Albspirit

Media/News/Publishing

Djegia e Kuranit në mes të Stokholmit është “liria e shprehjes” që vjen nga Rusia

Nga Shaban Murati

Shënim nga blloku diplomatik

Kur një ekstremist i djathtë, shtetas suedez, në 21 janar 2023  dogji librin e shenjtë të Kuranit në mes të Stokholmit, levantinët tinzarë nga Stokholmi në Tiranë nxituan ta marrin në mbrojtje, duke deklaruar se kjo është “liri e shprehjes”.

Nuk i bënë fare pyetjen vetes përse ekstremisti i djathtë në emër të “lirisë së shprehjes” po digjte vetëm Kuranin dhe nuk digjte as Biblën dhe as Torahun.

Shpjegimin e kësaj “lirie të shprehjes” e dha shpejt në 28 janar ministri i jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto, i cili deklaroi se hetimet për ngjarjen çuan në lidhjet e atij ekstremisti me Rusinë. Në një intervistë në televizionin finlandez ministri i jashtëm i Finlandës deklaroi:

“Ngjarja ngren pikëpyetjen nëse një palë e tretë, për shembull Rusia, e cila kundërshton anëtarësimin në NATO po provokon që t’ia arrijë kësaj. Kjo është e pafalshme”.

Rusia ka organizuar aksionet e djegies së Kuranit për të penguar hyrjen e Suedisë në NATO nëpërmjet acarimit të marrëdhënieve midis Suedisë dhe Turqisë me një provokacion fetar antimysliman në Stokholm.

Edhe kryeministri  i Suedisë, Ulf Kristersson, deklaroi në 28 janar se ka forca brenda dhe jashtë Suedisë, që duan ta mbajnë vendin jashtë NATO-s.

E vërteta, që zbuloi ministri i jashtëm finlandez, i dogji shumë Moskës. Në 29 janar 2023 zëdhënësja e MPJ të Rusisë, Maria Zaharova, me deklaratë të posaçme u përpoq ta përgënjeshtronte ministrin e jashtëm të Finlandës, që “vendosi lidhje të Rusisë me djegien e Kuranit, dhe se Rusia është e përfshirë në aksionin e djegies së Kuranit”.

Jo rastësisht ndodhi provokacioni tani, kur nga shtetet anëtare të NATO-s ka mbetur vetëm Turqia, që duhet të japë konsensusin e saj për hyrjen e Suedisë në NATO.

Pas këtij provokacioni fetar në Stokholm, u bë e ditur nga Ankaraja se Turqia do ta veçojë Finlandën nga kërkesa e përbashkët me Suedinë për anëtarësim atlantik dhe do të miratojë vetëm hyrjen e Finlandës.

E ashtuquajtura “liri e shprehjes”, që vjen nga Rusia në disa kryeqytete perëndimore, është vepër dhe nxitje e shërbimeve sekrete ruse për të bllokuar zgjerimin e NATO-s në Veri të Europës. Në plan afatshkurtër Rusia me këtë provokacion fetar synon të ndalojë anëtarësimin e Suedisë në NATO. Në plan afatgjatë synon të shkaktojë trazira sociale në shtetet perëndimore dhe një nxitje të konflikteve dhe luftrave fetare në shkallë ndërkombëtare.

Edhe apologjia e levantinëve për provokacionet fetare antimyslimane si “liri e shprehjes”, që vjen nga Rusia, sponsorizohet nga Rusia./gazeta dita

Please follow and like us: