Milazim Krasniqi: VARRI I USHTARIT TË PANJOHUR
Ai varr është i njëjtë gjithkund
Në Paris në Moskë në Beograd
Si një faltore ku shkojnë të falen
Ata që nuk besojnë në asgjë tjetër
Përveç në fuqinë e krimit
Si është e mundshme që derdhen
Gjithë ato ndere
ndaj askujt ndaj asgjësë
nga të famshmit e gjithë botës
që duan të na e mbushin mendjen
me mesazhin e një varri të zbrazët
Por ai mund të mos jetë një varr i vetëm
Për një ushtar të panjohur
Mund të jetë varreza masive
e miliona të pafajshmëve
Që janë grirë si berrat
Në emër të një ideje të marrë
Dhe nuk e kanë ngritur vetë
Fitimtarët atë varr
Po e mban pezull ndërgjegja e tyre e vrarë
(Rigjetja e vetes, Arbëria, Tiranë, 2013).
Please follow and like us: