Sejdin Cekani: Marrëzi e madhështisë
Dy fjalë për një dukuri safi shqiptare. Për një lloj “mode” më saktë, që është shfaqur e përhapur prej kohësh: lehtësia e admirueshme për të shkruar “romane” a vëllime “poetike”. Një modë që ndiqet nga një lukuni grafomanësh e gjysmanalfabetësh që mbijnë dyerve të redaksive për të botuar me shpenzimet e veta apo me para të lypura gjetiu. Por që krijojnë edhe grupe nga më të çuditshmet nëpër rrjete sociale. Pastaj “themelojnë” edhe shoqata kinse shkrimtarësh a poetësh dhe të tellallisin gjithë kohën për t’u bërë pjesë e këtyre grupeve dhe gati me përdhunë përgjërohen e këmbëngulin t’ua lexosh “veprat” e tyre. Pastaj mblidhen nëpër zijafete apo dafrunga dhe i japin njëri-tjetrit lloj-lloj çmimesh a çertifikatash.
Më së shumti janë bjerraditës që, për të dalë nga kotësia dëshpëruese, rreken ta kenë emrin patjetër në kopertinën e ndonjë defteri dhe ta shohin atë në raftet e librarive.
Shkollimi i tyre mbetet përherë i dyshimtë, ndërsa shqipja e tyre e shkruar, që sillet në një numër tejet të kufizuar, prej 200-300 fjalësh, nuk ka asnjë lloj përkimi me gramatikën, sintaksën, stilistikën apo rregullat më elementare të të shkruarit.
Ngaqë nuk kanë lexuar më shumë libra se gishtat e të dyja duarve (nga klasikët apo autorët bashkëkohorë të letërsisë botërore e asaj shqipe as që mund të bëhet fjalë), kur iu bie në dorë ndonjë gjë që e kanë shkruar sivëllezërit e klanit të tyre – zakonisht vetëm disa faqe e jo librin deri në fund – përpallin se kanë zbuluar një gjeni të letrave shqipe dhe nisin e anatemojnë shtëpitë botuese që e kanë lënë në hije “gjeniun” e sapozbuluar. Madje shkojnë edhe më tej: përgojojnë, mallkojnë e thurin intriga për shkrimtarët e vërtetë, për ata që kanë lënë emër në letërsinë shqipe dhe përfshihen në botime antologjike apo në tekstet e letërsisë për nxënësit e studentët.
Pengu i tyre më i madh është se askush, madje as familjari më i afërt, nuk mund t’i lexojë “librat” (me tirazh jo më shumë se pesëdhjetë apo njëqind kopje) që i falin majtas e djathtas, ndërsa kopjet që i çojnë nëpër librari zverdhen e zënë pluhur. Marrëzia e madhështisë shkon deri aty sa, paturpësisht, nëpër rrjete sociale ankohen se shtëpitë botuese shfrytëzojnë talentin e tyre e na shtypkan qindra e mijëra kopje pa i vënë në dijeni e kështu na u pasuruakan në rrugë të pandershme.
Ajo çka mund të quhet vërtet shqetësuese është se, kohë pas kohe, disa prej këtyre grafomanëve ia kanë dalë që me paçavuret e tyre mediokre të gjejnë vend nëpër portale e të zënë kohën televizive nëpër studio të ndryshme, madje edhe t’iu imponohen nxënësve të shkollave duke ua shitur si “libra jashtëshkollorë”.
Zoti na ruajttë nga bjerraditësit, grafomanët, ngrehalucët e gjysmë të diturit!