Ndiqen penalisht 5 gjahtarë ersekistë
Goditen 2 raste të gjuetisë së paligjshme. Procedohen në gjendje të lirë 5 shtetas që ushtronin këtë veprimtari. Sekuestrohen 4 armë gjahu dhe municion luftarak. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kolonjë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e rasteve të gjuetisë së paligjshme, referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
K. I., 29 vjeç, N. Q., 42 vjeç, E. H., 48 vjeç, B. I., 35 vjeç dhe E. L., 35 vjeç, banues në Ersekë, Korçë, në fshatin Çlirim dhe Ersekë.
Shërbimet e Policisë, në afërsi të fshatrave Boshanj dhe Çlirim, në Kolonjë, kanë ndaluar automjetin tip “Nissan” me të cilin udhëtonin shtetasit K. L. dhe N. Q. dhe automjetin tip “Suzuki” me të cilin udhëtonin 3 shtetasit e tjerë. Gjatë kontrollit të ushtruar në këto automjete u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 armë gjahu dhe municion, pa lejen e organeve përkatëse, të cilat dyshohet se përdoreshin nga këta shtetas, për veprimtarinë e gjuetisë së paligjshme.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Dëmtimi i specieve të mbrojtura të florës dhe faunës së egër”.