa herë vi e iki nga ajo tokë
Arritinë m’jep me klithmë e ngluç n’shpirt
Britma e tyne asht dashni e mungueme
O të mjerë
Si mos me kuptu sa shkurt asht jeta
e fryma jonë, s’asht asgja tjetër
veç nj’i diçka e gjithçka q’varet n’duart e vdekjes,
E ma t’bukrën
Dashninë
dashninë e harrojmë,
e harrojmë aq herë
sa rehatitë tona bahen rrena e vdekjes ma t’madhe t’uj marrë frymë
T’uj prit vdekjen se kur
Po hap e mbyll sytë
Se, koka e gruas n’ duart e tua
Duket si koka e nj’zogu,
aq lehtë
E ku nxanë duart e tua jetën e nj’gruje??
S’ashtë pronë or jo
Asht fryma që rriti fëmijt e tu
Asht drita e gëzimi i tyne
Pastërtia e shërbimet e zonjës n’shpi
Asht buka që gjen përpara çdo vakt
Se ndera jote u laka kollaj me nj’sapllake ujë e gruas i ngelka turp i madh n’der me dashtë
Eh, medet
ku e di ti se ç’asht dashnia
Ç’asht nji grue
Ç’ashtë ajo fjalë e jetë e bekume veç prej t’madhit zot pra
Medet sa mesjetë paska pas ky popull
N’rropulli gjykimesh
N’sedra t’smuna e men t’mykme
Hala t’uj dashtë me vdekë
Ti m’shtyn me ik
Me ik si herën e parë e mos ma keq
Me ik
Me ik
Me ik e mos me n’digju kurrë at’ fjalë t’mallkume, lanet
Me ik kryekëput, t’uj gulçu mrena shpirtit
E pse mos me u dashtë?
- 8. 2021, Bromley, Londër.