Cikël poetik nga Mevi Rafuna
Gruaja në kryq
Ajri i rënduar që mezi e thithte,
Dalëngadalë po e mbyste,
Këmbëzbathur ecte në rrugën me baltë,
ku po i shkelte ëndrrat e saj.
Kishte kohë që i lutej vdekjes
Kishte kohë pa dashuri.
Mes grumbull plehrash, dikur shkëlqente si një lule,
plotë gjallëri, plotë pasion,
që toka një natë e mbuloi me gjak.
Sytë që dikur i shkëlqenin tani vështronin trembur.
Klithmat e saj të dhimbjes ishin melodia e vetme,
e një bote të shthurur.
Lakuriq ecte mes vampirësh që ja thithnin shpirtin.
Fytyra e saj e zbehtë,
kërkonte pak mëshirë.
Edhe dielli e kishte tradhëtuar.
Një fillim i ri
Përpiqem të shoh përtej
një ndjesi e re më ngacmon
edhe pse gjithçka është shkatërruar tashmë.
Se besoja kurrë që isha aq e fortë.
Fytyra ime prapë e ktheu shkëlqimin e humbur,
trishtimi më rrëmbeu dikur.
Isha një ushtare pa armë,
duke luftuar me fatin.
Ndjej se asnjëherë nuk kam jetuar!
Në kaltërsinë e qiellit dua të shkrihem,
e më pas të kthehem
për të filluar nga e para.
Luftëtarja e dritës
Në frikën e saj, ajo e gjeti guximin,
Fati i saj ishte shkruar diku larg.
Një pasion i çmendur
e joshte drejt të panjohurës,
nga butësia e shpirtit
i rridhte forca.
Në mes njerëzish frymonte,
por askush nuk arriti ta njohë.
Ajo ishte e bukur si dielli.
Dashuronte pa zë,
luftonte pa zhurmë.
Udhëtari
Nuk e kishte frikë të panjohurën,
kërkonte të pamundurën.
Synimi i tij ishte
të arrinte dhe një hap më shumë.
Një zjarr i vlonte në gji,
donte të vidhte diçka nga zotat,
kërkonte përjetësinë.
Rastësi
Përtej kohërave,
ku nuk kishte kufi,
ata ishin njohur,
ata ishin nji.
Një zjarr i çmendur ra,
në hi gjithçka shndërroi,
ata u ndanë
dhe kurrë më nuk u panë.
Jeta rifilloi prapë,
ata ishin aty,
të humbur në mjegullën e harresës,
lidhur me litarin e fatkeqësisë.
Në kryqëzimin e fateve,
diku do të ndeshen përsëri,
s’do dinë çfarë emri t’i vënë,
do e thërrasin “rastësi”.
Poezi nga libri “Vetërrëfim”, botuar me 2018 në Prishtinë, autore Mevi Rafuna.