Albspirit

Media/News/Publishing

Zhuliana Jorganxhi: SHPIRTIT TONË MBLODHE NEKTAR

 

HYJNORES, mikes sime te shtrenjte dhe te vyer, Vaçe Zela “NDERI I KOMBIT”

Ku gëzon blerimi fushën,

“veshur diell, mbathur hënë”,

flladi shall i bëhet gushës,

Ty të lindi drit’ e këngës.

 

Ku ngre kokën një val’ gëzimi,

ku tremb zemrën thellë një brengë,

ku harron të flerë kujtimi,

ndeze ti, zjarrin e këngës.

 

Ku pikojnë yjt’ e qiellit,

trëndelina, tokës rënë,

ku me rrezet luan dielli,

përkëdhele buzëve këngën.

 

Ku takim pret dashuria,

ku qorton me fjal’ t’ëmbël,

zëri yt –zog hapësirash,

dashurohet nëpër këngë.

 

Ku loton vesë trëndafili,

Flenë trimat nën një ëndërr…

Zëri yt prek pikëllimin,

bëhet lot në sy të këngës.

 

Ku harruam ëndërrimin,

ku një shpresë s’ngrihej më këmbë,

zëri yt shkeli harrimin,

u bë dhembje e vet këngës.

 

Ku dëgjohet një kitarë,

ulen zogjtë nëpër tela,

shpirtit tonë mblodhe nektarë,

ZË I KOMBIT – VAÇE ZELA!

Trieste, janar 2000.

Please follow and like us: