Albspirit

Media/News/Publishing

Kristaq Balli: Korça në letërsinë e prozatorit, Mihallaq Maçko

 

Para pak ditësh u nda nga jeta Mihallaq Maçko, shkrimtari prozator, mjeshtri i pasionuar i elektronikës, intelektuali, qytetari, miku dhe shoku i mirë i njerëzve të shumtë që e njohën dhe e respektuan atë deri në fund të jetës së tij të gjatë me aktivitet të pasur krijues dhe shkencor.

Mihallaq Maçko u lind në qytetin e Korçës më 29 korrik 1933 në një  familje korçare me tradita qytetare e intelektuale. Babai i tij ishte komisioner banke dhe njohës i disa gjuhëve të huaja, ndërsa nëna, mbesa e peshkopit Çamçe, patrikut të njohur atdhedashës.

Pas një fëmijërie të vështirë për shkak të burgosjes së të atit, i detyruar të punojë qysh i vogël dhe pa mundur të shkollohet në moshën e duhur, por me një formim e edukatë familjare e qytetare për t’u admiruar, me cilësitë e një njeriu të ndershëm e punëtor, me ëndrra të mbetura në të kaluarën, ai kreu studimet e tij shumë vite më vonë në fushën e tij të preferuar, elektricitetit dhe elektronikës.

Me vullnet e dashuri për të ecur drejt një profesioni të ri, ndryshe nga punët e rënda që kishte bërë më herët, arriti të bëhet përfaqësues i Uzinës së Radio Televizorëve, Durrës për qytetin e Korçës me qëllim konsolidimin e problemeve teknike e shkencore të televizorëve të parë shqiptarë. Gjatë kësaj kohe e deri sa doli në pension, ai shkroi  e botoi njëri pas tjetrit shtatë libra të elektronikës duke avancuar e ndjekur të rejat e shkencës në fushën novatore të njohjes, riparimit e stabilizimit të televiozorëve bardhezi e më vonë të atyre me ngjyra. Disa prej titujve të tyre janë” Televizori, difektet dhe riparimi i tyre”, 1977, “Si të përdorim e të mirëmbajmë televizorin”, 1979, “ABC-ja e gjysmëpërçuesve”, 1979, ”Transistorët e tiristorët”, 1987, ”Riparimi i  aparaturës elektronike industriale”, 1987 (bashkautor). Për punën, pasionin, vullnetin dhe novatorizmin e tij iu dha Titulli ”Mjeshtër” edhe pse ishte një inxhinier “pa dilpomë”.

Po ashtu penda e tij letrare, prirja dhe pasioni i tij më i madh krijues, kishte filluar shumë herët të gërvishte papiruset e kujtimeve të tij emocionale. Ai pati botuar që në vitet ’70 disa tregime por ato dhe krijimtaria e tij, për shkaqe të së kaluarës, nuk u mbështet, nuk u vlerësuan, përkundrazi u dekurajuan deri në shpërfillje. Por nuk u shua  zjarri që digjej brenda vatrës së shpirtit. Ëndrrat e pasioni i njerëzve me botë të pasur e të thellë nuk vdesin edhe pse të sedimentuara, ato ringjallen si vizione nga e kaluara e shpërthejnë në një realitet të ri, me kujtime e frymëzime të ripërtërira për t’u kthyer në realitet artistik jo vetëm për veten, por për të rrezatuar me vlerat e veta edhe më tej në botën shoqërore e kulturore të mjedisit rrethues. Mihallaqi rifilloi të shkruajë në gjininë e tij të preferuar por edhe të vështirë  të prozës, tregime, novela, romane  atëhere kur prania e demokracisë e çliroi nga çdo stepje e  barrierë e mëparshme. Objekt i krijimtarisë ishin kujtimet e tij autentike të adoleshencës e rinisë ndaj tablove të jetës historike, ekonomike, shoqërore e kulturore të qytetit të Korçës para dhe pas çlirimit, por edhe ato më të freskëtat e aktualet nën këndvështrimin artistik të vetin. Me vullnet, përkushtim e punë të palodhur falë stoicizmit e disiplinës së tij spartane, ai botoi në një periudhë të shkurtër nëntë libra në prozë. Ai shkruante me frymëzim, lirshëm, rrjedhshëm, pa u sforcuar, në mënyrën e vet origjinale, ashtu siç e zotëronte edhe veçorinë brilante të tregonte gojarisht me ngjyra e detaje të larmishme historitë e tij për ngjarje e bëma që lidheshin me tablotë dhe sfondin e pasur të qytetit të Korçës. Ai kishte gjithashtu një humor anekdodik në mënyrën e të treguarit e zbukurimit të tij imagjinar me detaje e trillime të krijuara spontanisht. Këto veçori pasqyroheshin edhe në krijimtarinë e tij, sidomos në kompozimin dhe përshkrimin figurativ të situatave jetësore, të portretizimit të personazheve e marrëdhënieve të tyre, të përshkrimit të mjediseve shoqërore, tregtare e argëtuese, apo kulisave të fshehta të jetës misterioze të natës, kumarit, dritave të kuqe, tipave të veçantë me famë e imunitet si të mefshtë, apo budallenj të zgjuar, që zbulonin padashur gjithë tymnajën e thashethemet e jetës së errët e misterioze të qytetit prapa kuintave. E në të gjitha prozat e tij gjallon një hero, që edhe i krijuar në mënyra të ndryshme e në funksion të përmbajtjes, është padyshim antikonformisti të cilit i përket emocionalisht kjo krijimtari me nota të theksuara autobiografike.

Nga botimet e tij spikatin trilogjia “Era e qytetit tim”, romanet “Balada e dhimbjes” dhe “Hija e Madam Pengenikës”, librat me tregime “Ngricat e Marsit”, “Rrëmujëmadhja”, etj.

Si shkrimtar, Mihallaq Maçko zbaton metodën e realizmit të drejtpërdrejtë, pa paravoli e nëntekste, ai pohon por edhe mohon fort. Ai paraqitet koherent me egon e tij, ashtu si e ka jetuar edhe jetën me plot probleme, peripeci, kontraste e ngjyra të forta. Në interpretimin artistik të të treguarit ai është produkt i traditës së dalluar letrare prozaike të Shqipërisë Juglindore, të narracionit të M. Kutelit, S. Spasses, S. Andonit, T. Laços, P. Zotos, etj. Ai la, gjithashtu, të pabotuara  edhe  disa dorëshkrime të tjera.

Sigurisht nga pikpamja e vlerave artistike, krijimtaria e tij do të ishte edhe më e spikatur, sikur atij të mos i mungonte formimi akademik letrar, të cilin ai u përpoq ta plotësonte nëpërmjet studimit e leximit të tij sistematik edhe nëpërmjet gjuhëve të huaja dhe për këtë arsye ai nuk pajtohej dot të shkruante   sipas metodës së realizmit socialist.

Humbja e tij u la një brengë gjithë kolegëve e miqve të tij artistë, admiruesve të tij të shumtë, opinionit qytetar të Korçës, pasi ai mbeti deri në fund të jetës shembulli i një zejtari të ndershëm, të rëndë, dinjitoz, si edhe i një zotërie plot pasione e virtyte intelektuale, shkencore, por edhe me kontribute origjinale letrare e artistike ndaj vendlindjes dhe bashkëqytetarëve të tij. Për këto arsye atij i takon vlerësimi, nderimi, respekti e një lamtumirë paharrim ndaj figurës dhe veprës që na la.

 

Please follow and like us: