Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Gropa e Prishtinës në fundjanar

Prishtina është qytet i ndërtuar në një gropë. Kur e sheh relievin e saj, të duket sikur mendësia e gropës i ka kurthuar mendimet e saj dhe ngërthen diçka fatale.
Në vitet e nëntëdhjeta, Prishtina kishte një elitë që ia doli të dilte prej grope, u bë elitë e metropoleve dhe u përqafua nga metropolet.
Por sot duket sikur gjithçka është kthyer kryengulthi. Dhe në këtë gropë janë kurthuar fatet tona.
Ka dëshpërim dhe mërzi pafund, tek të gjitha shtresat e pa kurrfarë dallimi.
Dhe këtë e shprehin të gjithë: nxënësit, mësuesit, taksistët, kamerierët, floktarët, politikanët…
Dhe sot, në këtë fundjanar, në këtë gropë të madhe, pakkush mendon se vendi i tyre mund të bëhet më i mirë. Për mua, kjo është tragjedi në vete, më e frikshme se asociacioni, marrëveshja e mundshme me Serbinë, të cilën dikush me epsh e predikon si të keqe e dikush si jo të kënaqshme.
Vërtet, Prishtina është katandisë në një gropë të frikshme ideologjike. E ka humbë besimin në vetvete dhe në të tjerët.
Ajo sot nuk ka vizion për zhvillimin e vendit dhe as për paqe. Nuk di kah do të shkojë.
Ajo udhëhiqet e shtytur nga një epsh ideologjik të cilit i ka dalë boja qëmoti.
Për të e në emër të saj flasin disa mendjengushtë e robë të ideve të mjera.
Po, Prishtinën e ka mbuluar smogu i ideve të këqija e të shkreta.
Dhe këto ide të këqija, të vogla e të shkreta, pa vështirësi gjejnë hapësirë në sferën publike dhe bëhen standarde publike. Që domethënë bëhen ushqim për qytetarët e gjithë vendit.
Ka rrëmujë e mendime të rrëmujshme.
Mungon gjallëria kulturore dhe mbretëron një zymtësi e frikshme.
Ikja është kthyer në kryetemë.
E, përballë këtij realiteti edhe njerëzit më racionalë duken të habitur e të shtangur.
Sepse, shpjegime racionale e as me bazë empirike për këtë kurthim nuk ka.
Prishtina, si qytet është ndërtuar në një gropë, me rrugë të ngushta, trotuare të ngushta, por dikur ajo kishte njerëz më mendje hapur.
Sot rrugë ka më shumë, kodrat kanë filluar të stërmbushen me ndërtime, por njerëzit duken të katandisur në gropë.
Dhe dihet, gropat ideologjike janë të tmerrshme e të frikshme. Ato i bëjnë njerëzit mendjengushtë e mendjekëqij, sepse në gropë njeriu sheh pak ose aspak.
Dhe ushqehet me dromca kulturore e politike që të tjerët i hedhin nga lart.
Të mësohesh me jetën e gropës është si të mësohesh me çjetën.
Në këtë fundjanar, politika dhe frika kanë hyrë në çdo shtëpi dhe kanë trazuar midenë e një populli të stërvuajtur dhe atyre u kanë zënë vendin fjalë të këqija e mendime që burim kanë llumin.
Flitet për kacafytje, luftë, pasiguri dhe nuk flitet për paqe, solidaritet e zhvillim.
Mehr Licht, kërkonte dikur Goethe i madh.
Më shumë dritë, duhet të kërkojë sot Prishtina.
Dhe drita nuk vjen përsa kohë nuk vetëdijesohemi se jemi në terr.
Për sa kohë nuk synojmë të ngjitemi në lartësi.
Për sa kohë vetëkënaqemi në mbretërinë e tallavasë, mbretëri kjo që po shkallmon jetën tonë dhe po thanë idealet e një brezi të ri që rrugën e ikjes e ka zgjedhje parësore.
Please follow and like us: