Shefki Karadaku: Pafundësi ndjesish shpirtërore në librin e Ali Hazbisë
Miku im i vjetër qysh në vitet studentore Ali Hazbia – Salihi, kohët e fundit më surprizoi me njoftimin se do të botonte kujtimet e veta si redaktor përgjegjës i muzikës popullore në Radio Televizionin Shqiptar. Ishte një lajm fort i këndshëm për mua. E mora me mend se nga i kishte ardhur mendimi i botimit: ndoshta se shpesh duhet të humbësh diçka, që të dish ta vlerësosh. Po veniteshin deri në zhdukje regjistrimet e asaj homeriade të madhe shqiptare, dokumentuar gjatë viteve në RTSH. Gjithçka vrapoi lehtësisht pas fitimeve, kur filloi të punonte “agregati i akullt i biznesit”, i cili po grinte dita-ditës. Kjo ishte ndoshta një nga arsyet themelore, se ai ndodhej tashmë shpirtërisht në zemër të kësaj zeje artistike. Mbarimi me sukses i kësaj pune të madhe, sipas meje, do t’i vinte në ndihmë Arkivit Muzikor të Radios, që fillimisht raftet i kishte bosh e, me kalimin e viteve, etazheret u mbushën me shiritat e civitë e regjistruara me artin e muzikës popullore shqiptare. Në rrjedhshmërinë e viteve ato sistemoheshin në kutitë e muzikës sipas krahinave të rretheve. Kështu, thjesht e befasisht, e nisi këtë rrugëtim të madh ky njeri i përkushtuar, studiues skrupuloz dhe i sinqertë.
Në vazhdim, vit pas viti, ky fond i çmuar si diamantet, i shpërndarë në një terren dhe kohë dramatike, u kodifikua me qindra e qindra specifikime këngësh, vallesh dhe melodish popullore. Ato zinin vend si dallandyshet në një tel, ndrisnin të thjeshta, mbartnin secila histori të veçanta të jetës së popullit tonë, në disa rafte dërrase, të bëra me ngut nga meremetuesit e zellshëm të radiotelevizionit. Më tepër atë e ngazëllonte jo vendi që zinin, por kadenca e tyre artistike e hollë, magjepsëse, pasuria me përmbajtje të larmishme, për dëgjuesit e shumtë dhe teleshikuesit. Ato i dëgjonin me kureshtje të shtuar në ditët në vazhdim. Dhe tani, tek pijmë ato kafe mëngjeseve çdo ditë të enjte, bisedojmë çiltërsisht për hallet dhe problemet e këtyre tridhjetë viteve demokraci të shtirë, japim edhe ndonjë sugjerim të rastit për pamjen e librit, për kopertinën dhe gjëra të tjera tipografike, që miku im i mirëpriste, sepse ai libër i kishte hyrë në shpirt, si një hajmali e shenjtë dhe se prekja e saj fizike e mbushte me emocion të patreguar.
Pata fatin të lexoj një nga kopjet e bëra nga laptopi i tij, që më la një shije të mirë si një ëmbëlsirë e pjekur me kujdes e përkushtim. Libri qe shkruar me një stil të thjeshtë, si një bisedë e këndshme, ndërsa nga ana profesionale, qe shtjelluar me një terminologji të veçantë, shumë afër semantikës artistike popullore dhe asaj të kultivuar. Kjo ia ngrinte vlerat nga ana e saktësisë teknike, artistike dhe profesionale.
Interesante m’u duk edhe vendosja e lëndës letrare, e ndarë në dy pjesë kryesore: pjesa e parë, muzika popullore e Shqipërisë së Veriut dhe, pjesa e dytë, muzika popullore e Shqipërisë së Mesme dhe asaj te Jugut.Por, ajo që e bën këtë botim edhe më të vyer, ështe shtrirja dimensionale në kohë e këngëve. Në të zënë vend shfaqje muzikore të ditës, festival kombëtare të këngës, festivale folklorike, festivale të këngës së fëmijëve në rrethe dhe koncerte të karaktereve të ndryshme. Gjithashtu, zënë vend edhe ato që mbarten nga epoka edhe më të vjetra, interpretuar nga rapsodë virtuozë dhe orkestrina. Tek përshkoj me mend gjithë atë pasuri të çmuar dhe të regjistruar, nuk mund të mos përsëris mendimin, se është pikërisht ajo periudhë kur punonte Aliu, që mundësoi përjetësimin e atij arti.
Përfat të keq, më vonë ky përqëndrim mjetesh e pajisjesh u shpërbë, porsa filloi të punonte agregati i bisnesit. Pushuan si me magji regjistrimet e asaj homeriade të madhe shqiptare. Aliut dhe kolegëve të tij të punës do t’u duheshin mbi tridhjetë vjet për të përmbyllur këtë thesar inçizimesh të paçmuara. Por ndryshe nga gjeneralët që e nisin luftën dhe nga vdekja e ushtarëve të tyre fitojnë lavdi, Aliu na sjell në kujtesë një art që rrezëllin me miliona nota muzikore e shumë e shumë melodi të bukura, plot freski shpirtërore.Fati i madh e kishte graduar udhëheqës të asaj plejade këngëtarësh dhe këngësh popullore të pafund, që janë tëpërjetëshme. Sa donte të dëgjohej serish jehona e atij arti të madh!
Në jastëkun ku mbështeste kokën çdo mbrëmje, i këndonte së brendshmi lahuta, fyelli, dyjarja, çiftelia, zumarja etj, gjë që i jepte atij një qetësi dhe veshtrim të butë. Ai ishte fatlumur i kësaj toke plot idioma notash muzikore e veglash folklorike. Nuk i hynin në sy shpërblimet e kohës, si medaljet dhe diplomat prej letre, por forca e asaj ushtrie të pafund artistike që zgjohej përherë në vigjiljen e epokave plot jetë e dimesnsione artistike. Ajo që u arrit në rrugën e gjatë të punës së tij ndiçon si llampadar gjigand. E tillë do të mbetet në përjetësi. Dhe jam i sigurt, se këtë rrugë për artin muzikor shqiptar do ta ndjekin me dashuri studiues të rinj.
Shkurt 2021.
Ali Hazbia –Salihi: Mbi librin “Udhëtime muzikore në Shqipëri”