Hamit Aliaj: VJESHTË KËMBËTHYER
Tash ish hero dhe duhej të udhëtonte natën,
Malli e kish marrë të bëhej fëmijë,
Shkoi te shtëpia e vjetër dhe i gjeti kukullat,
Në panik iu fshehën degëve të pemëve:
⁃ Bie erë të vdekuri, thanë.
Atëherë u nis për në qendër të qytetit të vogël
Te shtatorja e tij rënkonte një vjeshtë
Që kish thyer këmbën diku në mal.
Dervishi i fatit nuk më ka thënë
Gjithë netët e botës t’i bëj përjashtë, tha
Mori kokën e përmendores së vet
E u nis të kuvendonte të paktën një natë.
Të nesërmen, policë vjeshtakë
Vendosën kokën te shtatorja
Dhe në lajme u dha se u kap dhunuesi i përmendores.
Veçse nuk kish duar
E s’kish ku i viheshin prangat.
Please follow and like us: