Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Bledar Koçi

SHOKËT

 

U lodhën shokët.

Në torbat e tyre nata kish mbledhur thërrimet e çyrekut të fundit.

Fytyrash ngërdhéshur, të nxira, një flakëz rrëmonin mbi kupat e gjunjve me koka shkrepësesh të lagura…

U lodhën shokët, u lodhën.

– Duket afër ajo kasolle – tha dikush dhe një  hije shprese e gënjeshtërt tek flinin syhapur ngatërrohej këmbëve të mpira.

U lodhën, u lodhën…

Një guvë e gurtë i pështolli trupave mavi të shtrirë pranë e pranë në ëndrra diejsh ledhatarë…

Aty mbetën.

S’u zgjuan asnjëherë… teksa kthehej tjetra natë t’u mblidhte çka mbetën të vetme.

Buzëqeshjet e ngrira.

 

ADEM JASHARIT

 

Ç’i ngriu një nur

Madhorit në Gur.

 

Mbi supe ndez sharku

Rënduar prej gjaku.

 

Gjoks – pleksur gjerdani

Në gjalm’ xhamadani.

 

Nxirë mjekrra barotit

Shkund predhën e mortit.

 

Në ç’sy fle rrufeja

Të t’çojë ndër beteja…

 

Një shprese ti prije

Me djepe lirie.

 

Drejt ëndrre që nget

Të shenjtë amanet.

 

VIRTUALE

 

Kjo natë e përdalë

nën qelqe neoni,

zbraz puthje si shemër

me buzë silikoni…

……

Pa njohur, e njohu,

pa ditur, e gjeti.

Në udhë satelitësh

përtej kontinenti.

 

Ç’ekrane të akullt

që hapen si shtretër.

Ku shtrihen figura

ca lule dhe dreqër.

 

Premtime premtuan,

dhe qeshën plot gaz.

Gënjeshtrash gënjyen

mesnatës maraz.

 

U deshën, u grindën,

Së largu u shanë.

Sapak u përleshën,

me germa mbi xham.

 

Dhe humbën të humbur

(As agu s’i priti)

Ekranesh që fiken

në udhë sateliti.

Please follow and like us: