Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Është e diel përsëri

 

Mesnatë! Në mbretërinë e territ hëna ndrit e vetmuar.

Poshtë saj sytë e lodhur arratisen ëndrrave,

të tjerë të mërzitur i ankohen medaljonit të artë.

E shkuara po ia lë fronin ditës së re;

unë kthej kokën kah muri dhe kujtoj:

e shtuna tashmë ka karakteristikat e diçkaje që mund të quhet histori.

 

Përsëri e diel, për mua, seria e të dielave të shumta,

që përbëjnë javë, muaj, vite, dekada, kalendar-

dhe disa valixhe të vjetruara kujtimesh që i tërheq pas vetes.

 

Në jetë shpeshherë ndodh t’i ngatërrojmë valixhet,

ngarkohemi me kujtime të trishta,

si një tren nate që bartë zhurmë,

dëshira të venitura, vetmi dhe ca ëndrra.

 

Ndodh shpesh të rrugëtojmë udhëve të gabuara,

me ndjenja të harlisura, lajme të këqija,

vajtje ardhej nëpër stacione për të parë sy të dashur

ose arratisje në kontinentin e mërzisë.

 

Kur jashtë i nxjerrim orët e kujtesës,

ngjajnë me rroba të zhubravitura.

Duhet t’u japim formë,

t’i hekurosim dhe mbushim rishtas me shpirt.

 

Ti thua se shumë kujtime treten rrugëve,

parqeve të qyteteve, plazheve të shpirtit,

pranë statujave mahnitëse të shkrimtarëve të zemrës…

 

I nxjerr në syprinën e ditës së re orët e fatit,

të pikëllimit,

të gëzimit,

siç nxjerr udhëtari i kthyer nga vise të larta,

tregime,

perla,

thesare të gjetura

dhe aty-këtu ndonjë njollë gjaku të tharë.

 

Njerëzit nxitojnë dhe kurrë s’e zënë kohën që duan,

as lumturinë që ëndërrojnë,

sepse ato janë ëndrra nate,

zgjatin pak, sa një sy gjumë.

 

Prandaj njerëzit tundohen t’i prishin kopshtet e tyre,

për një tjetër që e ëndërrojnë,

kështu e justifikojnë mitin e lashtë të kohëve të moçme.

 

Ora lëviz, yjet ndritin,

hëna nëpër terr lundron e qetë,

një zog bredh prej dega në degë.

 

Mesnatë! Janë orët e dashurisë. Ekstazës. Ëndrrave.

Për dikë orë të errësirës, trishtimit,

dikush dëgjon nga Vivaldi “Katër stinët”,

një tjetër humbet poezive,

ndërsa diku me ngjyrë blu vizatohen sy të mallëngjyer,

ku futen anije të etura për lundrim.

 

Kur të shkuarës ia zë vendin dita e re,

asgjë s’duket e jashtëzakonshme.

 

E diel përsëri.

Unë hap ngadalë valixhen e mbushur me orë gëzimi,

dehje, vallëzim, ekstazë dhe préhje pranë një libri.

Please follow and like us: