Albspirit

Media/News/Publishing

Ali Hazbia –Salihi: Mbi librin “Udhëtime muzikore në Shqipëri”

 

Sot, në këtë periudhë pensioni, shumë shokë, miq, muzikologë, profesorë dhe studiues të muzikës, intelektualë, artistë të shquar brenda dhe jashtë vëndit, më kanë nxitur që të shkruaj për inçizimet e muzikës sonë popullore: të përmbledh veprimtarinë e detyrës së specialistit të muzikës për regjistrimet e këngëve, valleve dhe melodi tona, të shprehem për përhapjen me jehonë nëpërmjet valëve të Radio Tiranës dhe ekranit të TVSH, si dhe radiove të rretheve. Ky thesar me vlera artistike të përhershme dhe të transmetueshme u bë pjesë në fondit të artë e Fonotekës së Radio. si dhe Arkivit të Televizionit.

Strukturën e librit e kam menduar duke përshkruar dhe evidentuar arritjet e vlerave muzikore të çdo rrethi të atdheut tim. Jam përpjekur të bëj një mozaik me portretet muzikore të krahinave të ndryshme të Shqipërisë. Dëshiroj që kjo ndihmesë modeste të jetë një aset me vlerë në peizazhin e pasur në bibliotekën artistike muzikore, si dhe pasuri në botën shpirtërore të dashamirësve të shumtë të muzikës. Përgjatë gjithë aktivitetit tim profesional, profesor Ramadan Sokoli shpesh më thoshte: “E zeza mbi të bardhën mbetet”. Edhe në periudhën që mendoja të filloja të shkruaja, më kanë mbështetur kolegët e vjetër dhe të rinj, si muzikanti e dirigjenti prof. dr. Eno Koço, prof. dr. Vaso Tole, prof. Dr. Spiro Shituni, mjeshtrat e mëdhej Zhani Ciko, Ermir Dizdari etj. Po kështu edhe disa intelektualë si shkrimtari Shefki Karadaku, botues i 35 librave. Xhevat Mustafa që ka botuar pesë romane dhe shumë artikuj në shtypin e përditshëm e të tjerë. Njëherësh inxhinieri, dashamirës i apasionuar i muzikës, miku i im Sokol Sinani ngulmonte duke më kujtuar se në Radio kam përjetuar shumë ngjarje që kanë krijuar emocione. “Ti Ali ke marrë pjesë në shumë veprimtari artistike që të kanë lënë mbresa. Ke shumë kujtime nga zhvillimet e muzikës sonë tradicionale, në takimet rajonale dhe konkurrimet e ndryshme kombëtare. Ke pasur bashkëpunime me artistët më të shquar të vendit. Konstatimet që ke hasur në rrugëtimin prej shumë vitesh me këtë muzikë janë vlera që  plotësojnë kureshtjen e dashamirësve të shumtë në të gjitha rrethet e skajet e vendit. Të tilla vlera të tilla të kërkuara, të zbuluara nga trashëgimia jonë autentike dhe të kaluara në dorë në përditshmerinë e punës tënde, nuk ka patur rast t’i përjetojë specialist tjetër”, më nxiste Sokoli. Këto dhe të tjera bashkëbisedime më shtynë të mendoj seriozisht për të hartuar këtë vepër, që me modesti shpresoj t’u shërbejë brezave, për të kujtuar rrugëtimin e muzikës tradicionale shqiptare.

Pra, vendosa të provoj të shkruaj. Në përshkrimet e mia nuk dëshiroj të merrem më kritika, të cilat na kujtojnë Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të kohës së Realizmit Socialist të shekullit të kaluar. Megjithëse duhet pranuar se kritika reale është e munguar. Kur ajo është e shëndetshme, e argumentuar dhe profesionale i shërben rritjes së cilësisë së vlerave në çdo aspekt të jetës, duke përfshirë edhe atë të të artit muzikor.

Në botimin e këtij libri dua të shpreh mendimet e mia për atë çfarë më kanë bërë përshtypje dhe më kanë lënë mbresa. Dua të shkruaj përjetimet dhe konstatim në punën 31-vjeçare me muzikën tradicionale të vendit tim.

Nuk dua të “fsheh” apo të mëshiroj ata që nuk arrinin nivelet e vlerave të kërkuara muzikore, apo dhe ata që shpërdoronin mbi vlerat e muzikës sonë popullore. Në mendjen time shtjellohen shumë ide dhe përmes tyre vendosa të ringjall lidhjet që kasha me drejtuesit e kulturës, me muzikantët krijues, artistët interpretues të rretheve e më shumë. Të rikujtoj e të bashkëbisedoj me ta për rrugën që kemi përshkruar me artin e muzikës tradicionale. Këto kujtime e përsiatje në kohë më kujtojnë mon’ e shkuar, më emocionojnë dhe më bëjnë krenar për çka kam arritur me shumë mund, passion, emocion me plejadën e vjetër të teknikëve të Radio Tiranës.

Please follow and like us: