Avdulla Kënaçi: UDHËTIM NË SHPIRTIN LUNXHIOT
Mbresa nga leximi i librit të agronom Koço Mosko në Boston
Botimi i librit historik dhe etnografik “Udhëtim në shpirtin lunxhiot” i autorit Koço Mosko më ka gëzuar pa masë. E kam pritur si një sihariq, jo vetëm se të dy jetojmë në emigracion në Amerikën e Veriut dhe komunikojmë vazhdimisht, por sepse ai është miku dhe patrioti im nga Gjirokastra, koleg në shkrime dhe i dashuruar pas letërsisë artistike. Koçua, edhe pse me profesion agronom, i specializuar në mbrojtjen e bimëve, është një publicist i suksesshëm dhe me përvojë të gjatë. Vazhdimisht ka botuar në Shqipëri dhe në emigracion shumë shkrime në ndihmë të kolegëve të tij dhe punonjësve të bujqësisë, duke u përpjekur të rrënjosë të reja shkencore në kultivimin dhe mbrojtjen e bimëve bujqësore. Është këmbëngulës, pasionant për çdo punë e ndërmarrje; shkurt ai është një punëtor i palodhur në shërbim të dijes, me vullnet të pamposhtur.
Koço Mosko ka lindur në fshatin Selckë të Lunxhërisë më 19 shtator 1950. Shkollën e mesme e kreu në Vlorë dhe Gjirokastër në gjimnazet “Halim Xhelo” dhe “Asim Zeneli”. Në vitin 1976 përfundoi Institutin e Lartë Bujqësor, sot Universitet Bujqësor. Punoi në ish kooperativën bujqësore “Asim Zeneli” dhe prej vitit 1985 e deri në në vitin 2002 ishte inspektor i mbrojtjes së bimëve në rrethin e Gjirokastrës. Pas vitit 2002 u shpërngul familjarisht në Boston, SHBA. Aty punoi për dhjetë vjet me radhë në punë të ndryshme, sidomos në fermat bujqësore duke u marrë me kujdesin dhe kultivimin e bimëve. Tani gëzon pensionin, si gjithë moshatarët. Cilësia e tij e veçantë është se ai për asnjë çast nuk iu nda publikimit të artikujve të ndryshëm bujqësorë në shtypin lokal dhe atë qendror, si në Shqipëri ashtu edhe në diasporë, duke ngritur probleme të ndryshme jetike për bujqësinë. Me iniciativë krijoi në Boston blogun e vet në shqip “Bota Bujqësore” i cili vazhdon të jetë mjaft popullor prej dhjetë vjetësh.
Selcka është një fshat malor në cep të Lunxhërisë. Sa bukur e thotë kënga popullore “U thafsh, moj dega dafinë/ S’më le të shoh Lunxhërinë”, pra, një pemë dafine e mbjellë përpara dritares, e pengonte nusen e re të shmallej që nga Selcka ku ishte martuar me fshatin e saj në Lunxhëri prej ku kishte lindur. Banorët e Selckës në shekuj bukën dhe zarzavatet i kanë nxjerrë nga guri për shkak të tokave të tyre skeletike e zallishte, shumica pa ujitje. Blegtoria në tipin e bravareve ka qenë një tjetër mjeshtëri e këtij fshati malor me të cilën kanë mbajtur frymën gjallë duke siguruar bulmetin, pastërmanë, djathin e gjizën për dimër. Ndër vite, kurbeti i burrave ka qenë mbështetja më e madhe për sigurimin e jetës. Mjeshtrat selciotë njihen në histori si ndërtues të ujësjellësit të Stambollit. Midis të mërguarve nga ky fshat janë edhe vëllezërit Pandeli e Koto Sotiri të tërhequr nga ungji i tyre, i rrënjosur mirë ekonomikisht në një nga lagjet më të pasura të Stambollit. Ata bënin pjesë në elitën e intelektualëve shqiptarë në emigrim, pjesmarrës dhe themelues në Shoqata Shqiptare, miq të vëllezërve Frashëri dhe aktivistë të palodhur të çështjeve tona kombëtare. Shkollat e larta, universitetet, të dy vëllezërit Sotiri i kishin mbaruar në Vjenë të Austrisë.
Koçua, autor i këtij libri, u rrit me kujtimin, dashurinë dhe krenarinë për veprën patriotike të familjes Sotiri, shtëpinë e të cilëve e kishte pranë shtëpisë së tij të lindjes. Ja s i kujton ai: “Në fshatin tonë, ishin dy shtëpi me mbiemrin Sotiraj. Këto shtëpi me arkitekturën dhe ndërtimin, tregonin se pronarët e tyre kanë qenë familje të pasura, aristokrate dhe me kulturë…Shtëpinë e lindjes së vëllezërve Sotiri unë e kam arritur. Mbaj mend se ishte dykatëshe, e ndarë në dy vëllezër. Shtëpitë përbrenda dukeshin shumë të mbajtura. Kishin dy porta të jashtme me qemer guri të skalitur, me pezule. Një portë ishte nga veriu e tjetra nga jugu. Qemeri i portës së veriut qe gdhendur monobllok, vetëm me dy gurë të skalitur bukur.”, shkruan ai në librin që cituam më lart.
Koçua nuk u mjaftua me ato çfarë lexoi nga shtypi dhe librat për vëllezërit Sotiri, por vit pas viti mblodhi të dhëna, fakte dhe dokumente. Vuri re pasaktësi historike në trajtimin e biografisë së tyre, pasaktësi që ishin bërë tashmë pjesë e “Enciklopedisë kombëtare”. Kjo është zanafilla e studimit “Historia dhe veprimtaria patriotike e vëllezërve rilindës Sotiri”. Aty çpalosen fakte të panjohura, dëshmi, dokumente dhe të dhëna të reja që ngrenë lart emrin dhe figurën e patriotit të madh, Rilindasit të shquar, Pandeli Sotiri dhe vëllait të tij, Koto Sotiri, ky i dyti thuajse i panjohur për lexuesin. Personalisht, unë kam mbaruar shkollën e mesme pedagogjike “Pandeli Sotiri”. Mësuesit na thonin vazhdimisht: “Pandeli Sotiri ka mbaruar shkollën e Qestoratit të Lunxhërisë me mësues Koto Hoxhin”. Ky fakt pasqyrohet edhe në në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar”, botim i vitit 1985 dhe në gjithë librat për historinë e arsimit shqip. Sipas Koço Moskos, ky fakt nuk qëndron, sepse shkolla e mesme në Qestorat u hap më 1874, kur vëllezërit Sotiri kishin mbaruar shkollën e mesme në Gallat Saraj të Stambollit dhe të lartën, universitetin, në Vjenë të Austrisë, me shpenzimet e xhaxhait të tyre të pasur, Thimjo Sotiri. Pandeliu studjoi për mjekësi, ndërsa Kotua për drejtësi. Jo vetëm kaq, por Koto Hoxhi nuk ka qenë mësues, por kujdestar konvikti në një kohë të mëvonshme. E vërtetuar kjo prej fakteve dhe dokumenteve që ka grumbulluar me skurpulozitet autori i këtij libri. Ky është një shërbim i madh dhe me vlerë që i bëhet kulturës dhe historisë së arsimit shqip sepse Pandeli Sotiri, figurë e rëndësishme, është organizatori dhe drejtori i të parës shkollë shqipe “Mësonjëtorja e Korçës” që tashmë ëshët publikuar si datë e çeljes 7 mars 1887. Edhe për këtë datë autori ka rezervat e tij, (sipas kujtimeve të Lasgush Poradecit është viti 1886). Koçua e vë në diskutim kohën dhe jep argumentet e tij se shkolla shqip në Korçë është çelur në fillim të vitit 1886, mbasi data e mësipërme u vendos me vendim të Presidiumit të Kuvendit Popullor në vitin 1961, kur u shpall edhe si “Dita e Mësuesit”. Koço Mosko, duke iu referuar dokumenteve na thotë se Pandeliu, pasi mbylli gazetën “Drita” në fund të vitit 1885 shkoi në Korçë ku në shkurt të vitit 1886 hapi shkollën shqip. “Fshehja e vitit shkollor 1866-1877 është qëllimkeqe”, shkruan ai. Pandeli Sotiri dhe dhe vëllai i tij patriot, Kotua, kanë një vlerë shumë të madhe në historinë tonë kombëtare dhe atë të arsimit shqip. Është qesharake ta ngarkosh me të pavërteta një intelektual që është shkolluar në një nga universitet më prestigjioze të Europës, Vjenë, Austri duke shkruar se kishte mbaruar një shkollë greke. Në kët libër merr përgjigje shteruese jeta e Pandeli e Koto Sotirit.
Lejen për hapjen e shkollave shqip, për atë periudhë e jepte me ferman sulltani Abdyl Hamiti i II-të dhe ajo iu dorëzua Koto Sotirit i cili ishte së bashku me Pandeliun në Korçë, jo vetëm kaq, por ai çeli shkolla shqip edhe në Pogradec, më 14 mars 1887 e ca më pas në Maqedoni, sidomos në Manastir. Janë të dhëna këto që dalin për herë të parë në dritë, madje Kotua për veprimtarinë e tij patriotike u burgos dhe kur u lërua nga burgu, vdiq në varfëri të plotë, në Manastir ku edhe u varros. Pse e morën ata fermanin për hapjen e shkollës shqipe? Sepse ata ishin të besimit orthodoks, ndërsa muslimanëve shqiptarë nuk mund t’u jepej fermani duke i quajtur me tendencë turq. Dhe kjo ndodhte kur në Shqipëri po hapeshin shkolla me shumicë në gjuhën greke. Në vitin 1877 në Shqipëri ishin 1200 shkolla private greke, po kaq turke, 300 bullgare, serbe dhe vllahe: “Pra, gati çdo gjuhë lejohej të mësohej në Perandorinë “tolerante”, përveç njërës, gjuhës shqip”, shkruan shkrimtari i madh Ismail Kadare duke iu referuar historianit francez Serge Metais, autor i librit “Historia e Shqipërisë”, 450 faqe, botim i vitit 2006.
“Pandeliu ishte i lidhur shumë ngushtë me vëllezërit Frashëri, si ideologë të Rilindjes sonë Kombëtare e veçanërisht me Naimin e Samiun. Vëllezërit Frashëri shikonin tek Pandeliu një intelektual të kompletuar që komunikonte lehtë në shumë gjuhë të huaja si greqisht, gjermanisht, frëngjisht e turqisht…Cilësitë e veçanta, sidomos të Pandeliut si mjek, si ushtarak, si intelektual dhe si atdhetar i flaktë e trim, e vinin atë në krye të intelektualëve më të shquar të kohës”, lexojmë në faqen 26 të këtij libri “Udhëtim në shpirtin lunxhiot”.
Po kështu në lidhje me vdekjen, me fakte, dëshmi dhe rrëfime hidhet poshtë “legjenda” e stisur se Pandeli Sotirin e gremisi me dashje bashkëshortja e tij duke e hedhur nga kati i tretë i shtëpisë në Stamboll.
Vetvetiu na lind pyetja; a ka ndonjë muze të këtyre dy vëllezërve, a ka një stendë në Muzeun Historik Kombëtar, a është më këmbë shtëpia e tyre në vendlindjen e tyre, Selckë? Fatkeqësisht duhet të përgjigjemi jo. Me keqardhje mund të themi se është diskutuar të mbyllet shkolla e parë shqipe, muze në Korçë, shtëpia në Selckë është rrënuar, madje edhe një tabelë që ishte në themelet e saj, ku shënohej se aty kishte lindur Pandeli Sotiri, vendosur më 1999, u hoq më 2021 me pretendimin absurd të Bashkisë së Dropullit për të bërë unazën e fshatit?! Unazë nuk ka as sot që shkruajmë këto radhë. Është justifikim qesharak, pretekst dhe mendojmë se ky është një veprim i qëllimshëm antikombëtar. Ky fshat jo vetëm duhe të bëjë pjesë në Bashkinë e Lunxhërisë, ose të Libohovës, ku ka bërë pjesë dikur, por kurrsesi në komunat minoritare greke. Selcka në shekuj ka folur e shkruar shqip, një shqipe të ëmbël e të bukur dhe jo më kot prej aty kanë lindur dy korifejtë e arsimit shqip për të cilët për herë të parë publikohen shumë fakte domethënëse.
Shumë interesante janë përshkruar në këtë libër vlerat turistike të Lunxhërisë, traditat dhe zakonet, dasmat, ritet, përrallat dhe besimet. Të ndalemi tek kapitulli “Në mulli” me nëntitull “Kako Dhoqina rrëfen”, ka një fjalor karakteristik të Lunxhërisë, zakone të lashta dhe rrëfime nga jeta e përditshme fshatareske. Vetëm në njëzet e pesë rreshta, qëmtova 25 fjalë të vjetra dialektore si: ormisesha, katoi, muslluku, hajati, damblla, bishkorra, palldëm, vaisej, kallamboq, mëngjër, fllacka, thollo, xhuxhulla, sakavica, callën, kalistir, sergjen, pezul, magjiro, etj. Libri ka edhe shkrime për pemët që rriten në Lunxhëri si fiku i i zi, i shkruar, manat, dardhët, thanat, lajthitë, çerçemët, caracat dhe një lule tipike që thuret kurorë për dasma, trëndelina erëmirë e malit së cilës i janë kushtuar dhjetra këngë popullore. Ka etimologji, histori shkencore të këtyre pemëve dhe këngë për to, mbasi ato nuk ishin vetëm ushqim, por edhe “pjesmarrëse” në dasma, gosti e festa familjare që e shoqëronin njeriun nga lindja e deri në vdekje.
Këtu janë botuar edhe kujtime nga takimet në Amerikë të patriotëve lunxhiotë të cilët Koçua i ka kërkuar kudo, “si me qiri” dhe ka biseduar me ta duke mbajtur shënime, pjesën më të madhe të cilave i ka botuar në blogun e vet “Bota bujqësore” si dhe tani në librin e ri.
Me këtë vepër, Koço Mosko ka zbrazur “sënduqin lunxhiot” duke paraqitur bukur historinë, traditat, zakonet, kulturën lunxhiote, me një mall e dashuri të madhe mërgimtari, duke evidentuar sakrificat që kanë bërë bijtë e pavdekshëm të kësaj krahine për kombin, gjuhën dhe Shqipërinë. Me këtë libër ai jep një kontribut të veçantë jo vetëm për krahinën e tij, por për gjithë historinë e arsimit shqip. Ai meriton falënderime e përgëzime për këtë punë të lavdërueshme që ka bërë duke punuar për vite të tëra me dashuri e përkushtim.
Please follow and like us: