Albspirit

Media/News/Publishing

Gëzim Voda: Kujtim Mateli dhe shkrimtarët e Dëshnicës

Si një prej emrave të përfshirë në këtë libër që u kushtohet krijuesve dëshnicarë në letërsi ndër vite dhe si nga më të parët lexues të tij para se ai të shkonte për botim, në ato pak fjalë që i shpreha autorit Kujtim Mateli pas leximit, ishte falënderimi im i sinqertë duke dashur madje të përfaqësoja deri diku edhe të tjerë që janë po aty, por që nuk e kishin këtë mundësi paraprake leximi sikurse unë. Ia transmetova ato pak rreshta, pa më shkuar mendja të isha parathënës i këtij libri, sikurse me rezerva e quaj të tillë edhe tani. E them këtë, jo vetëm si jo i duhuri për t’i bërë “oponencën” autorit për këtë botim specifik për ne dëshnicarët, por në një farë mënyre edhe si i përfshirë në “konflikt interesi”, sepse jam pjesë e librit në fjalë. Desha ta falenderoj atë se, edhe pse jemi miq e shokë prej vitesh, ai nuk kish ndonjë detyrim të sistemonte në një botim goxha voluminoz si ky, “bëmat” tona në fushën e letrave. Do t’i mjaftonte qoftë edhe aq sa ka bërë përmes reçensioneve dhe kritikës letrare që ka realizuar thuajse për gjithë ç’janë në libër te mjaft numra të gazetës “Dëshnica” apo në shtypin qendror e në rrjetet sociale.
Madje, edhe për këtë motivim individual të tij, gjykoj se nuk i ka marrë konsideratat e duhura tonat. Them kështu, sepse nuk kam parë të shfaqet dikush në organe shtypi, që t’ia dijë atij këtë “bujari”, duke ia kthyer me të njëjtën “monedhë” që ka shpërblyer ai bashkëkrahinorët e vet. Kësisoj, i jap të drejtë vetes të them se vështirë t’i ketë shkuar mëndja dikujt prej nesh që kemi “zhgaravitur” nëpër fletore e blloqe për qejfin tonë, se do të vinte dita që dikush të na kushtohej me një botim të tillë, duke na dhënë vlera jo vetëm krahinore, por deri kombëtare.
Mirëpo njerëzit e kulturuar, artdashës dhe ca më shumë krahinëdashës sikurse është Kujtim Mateli, i cili nuk është vetëm një studiues i mirëfilltë në fushën e letrave, por edhe për lashtësinë, duke e dëshmuar këtë me studime të nivelit akademik siç kanë qenë tre vëllimet e tij për Dodonën pellazgjike dhe botime e ligjërime të tjera në median e shkruar e atë vizive. Njëherazi, ai është edhe poet e kritik letrar i kualifikuar. Është një ndër ata njerëz që kanë të zhvilluar një shqisë më tepër se ata të zakonshmit. Kjo kategori njerëzish, shquan për ndjenjën e humanizmit, dashamirësisë, solidaritetit dhe mirësisë për ta parë e vlerësuar pozitivisht tjetrin, për të qëmtuar tek ai tipare, virtyte dhe prirje të dobishme që i shërbejnë zvillimit dhe emancipimit shoqëror, që jo kushdo i trashëgon ato si cilësi njerëzore. Njerëz të tillë, nuk shohin thjesht gjer “tek vetja” të shtyrë nga egua e cmira që të jenë vetë “në krye” duke denigruar apo nënvleftësuar të mirat që ka dikush, por hedhin vështrimin më larg.
Ata e bëjnë pjesë të detyrimit vetiak të flasin me dashuri dhe përkushtim edhe për të tjerët, pa i seleksionuar vlerat e tyre subjektivisht, por për t’i nxjerë në pah duke ia lënë opinionit të gjykojë. I tillë është edhe autori i këtij libri. Nëse kjo që them, për dikë mund të quhet “fjalë goje” ose kompliment i shtirur, atëhere le të na shkojë mendja për të pyetur veten: cili prej nesh, të ndodhurit në këtë botim do të bënte të njëjtën gjë sikurse Kujtimi, përderisa çdokush nga ne është më e pakta autor i një libri? Ndaj dhe respekti e mirënjohja ndaj tij për këtë botim nuk është një detyrim personale i yni, e cila do të ishte më e pakta gjë që bën njeriu normal, por edhe konsideratë për atë kontribut të vyer të tij që ia lë zhvillimit të letërsisë në krahinë e në trevën e Përmetit, si dhe në planin kombëtar.
Sigurisht, Kasëm Trebeshinën, Mustafa Fezgën, Belul Arapin, Kujtim Halilin, Tomor Çaushin, Mystehak Kapon, Kadri Cenkën, Islam Kalemin e Ylli Selfon, që ndodhen aty si poetë, tregimtarë, romancierë, fabulistë etj., që nuk jetojnë më, do t’i kisha pro vetes përsa them. Si mik i tyre ndër vite, do t`më jepnin të drejtë e do t`më ishin mirënjohës të shprehja të njëjtën konsideratë ndaj autorit, sikurse do të dëshironin edhe ata. Besoj se të njëjtën gjë do të përcillnin edhe shumë të tjerë që janë aktivë, brenda e jashtë territorit shqiptar. Dhe të mos harrojmë, se është një kontribut as i planifikuar e as i financuar nga ndonjë institucion i këtij vendi, por i përballuar tërësisht nga ai vetë, i motivuar fisnikërisht si njëri prej punëbërësve të mirë dëshnicarë. Ky fakt, e shton edhe më tej respektin ndaj tij.
Kujtim Mateli, sikurse ato nënat e mira me shumë fëmijë që nuk ngopen së vëni në rresht bijtë e tyre pa dallim dhe iu gëzohen duke i parë ata sy ndër sy e i përkëdhelin barabar, kur u vjen çasti, na ka rreshtuar edhe ne dëshicarët në libër pa dallim vlerash artistike, pa hatëre për hir të njohjeve vetiake, të fshatit, moshës dhe gjinisë që përfaqësojmë. Nuk e ka bërë këtë as në rastin, kur mes nesh është edhe një poete femër, e cila mbase e meritonte të qe në krye të këtij libri si e vetmja poete dëshnicare me prodhimtari të spikatur dhe as për bashëfshatarët e vet krijues, të cilët gjenden thuajse nga fundi i librit.
Nuk marr përsipër të flas imtësisht për brendinë e librit sepse, pa e tepëruar, sot për sot nuk kemi një kritik letrar të dytë në krahinë si Kujtim Mateli. Pra, nuk është parë ende një qëmtues, vlerësues dhe kritik letrar pasionant dhe gjithëpërfshirës i krijimtarisë sonë letrare në Dëshnicë e në gjithë trevën e Përmetit. E mirëpres dikë të më thotë se “e kam gabim…”. Si “krye ustai” i kësaj pune, them se çdokush nga ne, aktualisht do ta kishte mëse të vështirë ta konkuronte. Nuk konkurohet edhe për modestinë dhe “kokëuljen” shembullore që e veçon. Gjithësesi, ajo që konstatohet lehtësisht në këtë libër si një konkluzion logjik, është fakti se thuajse të gjithë emrat që ndodhen aty frymëzimin e tyre krijues e marrin kryesisht nga vendlindja, krahina e Dëshnicës dhe treva e Përmetit. Autori e thotë këtë me krenari. Një vlerë kjo që shembëllen me atë prirje që dikur kishin Rilindasit tanë. E thotë jo për mburrje e karshillëk ndaj të tjerëve, por si dëshmi e dashurisë për truallin amtar e të pjekurisë së tyre krijuese në kohët që jetojmë.
Ndërkohë, ai bën analiza të plota për veçantitë e secilit prej tyre, për specifikat që shpalos njëri dhe tjetri përmes vargjeve poetike apo gjinive të tjera letrare, për kushtet kur dhe ku ka shkruar e shkruan njëri dhe tjetri, për stilin e të shkruarit, për figurat letrare që gjenden në krijimet e çdokujt, për mesazhet që i transmetohen lexuesit, etj., që gjithkush prej tyre do t’i gjejë po aty. Specifikisht do të gjente universin dhe absurditetin e kohës te veprat e Kasëm Trebeshinës, shkrimtarit rrebel të çdo kohe e sistemi politik, i cili vuajti persekutimin komunist gati gjysmë shekullor, sepse synonte të reformonte letërsinë e realizmit socialist ku “hero” zakonisht bëhej komunisti dhe “armik” ai tek njerëzit e thjeshtë, etj. Kujtimi na njeh me përmbajtjen filozofike të mjaft krijimeve të Ylli Hoxhajt, Lumo Kolleshit, Kujtim Halilit e Bujar Bejkollarit; me mprehtësinë dhe thellësinë e vargut që na paraqesin Edlira Xhani, Dashnor Selimi e Petrit Malushi; me ngrohtësinë dhe muzikalitetin që japin poezitë e Bujar Elmazit, Flamur Dalipajt, Myslym Xhaferajt, Artur Vrekajt, Selami Deliut e të Ylli Selfos; me mesazhet domethënëse që përcjellin në veprat e tyre Mustafa Fezga, Sadik Muraj, Tomor Caushi, Kadri Cenka, Petrit Brahollari e Nuredin Nurçe; me tiparin atdhetar të krijimeve të Belul Arapit, Skënder Lazajt, Zenel Anxhakut, Muharrem Kamanit, Mystehak Kapos, Safet Xhanit e Ali Rabos; me kontributin e spikatur të Et`hem Bundos e të Islam Kalemit si fabulistë etj. Të gjitha së bashku, janë një argument për të bindur cilindo, brenda dhe jashtë krahinës së Dëshnicës, se ashtu sikurse ajo ka nxjerrë ndër kohëra patriotë e atdhetarë me emër apo bujq e blektorë të devotshëm, ka patur e ka në vetvete edhe njerëzit e saj të artit e të kulturës, ndaj të cilëve kërkohet të ketë vetëm respekt të merituar.
Kësisoj, libri që flasim është një kontribut i vyer i Kujtim Matelit, jo vetëm për të përmbushur disa nga boshllëqet e djeshme në nxitjen dhe përkrahjen e talenteve dëshnicare në këtë fushë, e cila për ta ishte disi “e virgjër” jo për faj të tyre, por edhe vënien në vend e atyre vlerave me dinjitetin që u takon. Tridhjetë emrat e krijuesve të kësaj krahine që janë në këtë botim dhe pretendimet e autorit për të mos e lënë me kaq, por ta vijojë edhe me botim tjetër, i jep gjithë të drejtën e Zotit, Dëshnicës dhe dëshnicarëve që të mos quhen më nga dikush vetëm “të zotë për të punuar tokën e ruajtur bagëtitë…”, por edhe ku ka talente e pasion për poetë, shkrimtarë, studiues, publicistë, piktorë, muzikantë, aktorë, etj, të vlerësuar deri në planin kombëtar e më tej.
Please follow and like us: