Albspirit

Media/News/Publishing

Gjelok Marko: Të parandalojmë holokaustin ndaj shqiptarëve

Adolf Hitleri fillimisht nuk ish askushi në Gjermani. Nuk ishin të paktë ata që talleshin me të. Edhe kur ai i shpalli hapur idetë e tija në librin e tij “Mein Kampf” shumë vetë nuk e morën seriozisht. Ishin vitet 1924 e 1925. Po Hitleri e vazhdoi me ngulm propagandën e tij, krijoi partinë e tij. Fillimet ishin tepër modeste, por Hitleri e vazhdoi me vendosmërinë e një fanatiku të çmendur. Dhe historia ka vërtetuar shumë herë se vendosmëria e fanatikëve të çmendur, në qoftë se nuk luftohet si duhet që në fillimet e saja, pushton turmat, mposht arsyen, drejtësinë, të vërtetën dhe bën gjëmën. Në atë kohë pati shumë hebrenj, intelektualë, personalitete të fesë hebraike, etj të cilët u alarmuan. Ata shkonin në sinagoga dhe në takimet e ndryshme të hebrenjve dhe paralajmëronin. Nga ana tjetër dolën intelektualë e drejtues të tjerë religjozë të cilët për arsye të ndryshme mendonin se ish misioni i tyre të luftonin personat që paralajmëronin për rrezikun. Ata talleshin me këto paralajmërime dhe i mbushën mendjen shumicës se idetë e çmëndura  të një personi nuk mund të triumfonin mbi idealet e larta të bashkëjetesës në paqe e harmoni, mbi logjikën etj, etj. Shumica e hebrenjve në atë kohë u besuan argumenteve të grupit të dytë. Shumica e hebrenjve në atë kohë madje i talli ata që i paralajmëronin për rrezikun. Ata që u alarmuan me kohë, patën mundësinë të largohen nga Gjermania dhe shpëtuan. Të tjerët e kuptuan gabimin e tyre shumë vonë. Në pak fjalë kjo është historia e Holokaustit të hebrenjve. Por a na takon vetëm ta kujtojmë e të nderojmë kujtimin e Holokaustit, apo na duhet të mësojmë prej tij?

Ne shqiptarët kemi fqinjë serbët. Prej shekujsh ideali politik i sërbëve ka qënë zhdukja e shqiptarëve. Ideali themelues i shtetit serb, ideologët e shkrimtarët më në zë të kombit serb kanë propaganduar e propagandojnë ende zhdukjen e shqiptarëve, turmat edhe sot thërrasin: “Dhoma gazi për shqiptarët”!

Edhe ne, si hebrenjtë dikur në periudhën para holokaustit, kemi intelektualët tanë që na thonë se bashkëjetesa, heqja e doganave, “Ballkani i hapur” etj do të zhdukë çdo paragjykim dhe do të daravitë si me magji urrejtjen. Bashkëjetesë fqinjësore ka patur prej shekujsh midis shqiptarëve dhe serbëve, po kjo bashkëjetesë nuk ka mjaftuar për të zhdukur paragjykimet, urrejtjen e racizmin. Gjithashtu, sapo u  krijua, shteti serb zgjodhi të ketë si propagandë zyrtare zhdukjen e shqiptarëve. Faktet e dokumentat flasin qartë. Menjëherë në shkollat serbe, sipas propagandës zyrtare të shtetit serb mësohej se shqiptarët ishin racë inferiore, se ata madje kishin edhe bisht, etj, etj. Intelektualët serbë mundoheshin të bindnin gjithë botën për këtë.Dhe kjo vazhdoi deri vonë. Edhe Fan Nolit iu desh të përballej e të debatonte rreth këtyre ideve. Më vonë u propagandua se lufta e përbashkët antinaziste do të mposhte armiqësitë, do të zhdukte paragjykimet, por ndodhi e kundërta. Pastaj u propagandua se bashkëjetesa midis shqiptarëve dhe serbëve në kuadrin e Jugosllavisë, nën idealet e vllazërim-bashkimit do të sillte vllazërim të vërtetë midis shqiptarëve dhe serbëve. Të gjithë e dimë se çfarë ndodhi. Pikërisht gjatë kohës së vllazërim-bashkimit, nga vetë zyrtarët  e Qeverisë Jugosllave hidhej helm në klasat ku mësonin nxënësit shqiptarë, studenteve shqiptare, nën maskën e vaksinave, u bëheshin injeksjone sterilizimi, etj. Gjithë këto vite vllazërim-bashkimi nuk ndryshuan asgjë, përkundrazi. Pikërisht pas këtyre viteve “vllazërim-bashkimi” erdhi në pushtet Millosheviçi, Hitleri i Ballkanit. Sot, i zgjedhur me shumicën e votave të serbëve, në Serbi sundon Joseph Goebbels-i i Millosheviçit, Aleksander Vuçiç. Kushdo e sheh qartë se strategjia Millosheviçjane e shtetit serb nuk ka ndryshuar. Vuçiçi thotë hapur se serbët duhet të mësojnë nga gabimet e Millosheviçit dhe duhet të ndryshojnë taktikat. Për ndryshimin e strategjisë e synimeve shoviniste as që bëhet fjalë. Serbia ka të njëjtën ideologji shtetërore antishqiptare sot, ashtu si në periudhat më të errëta të historisë. Po ashtu ka të njëjtën Kishë Zyrtare e cila ata që vrisnin e masakronin shqiptarët i shpallte shenjtorë. Asgjë nuk ka ndryshuar. Si na qënka e paarsyeshme të mendojmë se nga një Serbi e tillë, nga një popull i helmuar nga ide të tilla prej shekujsh, nuk kërcënon asnjë rrezik për shqiptarët?

Por, rreziku më i madh për Shqipërinë e shqiptarët vjen nga brenda. Sot kryeministri Edvin Rama i ka hapur çdo derë Serbisë, madje si pasjojë e politikës së tij pengohet futja në Shqipëri e firmave farmaceutike serioze dhe farmacitë shqiptare janë mbushur me medikamente që importohen nga Sërbia. Po është e vërtetë se në kohën e Jugosllavisë ka ndodhur që nën maskën e vaksinimve të rinjve shqiptarë tu bëheshin injeksione sterilizimi, po sot , na garanton Rama, gjëra të tilla nuk do të ndodhin kurrë… etj, etj, etj…

Bëmë mirë që përkujtuam e nderuam viktimat  Holokaustit, po a kemi mësuar prej tij?

Një nga të mbijetuatit e Holokaustit në një intervistë e pyetën: Çfarë ke mësuar, çfarë parlajmërimi u jep të rinjve? Ai u përgjegj: Merrini seriozisht shënjat paralajmëruese dhe bëhuni aktivë, veproni para se të jetë vonë!

A ka shënja paralajmëruese se shqiptarët i kërcënon rrezik nga Serbia?

Sot Serbia sundohet nga Joseph Goebbels-i i Millosheviçit. Asgjë nuk ka ndryshuar në sitemin e propagandës, në synimet srategjike, etj. Atë që desh të bënte e të arrinte Millosheviçi synon ta bëje edhe Aleksander Vuçiçi. Nuk ka asnjë dyshim për këtë. Ai vetëm përpiqet të gjejë mjetet dhe kohën e duhur.

A i kërcënon rrezik shqiptarët nga brenda? Për këtë secili duhet të analizojë në bazë të fakteve politikën e veprimtarinë e qeverisë shqiptare dhe të kryeministrit të saj. Duhet të analizojë gjithashtu edhe personat që bëjnë propagandën zyrtare. Fakt është që kemi disa gazetarë e komentatorë, si për shëmbull Baton Haxhiu, të cilët gjithmonë mundohen të na bindin se duhet të pranojmë çdo plan e sugjerim që na vjen nga Serbia. Fatkeqësisht këta persona, pavarësisht se janë diskretituar në sytë e publikut, përsëri lejohen të flasin pa pengesë. Askush nuk i analizon, nuk kërkon të bëhen hetime për burimet e të ardhurave të tyre, etj. Ata lejohen të flasin, të bëjë propagandën e Joseph Goebbels-it të Millosheviçit nëpërmjet stacioneve televizive shqiptare. A nuk ka ardhur koha t’i analizojmë personat që na bëjnë propagandën zyrtare, të shohim nga vjen gjithë ai zell për të na mbushur mëndjen se planet më të mira për shqiptarët na u gatuakan në Beograd e në Moskë?

A nuk ka ardhur koha të analizojmë politikanët e të gjitha partive, vendimet e qeverisë e veçanërisht veprimtarinë e kryeministrit Edvin Kristaq Rama sipas përvojës që na mëson Holokausti? I mbijetuari na ka lënë këtë amanet: Merrini seriozisht shënjat paralajmëruese dhe veproni! Veproni para se të jetë tepër vonë!

Please follow and like us: