Shaban Murati: Një zbulim historik ballkanik
Një pyetje naive lind me rastin e një zbulimi historik në një cep shkëmbor të gadishullit, zbulim i cili erdhi në formën e një deklarate qeveritare se “Ballkani Perëndimor nuk ka patur kurrë pozicion luftarak”.
Ju që jetoni në Ballkanin Perëndimor a mund të na tregoni se ku bie shteti dhe nga cili shtet është presidenti Sllobodan Millosheviç, i shpallur nga Gjykata e Hagës kriminel ndërkombëtar lufte, të cilët shpërthyen katër luftra të përgjakëshme kundër katër popujve joserbë në Ballkanin Perëndimor në fund të shekullit të kaluar? Ku bie shteti dhe i cilit shtet është presidenti Vuçiç, i cili vetëm vitin e fundit ka kërcënuar katër herë me luftë Kosovën?
Fshirja apo revizionimi i krimit shtetëror ndërkombëtar është zakonisht pasion i udhëheqësve të shteteve, që shkaktojnë luftra dhe agresione. Por kur këtë mision të përbuzshëm e marrin përsipër përfaqësues të kombeve viktima të luftrave, ky nuk është më revizionim i historisë. Është rivrasje e qindra-mijrave të vrarëve dhe ridëbim i miliona të deportuarve nga shtëpitë dhe tokat e veta prej shtetit agresor. Është një formë e sadomazoshizmit shtetëror.
Jemi para një dëshmie të re se degradimi shtetëror, intelektual, moral dhe njerëzor ka kapur fundin.