Pjesa e tretë
Më 2 gusht 1485, Gjoni II, në shkëmbim të feudeve Monte Sant Angelo dhe San Giovanni Rotondo, mori nga mbreti Ferrante I tokat e San Pietro në Galatina, Duka I i Galatina dhe titullin konte i Soleto, Gagliano, Avigliano, Orria, Sagliniano, Bagnula, Padula, Aradeo. Këtë shkëmbim pronësishë, Gjoni II e shoqëroi me modifikimin të stemës heraldike të Kastriotëve, ku krahas shqiponjës të zezë krahapur me yllin e artë sipër në trekendëshin blu, në gjysmën e djathtë të stemës, shtoi luanin në pozicion në këmbë, me shpatën në putër dhe sipër zambakun mbretëror (Fior de Lis), i përdorur nga frankët (Merovinxhi dhe Karolinxhi). Shtesën e luanit e mori nga stema e familjes të bashkëshortes Jerina Brankoviç, por me një modifikim, sipër shtoi zambakun e artë mbretëror. Kjo stemë është përdorur nga pasardhësit e Kastriotëve, si në në varrin monumental të Gjonit III Kastrioti, i cili në vitet 1750 – 1762, kishte shërbyer komandant i kështjellës të Barleta.
Stema e duka Gjoni II Kastrioti, e gdhendur në mermer të bardhë, në varrin monumental të Gjonit III Kastrioti Skenderbeu, që kishte shërbyer kështjellar në Barleta në vitet 1750 – 1762.
Në muajin maj 1494 vdiq mbreti Ferrante I. Në fronin e mbretërisë të Napolit u ngjit Alfonsi II Aragon (1448 – 1495), djali i Ferrante me martesën e parë me të hijshmen Isabella Kiaromonte. Mbreti Alfonsi II vazhdoi të shprehte nderim dhe respekt për Andronikën dhe njëkohësisht e ndihmoi Gjonin II të përballonte vështirësitë ekonomike. Alfonsi II mbretëroi vetëm një vit dhe pas tij erdhi Federiku I, i cili vazhdoi traditën e pararendësve duke mbështetur Andronikën dhe Gjonin II.
Më 1 prill 1498, mbreti Federiku I, rimori në pronësi të koronës feudet e Monte Sant Angelo dhe të San Giovanni Rotondo dhe i rikonfirmoi Gjonit II pronësitë e feudit San Pietro në Galatina, i dha kështjellën e Gagliano, i rinjohu titullin Duka I i Galatina dhe konte i Soleto, Avigliano, Orria, Sagliniano, Bagnula, Padula, Aradeo. Me këtë akt Federiku I i konfirmoi pronat, që ia kishte dhënë mbreti Ferrante I më 2 gusht 1485, por i hoqi privilegjet doganale, që mbreti Ferrante I ia kishte dhënë Andronikës në vitin 1469, për eksportet e kripës dhe të drithrave. [Archivio S. N. Quinternioni, vol. 23, cc. 302 doc. X. datato da Castel Nuovo di Napoli e con la rubrica “Illustris Andronice Cominate uxoris condam Scandaribech”].
Është interesant fakti se po më 1 prill 1498, Xhiovana III i dha Andronikës në pronësi Gagliano (…… proper suas vertutates et continua servicia). [Monti. La spedizione pp. 298-299 nt. 7; Documenta pp. 172-173. Il feudo resterà a Andronica]; [Vallone Aspetti p. 55]. Me këtë dokument kuptohet se Andronika nuk ishte në vartësi të djalit Gjoni II, por nuk është e qartë pse ky feud, iu kalua në pronësi Andronikës. Pavarësisht nga këto pa-qartësi, e rëndësishme ishte se dhe Gagliano ishte në pronësi të familjes Kastrioti. [Volpicella, Regis.. pp. 315a] [Carlo Padiglione, Di Giorgio Castriota Scanderbeg e de suoi discendenti. Napoli 1879, p. 27].
Në një letër të vitit 1496, që nuk ka datë, por e firmosur nga mbreti Federiku I, rezulton se feudi i Gagliano i ishte në pronësi të Gjonit II, i cili detyrohej të paguante “Adoha”. [Gegaj A. Dokumenta p. 620. Il testo è riproposto in Documenta p. 216, con la data, non motivata, del 1496]. Si duket, Xhiovana III, ia kaloi Gaglianon Andronikës, për ta bërë të pavarur ekonomikisht, si rezulton në një dokument të 26 nëntorit 1497, me të cilin Xhiovana III i dha Andronikës dhe 500 dukate nga renta e Gjonit II.
Këto aspekte të paqarta pronësie të feudeve, rezultojnë dhe në kërkesën e Gjonit II më 1495, që i drejtoi Karlit VIII, për të kaluar në pronësi të tij feudin e Gagliano. [idem: Volpicella, Regis p. 315].
Për këto rrethana komplekse, Vallone tregon se në Arkivin e Shtetit të Napolit, ka gjetur një dokument të vititi 1730 (Cedolario di Terra d’Otranto – taksa mbi dividendot), me shënimin se këto feude u dhanë me vendim juridik të dyfishtë, pra si në pronësi të Andronikës dhe të Gjonit II, çka për atë kohë ishte një praktikë administrative e zakonëshme. [Vallone Aspetti pp. 47 e nt. 40; 55].
Në marrëdhëniet e Andronikës me Gjonin nuk rezultojnë konflikte, madje më 11 korrik 1498, Andronika e mbështeti Gjonin II në një çështje civile me ndërhyrjen e saj dhe me kërkesën për drejtësi dhe ndershmëri. Në këtë kohë Andronika ishte në Napoli dhe nuk e shoqëroi Xhiovanën III kur iku në Spanjë më 7 shtator 1499, por ndejti me Xhiovanën IV dhe së bashku u nisën për në Spanjë më 1 gusht 1501, si tregon dhe ambasadori i Venecias në Napoli, Françesko Morosini. [A.S.N, R. Cam. Sommaria, Processi civ., Ord. Zeni, fascio 168, fsc. 29 cc.64r-64v. La propongo nella Appendice I]. [Sanudo Diarii vol. III col. 1308; anche col. 578].
Më 14 nëntor 1499, mbreti Federiku I e kërkoi Gjonin II të paraqitej në Napoli, duke i theksuar se arsyet e kësaj thirrje do t’i spjegohen gojarisht nga galatinezi Rafaele Guidano, si dhe e informon se kishte marrë letrën që i kishte dërguar “nëna, Madama Skanderbeg”. Natyrisht kjo thirrje lidhej me qëndrimet e paqarta të Gjonit II, që duke u lidhur me Karlin VIII, po i braktiste Aragonezët. [N. Barone, Notizie storiche raccolte dai Registri Curiae della Cancelleria aragonese in ASPN XIII (1888) p. 711].
Gjoni II Kastrioti në shërbim të mbretit Karli VIII i Francës
Gjoni II Kastrioti i shërbeu me lealitet dinastisë Aragoneze, duke marrë pjesë në të gjitha betejat për çlirimin e Otrantos nga invazorët osmanë, luftoi në Albania, mori pjesë në luftimet kundër venecianëve kur sulmuan tokat Salentine, ashtu luftoi dhe kundër baronëve rrebelë puliezë. Historianët theksojnë se Gjoni II, më shumë se strateg dhe komandant, dallohej në mobilizimin dhe kapo i reparteve të vogla me kalorës stratiotë albanezë. Shërbimet si ushtar i bindur, pasqyrohen dhe nga zgjedhja që kishte bërë, të jetoi në periferi si feudal prepotent, fillimisht në veri në trojet e Galgano e më pas në trojet jugore të Pulias. Megjithëse vepronte si ushtar i bindur, nuk munguan paknaqësitë dhe raportet e vështira me kurorën Aragoneze, sidomos me spanjollët, sepse kur Gjoni II i nxitur nga aragonezët shkoi të çliroi dhe të rimerrte Albaninë, nuk gjeti përkrahje nga spanjollët. [Giancarlo Vallone. Andronica e Giovanni Scanderbeg in Italia. Studia Albanica 2018. p. 59-65].
Në shkurt të vitit 1494 Karli VIII zbriti në Itali me 30 000 ushtarë. Gjoni II, nën influencën e dajës Kostantin Arianiti, iu afrua francezëve. Kur u njoh me qëllimet e Karlit VIII për organizimin e kryqëzatës kundër Perandorisë Osmane, Gjoni II besoi në këtë projekt, andaj e prishi lidhjen tradicionale me aragonezët. Vallone thotë se kjo mungesë lealiteti nga ana e Gjonit II ishte e kuptueshme për një feudal pa lidhje fisnie me kurorën mbretërore aragoneze, pavarësisht se nëna e tij Andronika ishte mike e ngushtë dhe dama shoqëruese e mbre tëreshës Xhiovana III. [Vallone Aspetti p. 67].
Gjoni II nuk mund t’i refuzonte premtimet, që Karli VIII i dha me projektin e kryqëzatës, që synonin në rikthimin e tij në trojet arbërore. Disa historianë nuk kanë besuar për këtë lidhje të Gjonit II me Karlin VIII të Francës, por faktet sqarojnë këtë qëndrim, kur dihet se Karli VIII kishte buajtur në shtëpinë e Kostantin Arjanitit, që ishte daja i Gjonit II dhe ku Karli kishte pritur shumë fisnikë italianë simpatizantë të Francës, mes tyre dhe Gjonin II. [Volpicella Regis p. 315a] [Petta Despoti pp. 32-33, 154].
Karli VIII, që në fillim të vitit 1494 kishte filluar të fliste për pushtimin e mbretërisë së Napolit dhe për ta konkretizuar këtë vendim, mori titullin Mbret i Jeruzalemit dhe i Dy Siçilive, ashtu si përdorej në kohën e Anzhuinëve. Më 14 mars 1494 Karlo VIII i dërgoi letër Papës Aleksandri VI, ku e informon për marrjen e mbretërisë së Napolit, e cila nga 25 janari 1494 kishte mbret Alfonson II Aragon, si dhe i prezantoi projektin e kryqëzatës.
Alfonso II Aragon, filloi përgatitjet për t’i rezistuar dhe për të përballuar synimet e Karlit VIII. Më 28 gusht 1494, mbreti Alfonsi ngarkoi Gjonin II, të mblidhte një numër stratiotësh, burra të zgjedhur, për të formuar repartet më stratiotë, për të përballuar francezët. Më 17 nëntor 1494 e urdhëroi Gjonin II, të shkonte me forcat e tij në Salento. [Barone Notizie XIV, p. 398 – 399 (il re Alfonso è nel castello di Gaeta)] [Volpicella Regis p. 315a] [Petta Despoti p. 32].
Deri në këtë periudhë, aragonezët nuk dyshonin për besnikërinë e Gjonit II, sidomos kur në gusht të 1494, banorët galatinezë u ribeluan kundër mbretit, duke kundërshtuar urdhërat e tij, madje i dënoi me varje katër galatinezët, që shkuan të flisnin me mbretin, çka provokoi reagimin e banorëve, që i shkatërruan ullinjtë dhe pemët frutore. [A. Scandone, Le tristi Reyne di Napoli, Giovanna III e Giovanna IV d’Aragona, Napoli, Coop. Tipog. Sanitaria, 1930 (già in ASPN a puntate)]. Nuk janë të qarta motivet e rrebelimit të galatinezëve, por dihet se nuk ishin nxitur nga Gjoni II, pasi atë kohë ai nuk ndodhej në Galatina. Ndofta këto ngjarje lidhen me vendimin e mbretit Alfonso II, i cili me një ratifikim papal, në korrik të atij viti ia hoqi pronat kateriniane françeskanëve dhe ia kaloi osservantëve, të cilët i morën pikërisht në muajin gusht, çka nxiti ribelimin e galatinezëve. [Volpicella, Regis p. 436; più preciso invece Papadia Memorie pp. 47-49 (39-41); (112-122)].
Megjithë lidhjen e Gjonit II me francezët dhe lëkundjen e besnikërisë ndaj kurorës aragoneze, më 10 shkurt 1495, mbreti Ferrandino i kaloi Gjonit II trojet e Gagliano dhe Oria, që konsiderohen si një privilegj, që i bënte për shërbimet ndaj kurorës aragoneze, madje i rinjohu titullin Duka I i Galatina dhe i rikonfirmoi pronësitë e Salignano, Arigliano, Soleto dhe Galatina. [Foscarini Armerista, p. 43b (della I ed.: Gagliano e Oria ottenuti col privilegio del 1495); ed anche Foscarini Armerista, p. 72].
Arkudi tregon se në arkivin bashkiak ka parë dokumentin, me të cilin kurora aragoneze i kishte dhënë Gjonit II, feudet e Galatina, Soleto dhe Gagliano. Titulli duka i Gjonit II rezulton dhe në dokumenta të mëvonshëm të mbretit Federiko I. [A. T. Arcudi, Galatina letterata, Genova, G. B. Celle, 1709].
Ndonëse në shumë dokumenta të kurorës aragoneze, këto feude i njiheshin Gjonit II, është ende e paqartë përse ia kërkoi dhe mbretit Karli VIII, i cili ia njohu Gjonit II pronësitë e Galatina, Soleto dhe Gagliano. Në periudhën kur Karli VIII ndodhej në Napoli, pikërisht në muajt shkurt, mars, prill 1495 edhe Gjoni II ishte i pranishëm në Napoli, çka justifikon kërkesën e tij dhe njohjen e të drejtave të këtyre trojeve.
Historiani Athanas Gegaj, ka botuar një fragment të dokumentit të Karlit VIII, që ia jep këto feude Gjonit II, të cilin e cilëson Duka i San Pietro në Galatina, konte i Soleto dhe këshilltari ynë: “Illustrissimo spectabili magnifico viro Joanni Castriota duci S. Petri in Galatea ac comiti Soleti, consiliario nostro. Tenore presentium …vobis vestrisque heredibus et successoribus in perpetuum damus concedimus et elargimus civitatem Oryae et terram Gagliani provinciae terrarum Hydrunti…ac etiam S. Joannem Rotundum in Capitanata”. [A. Gegaj. L’Albanie pp. 160-161. nt. 2].
Nuk është e qartë përse këto troje i njihen herë pas here nga monarkë të ndryshëm, kur dihet se Gagliano i ishte dhënë Gjonit II nga mbreti Ferrante I Aragonez, që më 26 dhjetor 1485. [F. Forcellini, Un episodio della congiura dei baroni ricordato in una iscrizione lapidaria di Cetara in ASPN 37 (1912) pp. 65-66].
Ndonëse më 10 shkurt 1495 mbreti Ferrandino i kishte dhënë në pronësi Gjonit II trojet e Gagliano dhe Oria, nga ana tjetër, në një akt të Kancellerisë të Karlit VIII i 28 prillit 1495, i verifikuar nga Volpicella e më pas i çdukur, por ruajtur një kopje nga Mastrojani, rezulton: “è annullata la concessione fatta di detta terra a Giovanni Castriota che prima della sua (del re) venuta nel regno non la possedeva – është anulluar koçesioni i këtyre tokave Gjon Kastriotit, i cili nuk i kishte në zotërim para ardhjes të mbretit tonë”. [Mastrojanni O. Sommario degli atti della Cancelleria di Carlo VIII a Napoli, in ASPN 20 (1895) pp. 48-63, p. 58].
Revokimi i pronësisë është rast i rrallë i kancelerisë të Karlit VIII, por ishte e vertetë, sepse më 17 maj 1495, rezulton se Isotta Orsini del Balzo, bën përpjekje t’i marri në pronësi feudet e Soleto dhe trojet e San Pietro në Galatina, të cilat ishin prona të Gjonit II Kastrioti, çka tregon një dobësim të pozicionit të Gjoni II, në raportet me francezët në periudhën 25 prill – 17 maj 1495. Ndofta ky qëndrim lidhet me agresionin e galatinezëve kundër forcave të Karlit VIII, ku dyshohej se ishin nxitur nga Gjoni II, si thekson Commynes ambasadori i Karlit VIII në Venecia. [ Philippe de Commynes, Mémoires vol. III p. 103].
Stema heraldike e dukës Gjoni II Kastrioti.
Karli VIII në fillim të vitit 1494 mori titullin Mbret i Jeruzalemit dhe i Dy Siçilive, ndërsa më gjashtë shtator 1494, pranoi nga Andrea Paleologu koronën imperiale të Kostantinopojës. [S. Runciman, Gli ultimi giorni di Costantinopoli (1964), Casale Monferrato, Piemme, 2001, pp. 233-234].
Me marrjen e titullit Mbret i Jeruzalemit, Karli VIII fitoi të drejtën të përdori stemën e Jeruzalemit me katër kryqet dhe me zambakët e Francës. Këtë stemë heraldike e përdorën dhe fisnikë të tjerë francezë, gjithashtu dhe Gjoni II Kastrioti, i ndikuar nga lidhja me Karlin VIII, i cili si shpërblim të pjesëmarrjes në përgatitjen e kryqëzatës kundër turqëve, i njohu Gjonit II të drejtën të vendosi kryqin e Jeruzalemit në stemën e tij familjare dhe i konfirmoi të drejtën Princi i Arbërisë, që e kishte humbur nga Venediku. Gjoni II e ndryshoi stemën e mëparëshme dhe përdori stemën e re, të cilën e vendosi në arkitraun e portës në hyrje të katit të fisnikërisë në kështjellën e Soleto ku banonte me familjen. [De Frede. L’impresa p. 132; in Marongiu, Carlo VIII e la sua… crociata pp. 241-242, 245, 246 nt. 29.].
Gravurë e shekullit XIX: Kështjella e Soleto.
Kështjella e Soleto, e ndërtuar nga Raimondello Orsini Del Balzo (1361 – 1406), që iu dha në pronësi Gjonit II, aktualisht nuk ekziston, sepse në fund të shekullit XIX e shembën, por stemën heraldike të Dukës Gjoni II të vendosur në arkitraun e portës të kësaj kështjelle, e ka vizatuar Pietro Cavoti (1819 – 1890), piktor dhe studiues i artit puliez, i cili ka bërë një përshkrim të detajuar, të shoqëruar me një skicë në vartësi të ngjyrave që kishte stema, madje Cavoti (Kavoti) na ka lënën dhe një skicë të protretit të Gjonit II Kastrioti.
Stema e re heraldike të Gjon II Kastrioti, në arkitraun e portës në kështjellën e Saleto.
Nga viti 1495, Duka Gjoni II Kastrioti kishte stemën e re me formë mburoje të ndarë në katër kuadrate, në dy prej tyre në pozicion diagonal nga e majta në të djathtë, ka shqiponjat dy krenare, me krahet e shpalosura, me kurorat mbretërore mbi kokat e tyre dhe me yllin kastriotian me pesë cepa, ndërsa në dy kuadrate të tjerë, në pozicion diagonal nga e djathta në të majtë janë kryqi me katër kryqe të vegjël të Jerusalemit në kënde. Në një strukturë rombi në qendër të mburojës, janë dy luanët në pozicion në këmbë, me shpatat të kryqëzuara dhe mbi kokat e tyre një zambak mbretëror, ndërsa në pjesën e poshtëme koka e një demi.
Stemën heraldike të Gjonit II, piktori Cavoti e shoqëron me një skicë me ngjyra dhe me një spjegim të hollësishëm: “Në kuadratin e parë dhe të katërt me sfond të artë të mburojës, janë shqiponjat dykrenore me ngjyrë të zezë me krah të shpalosur, me koronat mbretërore mbi kokat e tyre; sipër kokave trekëndëshi ngjyrë të kaltërt, me yllin e artë Kastriotian me gjashtë cepa. Në kuadratin e dytë dhe të tretë, kanë kryqin e artë, me katër kryqe të vegjël të artë në katër kendet (kryqet e Jerusalemit). Në rombin qendror të mburojës me sfond blu janë dy luanë të artë në këmbë, që mbajnë në putrat shpata të kryqëzuara mes tyre, ndërsa nën këmbët e tyre, koka e prerë e demi të artë.
Stema heraldike e Erina Kastrioti Skenderbeg, në pallatin dukal Trikariko – Lukania.
Stemën e re të modifikuar e përdori dhe i biri i tij Ferrante Kastrioti, Duka II i Galatino, ndërsa vajza e tij Erina Kastrioti Skenderbeg, Dukesha III e San Pietro në Galatina, e martuar me Pietro Antonio Sanseverino, princin e Bisignano, e modifikoi stemën heraldike të Kastriotëve, duke e thjeshtuar në kompozicion, por duke ruajtur elementet heraldike të stemës së më parëshme të Gjonit II Kastrioti. Në brendësi të mburojës, në këndin e sipërm majtas ruajti kryqin me katër kryqe të vegjël të Jerusalemit në këndet, djathtas mbajti dy luanët në pozicion në këmbë me shpatat të kryqzuara dhe me kokën e demit nën këmbët, ndersa në pjesën e poshtëme janë dy shqiponjat dykrenëshe, më krah të shpalosur, me një yll Kastriotian me pesë cepa. Kjo stemë ndodhet në një nga sallonet e pallatit dukal në Trikariko – Lukania, në feudet e princit Pietro Antonio Sanseverino. [Lutfi Alia, Dixit. 2, shtëpia botuese Streha, Tiranë 2022, faqe 168]
Megjithë modifikimet që i bënë në vitet e më vonëshme pasardhësit e dinastisë Kastrioti të degës Galatina, të degës Leçe, apo të tjerët në Napoli, në Koriliano etj, etj, mbajtën të pa ndryshuar shqiponjën dykrenëshe me kurorat mbretërore mbi kokë dhe yllin Kastriotian me pesë cepa, si rezulton në një fragment porcelani [1], i zbuluar në oborrin e pallatit baronal në Gagliano dhe botuar nga studiuesi Antonio Biasco [Gazeta Rrënjët – Le Radici, nëntor 2022], stema në portën e shtëpisë të Kastriotëve në lagjen Stella në Napoli [2], apo stema në mozaik në rezidencën e markezit Auleta në lagjen Stella në Napoli [3], ashtu dhe stema lehtësisht e modifikuar e Baldasare Sollazzio Kastriota në Koriliano [4].