Ismail Xhaferi: Mos i lyej flokët!
Foto ilustruese
Ti grua e lodhur, ti grua e bukur
Mos i lyej thinjat!
Tek thinjat është udha e jetës sate,
Janë dhimbjet, psherëtimat.
Mos i lyej flokët, të lutem mos i lyej,
Leri ashtu të zbardhur si retë!
Atje janë netet e tua pa gjumë,
Për të rritur vajzat dhe djemtë.
Mos i lyej flokët, o grua fisnike,
Edhe pse janë zbardhur mos i mbaj fshehur!
Aty është pëllëmba e ashpër e burrit,
Qē të goditi një natë kur erdhi i dehur.
Mos i lyej flokët, por leri siç janë!
Aty është pesha që ke mbajtur mbi supe,
Aty është lufta jote dhëmbë për dhëmbë me jetën,
Me fitore dhe humbje.
Mos i lyej flokët, por leri siç janë!
Të zbardhura pas shembjes së një ëndrre,
Aty është një dashuri e vrarë,
Dikur, në rininë tënde.
Të lutem, mos i lyej flokët,
Ti nënë, ti motër, ti grua!
Lëri ashtu siç i ke mbi supe,
T’i shikojnë të gjithë sakrificat e tua!
Të lutem, mos i lyej flokët,
Ti grua e bukur si lulja e zambakut,
Lëri të duket sa i vogël është një burre para teje,
Lëri të duken njollat e gjakut!
Mos i lyej flokët!