Albspirit

Media/News/Publishing

Saimir Z. Kadiu: In memoriam, Vili Brand

52 vjet më parë, më 7 dhjetor 1970, një kancelar gjerman viziton Poloninë dhe ulet në gjunjë para Memorialit të Getos së Varshavës…

Nuk flet asnjë fjalë, por me veprimin e tij si “mëkatar” kërkon falje për viktimat e pafajshme hebreje të Luftës së Dytë Botërore.

Ky kancelar nuk kishte asnjë lidhje me nazizmin… përkundrazi kishte luftuar kundër tij…

Por kërkon falje në emër të kombit të tij… për krimet e kryera nga nazizmi.

Dhe kjo ka ndodhur vetëm 25 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore…

Nënshkruan Traktatin e Varshavës, ku Gjermania heq dorë nga territoret e humbura pas Luftës së Dytë Botërore (tashme nën shtetin polak).

Vetëm një burrë i madh shteti, me një vizion të qartë politik dhe përfaqësues një kombi që i ka dhuruar botës ajkën e kulturës, muzikës, shkencës apo filozofisë… mund të bënte këtë veprim… duke kërkuar falje për periudhën më të errët të kombit të tij.

Dhe ky kancelar ishte Willy Brandt…

Lindi si Herbert Ernst Karl Frahm, më 18  dhjetor 1913 në Lubeck të Gjermanisë.

Willy Brandt ishte pseudonimi i tij gjatë kohës së nazizmit të cilin ai e mbajti më pas si emrin e tij deri në fund të jetës më 8 tetor 1992.

Jam ndodhur në Koln në ditën e varrimit të tij në mes të tetorit 1992.

Megjithëse ceremonia zhvillohej në Berlin, në të gjithë Gjermaninë e bashkuar, pasqyrohej një respekt i madh për këtë burrë shteti.

Edhe Hotel Savoy ne Turiner Str. (ku po qëndroja me një grup nga Ministria e Shëndetësisë  dhe QSUT në Këln), kishte në hollin kryesor një foto të madhe të Willy Brandt dhe një kurorë nga punonjësit e hotelit.

Willy Brandt do të ishte lideri i socialdemokratëve gjermanë për 23 vite (1964-1987) si dhe Kancelari i RFGJ gjatë viteve 1969-1974.

Në vitin 1961, kur u ndërtua Muri i Berlinit, ai ishte Kryetar i Bashkisë së Berlinit Perëndimor.

Në vitin 1971 ai është laureat i Çmimit Nobel për Paqen, për përpjekjet e tij për bashkëpunimin me Lindjen komuniste.

Brandt ishte kancelari i parë socialdemokrat që nga viti 1930.

Dha dorëheqjen në vitin 1974, kur një nga ndihmësit e tij më të ngushtë Günter Guillaume u zbulua që punonte për STAS-in, shërbimin sekret gjermanolindor.

Please follow and like us: