Sadik Elshani: Romanet e Kadaresë, në një kurs veror të gjuhës franceze
Ismail Kadare, 27 janar 2023, Bar Juvenilja, Tiranë
Ismail Kadare është shkrimtari ynë më i madh, më i afirmuar ne arenën ndërkombëtare dhe sot zë një vend të rëndësishëm e të nderuar në letërsinë botërore. Në këtë shkrim po sjell disa kujtime për vlerësimet që i janë bërë veprës së tij në një kurs veror të gjuhës franceze në fund të viteve ‘70-të, kur sapo kishte filluar të bëhej emër i njohur në Francë.
Gjatë viteve të mia të studimeve, por edhe pas mbarimit të studimeve, për disa vite me radhë gjatë pushimeve të verës kam ndjekur në Francë një kurs të gjuhës, letërsisë dhe qytetërimit francez. Kursi në fjalë zhvillohej në qytetin e vogël, Menton, në Bregdetin Azur, mu në kufi me Italinë. Për bukurinë dhe magjepsjen e tij e quajne “perle de la France” (“margaritari i Francës”). Pjesëmarrësit e atij kursi vinin nga shumica e shteteve të Europës dhe disa vendeve të tjera të botës. Në periudhën 1978 – 1987 kam marrë pjesë gjashtë herë në atë kurs dhe kam qenë shqiptari i vetëm. Gati për të gjithë isha shqiptari i parë që ata kishin parë ndonjëherë. Unë në fillim (1978) kisha shkuar gati pa ditur asnjë fjalë, prandaj në ato fillime e kisha shumë të vështirë komunikimin. Përveç librave, më duhej të shoqërohesha edhe me pjesëmarrësit e tjerë për të patur më shumë mundësi për të ushtruar gjuhën. Si të thuash, isha bërë si “i përkëledhuri” i atij kursi, të gjithë mundoheshin të më tregonin diçka, të më mësonin ndonjë fjalë të re. Ata e dinin që vija nga ish Jugosllavia (jam lindur e rritur në Kosovë), por habiteshin kur u thoja se jam shqiptar. Atëhere më duhej t’u spjegoja pak historinë tonë për t’i sqaruar gjërat. Pra, në bazë të “njohurive” të mia të gjuhës franceze, unë u caktova në klasën e fillestarëve.
Profesoresha ime, zonja Andree Guignaud, ishte një profesoreshë nga po ai qytet, një zonjë mjaft e sjellshme e me plot kulturë – zonjë tipike franceze. Ajo e njihte shkëlqyeshëm edhe gjuhën gjermane, sepse vinte nga krahina e Alzasit. Trupin pedagogjik të atij kursi e përbënin shumë profesorë të universiteteve të njohura, të cilët ishin specialistë të gjuhës dhe letërsisë franceze dhe që kishin përvojë me studentët e huaj. Kishte profesorë nga Universiteti i Sorbonës, Heidelbergut, Kolumbias (Nju Jork), Helsinkit, etj.
E dija që disa vepra të Ismail Kadaresë ishin përkthyer frëngjisht në fillim të viteve ‘70-të dhe ai gëzonte një popullaritet të lakmueshëm në Francë, sidomos me romanin e tij, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Pas disa ditësh pasi isha sistemuar në atë kurs dhe pasi tani njiheshim deri-diku me profesoreshën time, i tregova se ne kemi një shkrimtar të njohur me emrin Ismail Kadare, veprat e të cilit ishin përkthyer në gjuhën franceze dhe nga kureshtja e pyeta se a kishte dëgjuar për të, apo kishte lexuar ndonjë libër të tij. “Jo”, më tha, ende nuk kishte dëgjuar për Ismail Kadarenë.
Pas disa ditësh kur m’u dha mundësia e parë, dola për ta vizituar qytetin. Qyteti i vjetër shtrihej në një kodër, me ato rrugicat e ngushta më kujtonte qytetet shqiptare, Prizrenin, Beratin, Gjirokastrën, kuptohet, pa detin. Pranë detit kishte një shëtitore të gjerë e të bukur me plot restorante e hotele. Qyteti vlonte nga turistët. Mua më tepër më interesonte të gjeja një librari dhe ja diku afër qendrës së qytetit e pashë një. Menjëherë u futa brenda dhe fillova të kërkoja veprat e Ismail Kadaresë. Ajo ishte një librari relativisht e vogël, por për kënaqësinë time, aty e gjeta romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (“Le general de l’armee morte”), një botim i formatit “liber xhepi” (“Livre de poche”). Në këtë format në Francë botoheshin librat që ishin shumë të popullarizuar me lexuesit dhe që shiteshin shumë (“bestseller”). Ja pra, një nga ata libra ishte edhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. E bleva të vetmen kopje që ishte në atë librari dhe ia dhurova profesoreshës sime. Pas ca ditësh, pasi e kishte përfunduar së lexuari romanin, ajo më tha se kishte mbetur e mahnitur; se ishte një roman i mrekullueshëm, një rrëfim krejt origjinal për luftën dhe tmerret e saj, shkruar me një stil të lart, figuracion mjaft të pasur dhe se kishte kohë që nuk kishte lexuar diçka të tillë. Ndërsa për Ismail Kadarenë tha se ishte një shkrimtar mjaft i talentuar me shije të holle artistike e imagjinatë të pasur. Pastaj ajo më tha se kishte mbetur e befasuar që një shkrimtar i kalibrit të tillë dhe një vepër aq cilësore si “Gjenerali” të vinte nga një vend i vogël e i izoluar si Shqipëria e atyre viteve, vend për të cilin ajo gati nuk dinte asgjë. Kuptohet, pastaj vinin me radhë bisedat për Shqipërinë, shqiptarët, historinë, artin, kulturën, traditat shqiptare. Vepra e Kadaresë ishte një pikënisje e mirë për biseda të tilla.
Më vonë kur m’u dha rasti e vizitova edhe Nicën që është qyteti më i madh dhe qendra e atij rajoni dhe kuptohet, që edhe libraritë i kishte më të mëdha se ato të Mentonit. Aty i gjeta të gjitha veprat e Ismail Kadaresë që ishin botuar gjer atëhere: “Kështjella” që në frëngjisht ishte botuar nën titullin “Daullet e shiut” (“Les tambours de le pluie”), “Kronikë në gur” (“Chronique de la ville de pierre”), “Dimri i madh” (“Le grand hiver”) dhe vepra të tjera dhe ato që do të përktheheshin më vonë ndër vite. Përveç profesoreshës Guignaud, librat e Kadaresë ua dhuroja edhe profesorëve të tjerë si dhe disa miqve të mi. Që të gjithë e shprehnin adhurimin, vlerësimet më të larta për Kadarenë dhe veprat e tij dhe të gjithë e shihnin si një kandidat potencial për Çmimin Nobel. Veprat e Kadaresë për ta ishin një zbulim i këndshëm, u kujtonin Kafkën. Zonja Guignaud u bë një adhuruese e Ismail Kadaresë dhe veprës së tij. Kur Kadareja shkonte herë pas here në Francë dhe jepte ndonjë intervistë në televizionin francez, profesoresha menjëherë më shkruante për këtë: “Mbrëmë zoti Kadare ka dhënë një intervistë në televizionin francez – ishte i mrekullueshëm”.
Kursi zhvillohej paradite dhe pasi hanim drekë, pasditen zakonisht e kalonim në plazh. Një pasdite kur po shkoja në plazh e pashë një profesoreshë të kursit që e kishte ulur kokën dhe po lexonte diçka. Kur më vërejti që po shikoja në drejtim të saj, më buzëqeshi, sikur donte të më thonte se isha duke e takuar tamam në çastin e duhur. Kur iu afrova edhe më afër, e ngriti librin që ishte duke lexuar dhe po më tregonte mbulesën, ishte romani “Kronikë në gur”, të cilin ditë më parë ia kisha dhuruar një profesorit tim. Nga përkushtimi që i kisha bërë në libër, ajo e kishte parë që ishte një dhuratë nga unë. Pasi u përshëndetëm dhe unë u ula afër saj, ajo m’u drejtua: “Sapo kam filluar ta lexoj, por po e shoh që është një libër shumë interesant, i shkruar me një gjuhë të bukur, mjaft shprehëse e poetike. Qytet shumë i çuditshëm me një arkitekturë interesante, të pashoqe”. Pastaj i përsëriti disa fjali nga libri që i kishin bërë përshtypje për pjerrësinë e atij qyteti (Gjirokastrës): “Po të rrëzohesh në skajin e një rruge, do të bije mbi kulmin e një shtëpie dhe po ta zgjasje dorën nga rruga, mund ta vëje kapelen në majën e një minareje”. “Shumë interesant”, vazhdoi ajo, është një roman shumë poetik. I thashë se edhe Mentoni me pjerrësinë e tij po më kujtonte Gjirokastrën, se kështu quhej ai qytet që njëherësh ishte edhe vendlindja e shkrimtarit. I tregova që e kisha lexuar romanin në gjuhën shqipe dhe vërtet ishte një roman, një prozë e bukur poetike – për mua, vepra më e mirë që kishte shkruar Kadareja gjer atëhere dhe me siguri do të mbetej vepra më e mirë e tërë krijimtarisë së tij. I thashë se më pëlqente shumë ky roman dhe se pjesën e fundit, “Memoriale”, e kisha mësuar përmendësh. Ashtu?! – ma ktheu e habitur. Biseduam pastaj për Kadarenë dhe krijimtarinë e tij.
Për suksesin e një vepre të përkthyer në një gjuhë të huaj, merita jo të pakta i takojnë edhe përkthyesit. Nga ky parim nuk bëjnë përjashtim as veprat e Ismail Kadaresë të përkthyera me aq mjeshtëri në gjuhën franceze.Të gjithë profesorëve të mi që i kishin lexuar veprat e Kadaresë, kuptohet, përveç tematikës, ngjarjes, stilit, u kishte bërë mjaft përshtypje edhe përkthimi i mrekullueshëm – “par excellence”. Thonin se ishte një frëngjishte e përkryer: e pasur, elegante, e pastër, e rrjedhshme – përkthyesi me siguri duhej të ishte një njohës shumë i mirë i gjuhës franceze. Këtë e thonin ata që ishin specialistë të njohur të gjuhës franceze, të cilën e kishin edhe gjuhë amtare. Pyesnin se kush ishte përkthyesi, por emri i përkthyesit atëhere nuk dihej , vetëm shkruhej se ishte përkthyer nga shqipja (traduit de l’albanais). Aty diku nga viti 1984 filloi të paraqitej emri i përkthyesit, ishte Jusuf Vrioni (1916 – 2001), për të cilin përveç emrit gati askush nuk dinte asgjë. Vepra e Kadaresë ka qenë me fat që në gjuhën franceze është përkthyer nga një mjeshtër, njohës i shkëlqyer i gjuhës franceze, përsëri, “par excellence”. Pa përkthimin mjeshtëror të Jusuf Vrionit, me siguri vepra e Kadaresë nuk do të mund të depërtonte me aq sukses në një vend si Franca që ka një lexues të edukuar, me kërkesa të larta e shije të hollë artistike. Prandaj, këto ditë kur po festojmë 80 vjetorin e lindjes së shkrimtarit tonë të njohur, duhet ta nderojmë dhe ta kujtojmë edhe përkthyesin e tij të suksesshëm, Jusuf Vrionin, në 100 vjetorin e lindjes.
I solla sot këto kujtime në 80-vjetorin e lindjes së shkrimtarit tonë më të madh, jo për ta mburrur veten, sepse nuk kam bërë asgjë, por vetëm për të shpalosur krenarinë që unë ndjeja si bashkëkombas i Ismail Kadaresë, kënaqësinë time kur e shihja nga afër se si vlerësohej një shkrimtar shqiptar në një mjedis aq të kulturuar, nga njerëz që ishin specialistë të gjuhës dhe letërsisë franceze. Vlerat e vërteta janë përfaqësuesit, ambasadorët më të mirë të një kombi dhe ne të gjithë duhet të perpiqemi që të krijojmë vlera e të bëjmë përpjekje që t’i përhapim ato vlera në të gjitha mënyrat brenda mundësive tona.
I urojmë shkrimtarit tonë të nderuar shëndet, jetë të gjatë e punë të sukseshme, të na dhurojë vepra edhe më të mira në të ardhmen!
Philadelphia, 20 janar, 2016.