Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Rreth librit “Koha e pamëshirshme”

 

 

Letërsia publicistike

 

Ditët e fundit shkrimtari, analisti, publicisti dhe gazetari Xhevdet Shehu, pas librit “Nga janari në dhjetor”, ka dalë para publikut me librin e ri “Koha e pamëshirshme”. Në këtë libër autorin nëpërmjet mjaft analizave, problemeve dhe shqetësimeve të kohës, ngre zërin fuqishëm ndaj një problemi dhe shqetësim madhor, siç është sot problemi i historisë, e duke i vendosur shkrimtarët përballë historisë së vendit të tyre.

Me shqetësim ai ka ndjekur dhe ndjek me vëmendje shtypin e sotëm, mjaft emisione dhe bebate të fuqishme televizive, por mbi të gjitha një letërsi të shumtë publicistike të botuar në vitet e demokracisë. Në analizë të problemit së historinë e shkruajnë fitimtarët, autorit po i krijohet bindja se aksioma aq shumë e përhapur dhe tepër e lashtë në kohën tonë, na del e pasaktë, duke vërejtur ndryshimin thelbesore të kuptimit të historisë, ndryshim që autori e analizon gjërë dhe ka të bëjë me realitetin e ri historik në të cilin jetojmë.

Në shoqërinë demokratike që po luftohet të ndërtohet në Shqipëri pas viteve 1990, autori vren se kanë ndodhur përmbysje dhe zhvillime të habitshme. Ndryshimet janë të dukshme në rrafshin shoqëror dhe politik, por dhe në koncepte e në sjelljen e njerëzve me të shkuarën. Lufta në mendime dhe koncepte vazhdon për historinë edhe në kohën e sotme. Për pasojë duket se ka ndryshuar dhe koncepti për luftën, por dhe midis fitimtarit dhe të humburit. Fitimtari i hershëm nga dy luftimi, kur e mundëte kundërshtarin në fushën e betejës që nga shtiza, shpata, topuzi, pushka dhe topat, shkruante historinë e tij. Në këto ndryshime të shpejta dhe zhvillime të habitshme një rol kanë luajtur gazetarët dhe shkrimtarët.

Autori pasi analizon periudhën e viteve ’90 të shekullit XX, përqëndrohet në llojin e ri të letërsisë, që është letërsia publicistike e lëvruar për herë të parë në Shqipëri nga Ismail Kadare dhe Petro Marko. Më tej, shtjellohet se në letërsinë publicistike u përfshinë dhe Profesorët Alfred Uçi e Xhevat Lloshi. Në këtë letërsi sillen në vëmendje kujtimet e Eqerem Bej Vlora, Faik Konica, Ismet Toto dhe Tajar Zavalanit, etj., por dhe shkrimtarë Roberto Morozzo della Rocca, Jamers Pettifer dhe Miranda Vickers, etj.

“Përpara” … “Yxhym”

Në analizën që autori bën në “Unaza në kthetra si simbol”, përsëri i referohet shkrimtarit Ismail Kadarë në veprën e tij “Unaza në kthetra”. Duke u nisur nga fabula e një legjende Xhevdet Shehu nëpërmjet mesazhit të saj, se unaza si simbol, është dhe një përgjithësim artistik. Por duket qartë se unaza përfaqëson mangësi, vese dhe shenja negative që na pengojnë si shoqëri për të ecur në rrugën e përparimit. Me shumë shqetësim analizohet deri në detaje, pse po vonohet hyrja e Shqipërisë në Europë.

Europës së cilës i përkasim, na ka vendosur ca kushte, pasi ajo e shikon se ende jemi larg familjes europiane. Shkurt, kemi një “unazë në kthetra” që na pengon për të shkuar në këtë familje. Gjithmonë në këtë problem, fajin e ka e kaluara, por në analizë nuk nxjerrim përgjejgësinë tonë sot, e duke kërkuar më shumë nga vetja, se sa ankohemi nga praardhësit tanë. Unaza në kthetra ka të bëjë me mentalitetin, me cenet, me botëkuptimin, me konceptet tona si shoqëri, për një regjim të vërtetë demokratik dhe për qytetarë bashkëkohorë. Autori shprehet se “politikanët tanë kanë tjetër mëndje, ata ia dinë kimenë parasë”, siç thoshtë Hasan Zyko Kamberi. E për ta mbyllur këtë analizë autori thekson “Përpara” që në turqisht thotë “Yxhym”.

Adalente Kamaradas!

Në shkrimin “Ana më pak e njohur e Mehmet Shehut”, autori i bën një analizë të detajuar Luftës së Spanjës dhe vullnetarëve shqiptarë, që sivjet përkujtohet dhe 85 vjetori i kësaj lufte. Nga Shqipëria, Kosova e Çamëria u nisën rreth 70 të rinj vullnetarë pa asnjë mobilizim, përkundrazi në ilegalitet të plotë nga qeveria e kohës. Lufta antifashiste e Spanjës është e njohur si një luftë internacionaliste, ku u radhitën 35.000 vulnetarë nga 53 shtete të botës. Aty u gjendën dhe shqiptarët, edhe Mehmet Shehu 24 vjeç, i cili kreu detyrën e komandantit të batalionit në Brigadën “Garibaldi”.

Autori analizon shpërthimin e Lufëts civile të Spanjës, kohën në të cilën u zhvillua kjo luftë, si dhe dëshmorët e rënë nga Shqipëria të cilët ishin: Asim Vokshi, Kostë Dhimitri, Musa Fratari, Ramiz Varvarica, Teni Konomi, Thimo Gogozoto, Urif Agolli, Xhemal Kada dhe Zef Hoti. Për Luftën e Spanjës në vitin 1959 u botua një libër, ku Mehmet Shehu ka bërë parathënien e tij, sepse Lufta e Spanjës ishte parathënia e Luftës së Dytë Botërore.

Ndërsa ana e panjohur e Mehmet Shehut, siç shkruan autori në libër, është ajo e poetit dhe publicistit. Poema “Adalente Kamaradas! (Përpara shokë)”, “Himni i Brigadës së Parë Sulmuese”, “Disa kujtime nga jeta e Brigadës së Parë Sulmuese” dhe “Lufta për çlirimin e Tiranës” etj., janë të shkruara nga autori Mehmet Shehu.

Autori analizon krijimtarinë e tij në vite që nga takimi me një gazetarë amerikan, e deri tek letra e Musa Jukës për dorëzimin e fletores me vjersha të studentit Mehmet Shehu. Autori ndalet në stilin, në individualitetin e tij krijues, deri tek komunikata për popullin e Mallakastrës në prill 1943 ku theksonte se “Lirinë e kemi humbur: duhet ta fitojmë. Atdheun e kemi të robëruar: duhet ta çlirojmë. Flamurin e kemi të ulur nga fashizmi: duhet ta lartësojmë”.

Autori e ka nxjerrë të plotë portretin letrar të Mehmet Shehut në poemën “Adalente Kamaradas! (Përpara shokë)”, të cilën e ka argumentuar dhe shtjelluar në të gjithë gjerësinë dhe thelësinë e saj, sepse thekson Xhevdet Shehu, kjo poemë meriton më tepër vëmendje… Po për Luftën e Spanjës është dhe një përshkrim tjetër rrëngjethës në prozë nga Mehmet Shehu, Ebro-“Kuota 196”, që është përfshirë në kapitullin “Kujtime” të librit “Lufta e Spanjës”, e botuar në Tiranë në vitin 1959.

Në Frashër, atje ku bekohet poezia

Naim Frashëri ka thënë: “Nata atje është tjatër natë, edhe dita tjatër ditë…”. kështu e ëndërronte vendin e tij të bekuar Shqipërinë të ishte, poeti ynë i madh.

“Ankthi i shkaktuar në mëngjesin e 23 majit, për shkak të mjegullës së dëndur në Grykën e Këlcyrës e nëpër luginën e Vjosës, kishte qenë i gënjeshtërt. Ajo mjegull nuk kishte qenë gjë tjetër, veçse një trill i majit, thjesht një metaforë. Mjegulla nuk kishte qenë tjetër veçse velloja që na e bën më magjepse se fytyrën e nuses që fshihet pas saj. Ne duhej të kishim besuar të kundërtën e sendërtuar në një shfaqje ndryshe nga ajo me të cilën jemi mësuar, në një shfaqje larg zhurmave dhe rrëmujes. Ne duhej t’u kishim besuar më tepër bilbilave, këngëtarëve të parë të botës, që nuk pushuan gjithë natën e natës, duhej t’u kishim besuar shushurimave të Vjosës, që rrjedh e pastër si një muzikë simfonike e përjetshme aty pranë, duhej t’u kishim besuar tingujve dhe ngjyrave të harbuara të natyrës që na kishte mbështjellë me dashuri… Ishim në viset naimiane të poezisë… Mëndje! Merr fushat dhe malet, jashtë, jashtë nga qyteti, nga brengat, nga thashethemet, nga rrëmuja, nga rrëmeti”.

Ndaj për çmimin e Naimit, në Frashër të Dangëllisë, që është një vend i veçantë mbritën poetët Visar Zhiti, Moikom Zeqo, Koçi Petriti etj. Aty zërat e poetëve tringëllojnë ndryshe, me vargjet e mahnitshme të Fishtës, Lasgushit, Migjenit, Agollit e Kadaresë… të cilët janë në vendin e bekuar të vëllezërve Frashëri…

Risi të reja në historinë publicistike

Xhevdet Shehu tashmë me një përvojë të gjatë në fushën e krijimtarisë, ka krijuar fytyrën e vërtetë, por me një format të ri në historinë e publicistikës shqiptare. Ajo vjen e fuqishme si një stuhi e paralajmëruar, por që lë gjurmë të thella në memorien dhe kujtesën historike të shoqërisë shqiptare. Në libër gjejmë shkrime historike dhe publicistikë e cila ka nevojë për ngjarjet, luftërat, ndodhitë edhe të shkëputura, por që marrin jetë dhe ngelen të gjallë në kujtesë. Kështu në mjaft analiza, sprova dhe shënime kritike zënë vend: kufijtë e lirisë, shqiptarët dhe amerikanët!, fati i çuditshëm i krijuesit, një lis i madh që i pëlqenin edhe kallamat, Dritero Agolli: Shqipëria? Gomari para kalit etj.

Vend nderi të veçantë zënë dhe shkrimet mjaft të arrira si në romani “Bijtë e askujt”, një sagë shqiptare nga Rexhep Qosja, “Noprani” dhe rebeli Trebeshina!, apo Abaz Aliu – një hero përtej kohëve dhe komuniteteve, përmendore për Ymer Elshanin, lufta, filmat dhe… Feim Ibrahimi, Çen En Bo – ‘ambasador’ i kulturës shqiptare në Kinë, Kush e përgjonte Aleksandër Meksin?, Udhëtari i eternitetit, Arben Duka dhe Më shumë se një urim për shkrimtarin filozof Servet Pëllumbi!

Mjaft interes dhe analiza krijuese vijnë në shkrimet: një befasi e bukur, një borë e zezë që nuk rresht, vetëdijësimi si shprehje e talentit, ajgëtim në thelbin e ekzistencës së kombit, gazetari dhe politikani, njeriu me shpirtin te pemët, Ars longa, Vita brevis, një pamje e brendshme e barbarisë, klith poeti i lirisë, bota në sytë e poetit, një dëshmi për mbijetesën e poezisë, alkimistet e fjalës, “Ç’po bëhet me çështjen Çame?”, në kurthin e Rrugës së Mëndafshit, akuzat e Berishës kundër ish-shefit të CIA-s nga Qeparoi, shqiptarët e Kavallës, letërsia si pasion dhe mision, kujtesa e gurëve dhe shteti i privatizuar, etj.

Në thelb, duhet mbrojtur historia

Libri “Koha e pamëshirshme” i Xhevdet Shehut është një libër me një titull që në sistemimin e përmbajtjes së tij, autorit kështu i ka tringëlluar më natyrshëm. Ndaj dhe ky fillimviti filloi me një cikël të disa periudhave të shkruara në këto vitet e fundit. Autori në çdo shkrim ka një histori dhe shumë ngjarje të saj, me të cilat ai është marrë dhe i ka sjellë këndshëm për lexuesin, pra ai ka bërë analizë deh paraqitur mendim të kohës. Ai është marrë me historinë e popullit, me arritjet dhe disfatat, me heronjtë dhe antiheronjtë. Ai e shikon vendin e tij të pasur dhe në histori, por me shumë dritëhije, me një reliev të habitshëm dhe me një të ardhme të begatë. Autori nuk pretendon se mendimet e tij janë të përsosura, por ato të pëlqehen nga njerëzit e thjeshtë e punëtorë, e nga patriotët e këtij vendi… Nëpërmjet shkrimeve tepër interesante është munduar dhe ja ka arritur që të hedh dritë mbi të shkuarën historike, me qëllimin e vetëm, për t’u bërë barikadë në mbrojtje të perspektivës, nga ata që ende vazhdojnë të përbaltin të kaluarën.

Në shkrimet e tij Xhevdet Shehu në thelb të tyre ka të vërtetën se duhet mbrojtur historia, e shkuara patriotike dhe luftarake, por dhe e punës dhe e djersës së derdhur nga populli shqiptar në shekuj. Në shkrimet e tij që janë histori dhe tregime të së shkuarës, ka bërë që të ndryshojë stili dhe interpretimi, por jo thelbi i tyre. Ky autor aktiv dhe i palodhur ka shkruar dhe shkruan për kohën, duke e ditur mjaft mirë që nesër ai do të marrë përgjegjësi historike.

Historia shkuar Xhevdet Shehu, është pjesë e pandarë, dhe se kjo histori ndikon fuqishëm në kohën dhe në qënien tonë. Vlera shtohet sipas autorit që historinë e së shkuarës ta bëjmë pozitive në jetën tonë. Autori thekson se edhe pa ta kthejmë kokën pas nga e shkuara, por jo të mbetemi rob i saj, përsëri do të krenohemi me të. Ndaj duke marrë frymë të lehtësuar, pasi kemi lënë gjurmë, historisë i shtojmë vlera të mëdha dhe ecim përpara. Kështu ndihemi krenarë se kemi ecur në gjurmët e të parëve tanë.

Please follow and like us: