Miho Gjini: ADOLESHENTI
Tregim
Po afronte shtatori dhe unë nuk kisha asnjë shpresë të më jepnin një copë bursë. Mund të më merrnin edhe ushtar vitin e ardhshëm. Kështu, një ditë prej ditësh, ashtu sikundër ishte i nevrikosur me miqtë e vet korçarë, babai më hypi në autobuzin e linjës së Tiranës, që të na bënte derman shoku Latif, i cile ishte ngjitur në shkallët e pushtetit qëndror, sikundër thonin “Për merita të veçanta”!
Zbritëm para Hotel “Vollgës” dhe, si nuk na i mbante të trokisnim aty për të fjetur, babai rrëmbeu valixhen time të sajuar me dërrasa, më dha mua të mbaj peshqeshin për shokun Latif, me dy shishet e rakisë së manit (për të cilat ai jepte shpirtin e ia merrte edhe këngës!), kaluam nga mbrapa “Librit Sovjetik”, mespërmes Pazarit të Vjetër që më la aq të habitur nga zërat e bozaxhinjëve e të suxhukpjekësve, thirrjeve të shitësve të akulloreve me kajmak e të qeleshepunuesve, nga godtjet e çekanëve të bakërxhinjëve e të teneqexhinjëve dhe u ndalëm në dyert e Hotel “Vjosës”. Mua më ngjau si një pallat i lartë dhe i bukur. Na dhanë një dhomë në katin e katërt, me banjën në fundin e një korridori të ngushtë. Qe hera e parë që vija në Tiranë dhe dola menjëhere te ballkoni tmerrësisht i vogël, për t’i hedhur një sy këtij kryeqyteti të çuditshëm e me plot zhurmë. Prej andej dukej vetëm një kishë shumë e bukur që e ndante me ne aty, Rruga e Dibrës, që ngjante sikiur ngjitej në malin e Dajtit.
Ramë të flemë si të vdekur, pasi hëngrëm mbi krevatet tona disa kërnacka me djathë, ullinj e me nga një gjysmë qepe që na i kishte pështjellur nikoqirja e shtëpisë për rrugën tonë të gjatë që po merrnim, që mbase bëhesha edhe unë njeri i ditur e të mos më merrnin ushtar e të më degdisnin andej nga zona plot rreziqe e kufirit. Të nesërmen në mëngjes, sa hapa sytë, vura re krevatin bosh të babait dhe një letër mbi jastëk. Dola të takoj shokun Latif,më shkruante ai dhe nuk di sa mund të vonohem… Po ti mos dil nga hoteli, sepse kam frikë se humbet si ‘sopata pa bisht’!
Psherëtiva nga thellësia e shpirtit… Si mund të rrija i mbyllur brenda?! Në të vërtetë unë kisha ardhur në Tiranë me gjithë valixhen e konviktit. Aq i sigurt qe im at se do ma rregullonte bursën në inxhinierinë e ndërtimit a në ndonjë farë shkolle tjetër të lartë, sepse në Korçë më kishin nxjerrë fare pa bursë, edhe pse i kisha me “pesa” të gjitha lëndët!. Ato jepeshin me “krrëk” ose i merrnin për fëmijët e tye ata që zotëronin vendin…
Gjithë ditën duhej rë rrija mbyllur në një dhomë hoteli! Çfarë të bëja? Shtrihesha, shikoja abazhurin e tavanit të pështyrë nga mizat, dilja përsëri në ballkon, ndiqja me vëmendje lëvizjet e kalimtarëve, zgjatja kokën në drejtim të një ndërtese përdhese të bukur, ku siç do ta mësoja më vonë do të quhej Pastiçeri “Peza”, ngjitur me nje barakë lustraxhiu.
Po shikoja të gjitha këto kur befas u dëgjua një zhurmë gërvishtëse nga gjysma e huaj e ballkonit matanë. Pas një çasti u dha atje një vajzë e re. Fillimisht mendova se ndoshta mund të ishte pastruesja e hotelit. Por ajo ishte aq e re, e veshur aq pastër, me një sy që kapi vetëtimthi vështrimin tim të etur. I gjendur kështu, thuajse me kanatiere, më ngjau vetja paksa si idiot. Ajo ktheu kokën nga ana tjetër, pikërisht andej nga do të ishte Pastiçeri “Peza”, ndenji edhe disa sekonda, ashtu, me krahët mbështetur te parvazi i ballkonit dhe, befas, hyri në dhomën përbri meje. Sikur m’u këput diçka përbrënda. Pse iku? Nuk i pëlqeva? U tremb?
Pas disa minutash do të hyja edhe unë në dhomë. Përmasa e vetmisë tashmë ishte thyer. Nuk gjendesha më vetëm. Qoftë edhe me mendimet që do të pasonin. Ajo gjendej tani matanë këtij muri, ku janë mbështetur kokat e krevateve tona: i imi dhe i babait. Ndoshta edhe ajo, kokën e krvatit e kishte të mbështetur pikërisht po te i njëjti mur, me një mur budalla që na ndante si një copë akull. Ishte vajzë e bukur. Këtë e vura re mënjëherë. Mbi të gjitha ajo qe një qenie e pastër, e pastër dhe e bardhë, sikur ta kishin larë me qumësht. Po dielli nuk e zinte, xhanëm?
Po sillesha nëpër dhomë dhe befas pashë veten ne pasqyrën e murit. Nuk me pëlqeu vetja ashtu si isha, me kanatjere. Me nxitim tërhoqa valixhen prej druri, i zgjidha telin qarkues dhe e hapa për të zgjedhur një këmishë për të qenë e te dukesha më i bukur. Ja ku e kishte palosur nëna një këmishë boje qielli me mëngë të shkurtra që më pëlqeu dhe e vesha aty për aty, duke shtruar me dorë rrudhat e krijuara nga ngjeshja e tepërt. Mirëpo asnjë lëvizje nuk ndjehej pas murit! Po sikur të delja unë i pari në ballkon e kështu të ndjehej prania ime? Shmanga perden dhe mbajta frymën… E tërhoqa pak derën prej xhami të ballkonit e deri tek hundët e mia erdhi era e qofteve të zgarës atje poshtë që më gudulisi stomakun përsëri? “Je një copë idiot”!,-i thashë vetes,-Leri qoftet dhe shiko se diçka lëvizi nga ballkoni i saj”! O Zot, ishte ajo. E pashë se si u përkul mbi parvazin e ballkonit dhe pata mundësinë që, nga pas perdes, të shikoja një palë pulpa këmbësh të bukura… Më mbetën sytë atje. Nuk më kishte ngjarë kurrë kështu, të më dridhej gjithe shtati… Dhe dola. Nuk durova aq shumë dhe thashë një “Mirmëngjesi”, ashtu i ndrojtur, si njeriu më i mjerë në këtë botë të mjeruar… Më ngjau se pati një buzëqeshje të lehtë edhe ajo. Nuk isha dhe aq i shëmtuar, de… E shtrova edhe një herë këmishën me të dya duart dhe i dhashë vetes më përpara, deri tek parvazi i ballkonit. E fjala mu tha në fyt!
-Jeni edhe ju bujtëse këtu? -e shkrepa unë i pari
-Po, për pak ditë…
-Me prindërit?
-Me babanë.
-Ëhëëëë… Me baban edhe unë… Ngjan sikur na mbajnë për dore akoma,-thashë unë i skuqur tej e tej.-Sa diell i bukur që ka shkrepur sot!… E shikoni? Që tani përvëlohet njeriu!
I ktheu sytë nga unë e mua mu duk si ato vajzat e filmave italianë që i pata parë me ëndje në Kinema “Majëstik”… Dhe buzët të trasha i kishte…
-Për ndonjë shkollë? – më erdhi ndërmend papritur.
-Ah, po, ku e di ti?
-Se për këtë kam ardhur dhe unë,-ia shkrepa… Pres një përgjigje prej dikujt… për një copë bursë, de… Domethënë jemi njëlloj… bashkëmoshatarë dhe kemi të njëtin hallë, apo jo?
-Jo,-ma ktheu ajo, nuk kemi të njëjtin hall. Se mua më kanë dhënë vetëm gjysmë burse, si të isha gjysmë njeriu e babai u zemërua shumë
-Ah!… Dhe ka shkuar të ankohet tek shoku Latif?! -thashë unë fare pa të keq…
Po ajo ia shkrepi një të qeshure me zë… Dhe m’i hodhi sytë për herë të parë..
-Sa i zgjuar që je!
Ishte komplimenti më i bukur që më ishte bërë nga një femër. U mornicova. Po pastaj ra një heshtje e mallkuar që nuk e shporrja dot. Shtrova përsëri me dorë këmishën blu që më rrinte për dreq. Mbeta pa frymë fare. Papritur ajo vajti deri tek cepi i ballkonit, nga ana e malit të Dajtit dhe befas u kthye nga unë me zëmërim…
-E di ti që mua më vjen të hidhem që këtej e të bie në rrugë?!
-Ç’farë thua kështu?!,-iu afrova unë kufirit që na ndante, sikur të qe kufiri i Kapshticës që ndante të dyja shtetet…Dhe, asnje gjysmë metër humnerë, a “tela me gjëmba” nuk na ndante… që… që ta kapërceja…
-Sepse kam dy ditë mbyllur me çelës këtu! – ia behu ajo sikur unë të isha fajtori për këtë.- Im at ka frikë të më lejojë të lëvië nëpër Tiranë, sikur do të humbas! Dhe mbi të gjitha mbyll derën me çelës.
-Po ta kishe derën hapur do pranoje të hanim bashkë një akullore? – thashë me guxim e elegancë. Ata thërrasin atje poshtë e ne na lëngëzohet goja!… Dhe psherëtiva
-Përse thua ëndrra? – ia behu ajo, duke buzëqeshur.
Vërtetë, pse thosha ëndrra?! Unë isha gati-gati i burgosur për vete!
Po emrin si e ke?- mora unë guximin e mëtejshëm
-Ç’të duhet emri im, më qortoi ajo. – Nëse yt at mbaron punë edhe ti zhdukesh. Edhe unë shkoj në punën time. Ç’të duhet emri im?
-Jooo, e ke gabim, bre, shtova unë shpejt e shpejt. Nëse sot a nesër mbaron punë me atë mikun… se sot, pa patur një mik s’të përfill kush e pa e “lyer pakëz qerren”, unë do të jem ne fakultetin e inxhinierisë… Le të jem edhe gdhë fare! E di Universitetin ti?…
Ajo tundi kokën.
-E, je atje. Mund të vish të më takosh sa herë të duash. Ti do fitosh pa tjetër edhe gjysmën tjetër të bursës. Bile edhe te Filologjiku, ku venë vajzat e bukura… Kështu që do jemi të dd në Tiranë. U njohëm këtu, në rrethana misterioze, si dy të burgosur, jo nga policia, po nga prindërit… Le se ç’vete, bre!
Ramë që të dy në mendime, po isha unë që e shkunda
-Hë, pra, si e ke emrin?
-Sonja…
-Ah, këto emrat rus, -thashë unë,-mua më quajnë Viktor!
Përsëri nuk foli
-Iku shpejt babai yt sot?
-Po, pa gdhirë. Tha se do i zinte rrugën shokut Latif, para derës së Ministrisë së Arsimit… Kushedi se sa do vonohet. Se kishte ndërmënd që edhe të shtroheshin e të hanin një drekë të mire… Kështuqë, ata kanë punën e tyre dhe ne të dy kemi punën tonë…
-Ua, ky… Ç’punë?!
-Të dalim, bre…Të marim pak ajër… Qoftë edhe në pazarin këtu poshtë… Nuk është dhe aq i bukur, sa ai i yni në Korçë, po gjene ka qyfyre më tepër… Shesin edhe Salep me ca ibrikë të mëdhenj që i mbajnë të lidhur mbi kurrizin e tyre gegët!
-Oh, psherëtiu Sonja, – edhe mua do më pëlqente një gotë e ëmbël Salepi… Po të gjorën Sonja që e ka mbyllur babai me çelës, si i bëhet?
-Po dera mund të hapet edhe pa çelës, dhashë unë mendimin tim gjenial!
-Si u hapka pa çelës?!
-Zgjatu deri sipër, hiq llozin e njerit prej kanateve që kapet pas kornizës dhe lirohet gjithçka…
Hyri në dhomë për të parë e u kthye menjëherë…
-Nuk bëhet, tha me dëshpërim, – unë jam shumë e shkurtër.
-Po a ka karrige në dhomë?
-Oh, ‘sa i mirë je ti’! Më tregon se si mund të thyej këmbën a shpatullën…
Jo, bre… Ta bëjë unë, tak-fak… Kapërcej këtë “gardhin” këtu,- mora hov unë, duke rrëfyer hapësirën ndarëse të dy ballkoneve, – dhe ta hap unë… Unë…
Dhe i rrashë gjoksit me grushta…
-Uauuuuu, thiri ajo e tejskuqur, sa aventurier që je! Më pëlejnë njerëzit e guximshëm.
Sonja qeshi. Qesha edhe unë. Po pashë një herë edhe poshtë, tek ecnin kalimtarët që dukeshin si milingona!… Qe kati i katërt e po të bija poshtë, bëhej hataja, po s’e dhashë fare veten. Kjo vajzë më magjepsi. Le të bëhesha thërrime, derisa i pëlqenin guximtarët dhe aventurat. Pa e zgjatur fare, vura njerën këmbë tek cepi i ballkonit tim, mora hov… dhe u hodha tek ballkoni i saj. E aty u rrëzova në afërsi të këmbëve të saj… Nuk e priste që ta bëja këtë gjest trimërie! Ajo ulëriti e u përkul të me jepte të dyja duart që të ngrihesha. Po mua mu ngulën sytë tek gjoksi i saj i bëshëm e i bardhë, që u shfaq aq befasisht. Ndjeva aromën e trupit të saj që më shastisi…
-U vrave gjë? – u tmerrua ajo.
-Jo, jo… Aspak! – thashë unë duke u hedhur përpjetë dhe mora vrull për nga dera e brendshme.
– Prit pak… Ndoshta po bëjmë ndonjë gabim tepër të rëndë,-tha ajo, kur unë zgjata krahun të hiqja shulin e sipërm të derës. -Mos, mos e bëj atë, shtoi ajo e trëmbur e më tërhoqi aq fort nga këmisha, sa unë u ndodha dy gishta larg trupit të saj…
Vështrimin ma nguli drejt në sy dhe më erdhi në gjithë trupin afshi i saj i ngohtë… Nuk di se si nuk u përmbajta dot më dhe i rroka të dyja supet dhe e putha.
-Moooos, desh të shmangej ajo, mund të vij im at dhe…
Ia mbyllja gojën përsëri me nje puthje aq të gjatë sapo i merrja frymën. Dhe ajo nuk u shqit më prej meje. Gjoksi i saj i mrekullueshëm tani ishte i mbështetur i gjithi pas meje dhe unë ndjeja një zjarrmi të pandjerë kurrë më parë. I vendosa pëllëmbët e duarve në gjokset e saj dhe dëgjova një rënkim të lehtë, që i vinte nga shpirti thellë. E vetëm kur duart e mia rrëshqitën më poshtë, ajo u shmang vrullshm dhe tha e irrituar:
-Mjaft, mjaft, të lutem! Ik tani… Nuk dua ta hapësh derën… Ik, të lutem!
Një buzëqeshje gati e fikur, gati e trembur më pat mbetur në fytyrë dhe e kuptova se nuk qe aspak nevoja të rrezikonim aq shumë: Të hapnim dyer e dritare, të binim në sy, kur fare qetë dhe lehtë mund t’i afroheshim njeri-tjetrit, pikërisht në çastet kur baballarët tanë do të zhdukeshin përsëri nëpër Tiranë dhe ne… Aventura e ime e guximshme prej adoleshenti kishte përfunduar… Kisha marrë puthjen e parë si shpërblim dhe kjo do të mbetej e paharruar në gjithë jetën time.. .Mirëpo e gjitha kjo më dha një si etje të pashuar për të avancuar më tej… Vërtitesha nëpër dhomë deri në rraskapitje… Vija veshin në murin përballë, për të thithur zhurmat a atjeshme. Ç’bëhej vallë aty? Dëgjoja në heshtje rrahjet e zemrës, jepia shenja të lehta me anë trokitjesh në mur me anë të gishtave e, pas heshtjeve të gjata, edhe me grushta… Dilja në ballkon herë pas here, duke zgjatur qafën nga ana e dhomës tjetër dhe nisa të kollitesha si një i sëmurë rënd… Më ngjante sikur asaj do i kishte ndodhur diçka e jashtëzakonshme, sikur e kishin rrëmbyer, ndëshkuar a sikur e pat përpirë dheu… Nisa t’i lutem Perëndisë me fytyrën nga ana e Kishës së madhe Ortodokse… E, ja ku ajo u shfaq në cepin e ballkonit të saj si të ishte vet Jezu Krishti! Bëri një gjest me kokë, si të thoshte se ç’kërkoja tjetër prej saj, kur më kishte afruar zemrën?! I bëra shënja si një kalama i mjeruar se doja ta kaloja përsëri “gardhin” e të gjëndesha pranë saj. Pasoi një heshtje e shkurtër. Nuk foli. Por as nuk iku të hynte në dhomën e saj. Kjo shenjë për mua, do të thoshte, as më shumë e as më pak, se më donte, se më pranonte, porse frika qe më e madhe sesa ajo humnera që ndante të dyja ballkonet, sepse po të rrëshqitja prej andej, jo vetëm që do bëhesha copa-copa, po edhe do bëhej një alarm tepër i madh. Të gjitha këto kaluan vetëtimthi para syve të mi, m’u errësua a ndriti një tjetër flakërim dhe unë u vërvita nga ballkoni im në të saj si të isha atleti më i shquar i kësaj bote tepër të ngushtë. Hymë brenda dhomës e ajo dukej me sy të përlotur… I thirra me emër, me një zë krejt të këputur dhe i ngrita të dyja duart nga ana e saj për ta përqafuar… Sonja u zmbapas ca e mbylli të dy kapakët e syve… Unë nuk jam e tillë, tha ajo dhe fjala i mbeti në fyt, pa forcën e duhur, ashtu zbehtë dhe e përgjëruar… Ashtu sikundër isha, i përfshirë mes afsheve të zjarrit që më përvëlonte, fillimisht nuk e kuptova. Por pastaj ndjeva se ajo donte të më thoshte që nuk duhej të mendoja se ajo vajzë e hasur rastësisht, e cila sapo më kishte falur të puthurën e parë, duhej gjykuar si rrugaçe!
-Oh, mos më fyej, të lutem, thashë unë pas një ofshamje që më doli nga thellësia e shpirtit. – Ç’do të thotë kjo?! Në këto pak minuta që u ndamë nga ajo djall zhurme që dëgjuam nga korridori e që desh përfundova poshtë fare, mbi kalimtarët e Rrugës së Dibrës, më ngjante dhoma bosh. Mezi pres që baballarët tanë ta ujdisin punën atje lartë sa më shpejtë, që ne të nisim studimet e të takohemi për ditë. Unë të dua! – lëshova një nga ato shpërthimet e pakoregjueshme…
-Më do ti?!- u tërhoq pak ajo.- Po kur mbërriti kjo dashuri për mua?
-Dashuria nis edhe me shikimin e parë,-nisa të profetizoja.
Po ia thashë bukur këto fjalë, me përgjërim, duke i puthur edhe duart. Pasaj duart e mia qarkuan qafën e saj bardhoshe. Nuk kundërshtoi. Sytë tani ishin aq afër, sa unë e ndjeva një hije të lëngëzuar të lodronte thellë tyre. Mu duk sikur ajo donte të qante tani, po unë bëra një nga ato gjestet kalorsiake që më ngjanin të shkëlqyera, nga ato filmat e “Majestikut” dhe i putha sytë. Pas syve, i putha faqet, majën e hundës dhe iu afrova buzëve. U tulat pas meje si një qengj i butë, i friksuar nga kushedi çfarë ujqër. Kjo dobësi femërore në të vërtetë duhet ta bëjë një mashkull, më të kujdesshëm. Por ama mua më ndiqte nga pas hija e madhe e kohës. Dhe agonia e vetmisë, po edhe ajo e befasisë, nga e cila mund të pësonim që të dy bashkë… S’kisha as orë… Sa ishte ora? Mesdita kishte kaluar me kohë dhe zorrët tona ulërinin edhe ato… Me siguri që prindërit tanë, ishin duke arrdhur të na merrnin për të ngrënë drekën, qoftë edhe një kafshatë bukë… Po ne s’donim fare nga këto gjëra… e as që të vinin kurrë! Qemë aq bukur me njeri-tjetrin… Dhe ato bursat e gjysmë bursat sikur i harruam fare!…
Sapo i preka gjinjtë e saj të mëdhenj, të plotë e të fortë. I zbërtheva bluzën dhe ajo që pashë aty kishte një bardhësi verbuese. Thithkat ishin të veckël, si të një të sapolindure. E po, mendova, kush i ka prekur tjetër? Ajo nisi të rënkonte lehtë lehtë, si një ankth që nuk shprehet, por që as kundërshtohet. Ramë që të dy në krevatin e saj, ashtu, pa u shkëputur dhe ndjeva se unë tashmë do të kryeja aktin më të rëndësishëm të jetës sime… E puthja kudo. Pastaj zgjata dorën dhe mbështolla fustanin e saj për t’ia hequr. Kundërshtoi. Po zjarri im qe aq i madh sa nuk do të mundnin ta shuanin më as një tufë zjarrëfiksash…
Papritur ndodhi diçka e llahtarshme. Një palë hapa u dëgjuan nëpër shkallët e katit të katërt. Sonja u hodh përpjetë, duke më mënjanuar me përdhunë e nisi të shtrojë fustanin e rrudhosur. Ishte aq e shpejt lëvizja e saj, sa unë kisha mbetur i gozhduar mbi shtrat, madje me pantallona të ulura…
-Shpejt, të lutem. Zhduku! – klithi ajo, duke më zgjatur duart
Atëhere u kujtova se ç’duhej të bëja. Brofa në këmbë dhe sa të hapje e mbyllje sytë u gjenda në ballkon, me patallonat zvarrë! Ajo e shtiu derën e ballkonit më kërcëllimë dhe mbylli perden me shpejtësi. Dhe më ngjau vetja për herë të parë si njeri i flakur tej. Në një të mijtën e sekondës. Se hapat mund të ishin edhe të tim eti… Duhej hedhur menjëhere në ballkonin tim. Ishte me të vërtetë një çast i vështirë. Po tashmë kërcëllitja e derës e zërat vinin nga dhoma e saj. Po hedhja ime mortale qe kryer, si e një atleti botëror e rrashë drejtë e në këmbë këtë herë.
Në çaste të tilla të ngutshme e të rezikshme koha nuk ka kurrfarë rëndësie. Ajo nuk shihet përgjithësisht, por në ankth koha ose ka kuptimin e peshën e një lisi që të bie mbi kokë ose të asgjësë. U shtriva më në fund në krevatin tim. Dhe mora pamjen e nje heroi. Sa kisha parë një film me Aleksandër Matrazovin që u hodh mbi një bunker, ku villte zjarr mitralozi gjerman… Po unë, Viktori, ç’kisha bërë për Sonjën? As që e kisha ndjerë rrezikun e asaj hedhjeje në ajër, nga njeri ballkon te tjetri. Tëpkë si një i marrosur… Befas ndjeva se diçka e lëngshme vijonte të më besdiste midis këmbëve e brofa përpjete për të shkuar në banjën e korridorit… Por jo. Nuk delja dot më. Po sikur te hapej dera e prej andej të delte ajo… ajo… me babain… ç’do të thoshte për mua që ecja si i rënduar për dreq!? Më ishte prishur djalëria!
* * *
Qe një histori dashurie e pavetëdijshme, që shkrepi e u shua po aty, në katin e katërt të Hotel “Vjosës”, përbri pazarit të vjetër, ende pa u prishur ai dhe akoma pa filluar të ngrihej kulla e parë e pesëmbëdhjetë katshit! Po mua më ndoqi si një zjarrmi deri vonë dashuria e saj, edhe kur u bëra student i rregullt i fakultetit të arkitekturës… Sonjën e bukur nuk e gjeta dot në asnjerin prej fakulteteve e konvikteve të kryeqytetit… Siç dukej i ati i saj nuk kishte mundur të nxirrte një bursë të plotë e as të paguante gjysmën e saj. E me siguri qenë kthyer nga kishin arrdhur… Medet për mua! Po ku? Nga? Si dreqin nuk e pyeta… Dija vetëm se kishte një emer rus e quhej Sonja… Dhe më mbeti “gozhda” në zemër… Po edhe thjeshtë për atë, që i ati i saj nuk e njihte as shokun Latif që dinte aq mirë t’i ndreqte këto punë të thjeshta, të cilat ngjanin aq të rënda e raskapitëse…
Nga libri me tregime “ACARI I DASHURISË”, v. 2014. Skica nga L.Bullgari