Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Dorian Koçi: Musine Kokalari dhe Mendimi Politik i së Majtës

 

Hyrje

Figura e Musine Kokalarit pavarësisht ndryshimit të sistemeve politike nuk është trajtuar ende në dimensionin e saj të plotë intelektual. Përveçse një shkrimtare e talentuar dhe njeri i letrave ajo ka pasur dhe një angazhim të fuqishëm intelektual dhe politik në shoqërinë shqiptare të pas luftës. Ky angazhim politik i saj nuk do të mund të kuptohet nëse nuk analizojmë mendimin e saj politik të shprehur në programin e Partisë Social Demokrate të hartuar prej saj si dhe kontekstin historik të ballafaqimit të opozitës antikomuniste me komunistët shqiptarë që kishin ardhur në pushtet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Musine Kokalari lindi në Adana në Turqinë Jugore, në gjirin e një familjeje gjirokastrite. Kokalarët, ku u lind Musineja, ishin familje intelektualësh të rëndësishëm. Gjyshi, Hamiti i mbaroi studimet e larta teologjike në Turqi, ndërsa i biri Reshati (1875-1946), babai i shkrimtares studioi drejtësi në Stamboll ku u vendos me familjen. I martuar me Hanushe Çiçon, Reshati pati djem Mumtazin (1896-1944), që studioi dhe ai në Turqi; Vesimin (1898-1944) që mbaroi shkollën turke me një bazë të frëngjishtes, Hamitin (1909-1989), që i kreu studimet universitare në Francë, edhe ai për drejtësi. Më 1921 u kthye së bashku me familjen në Shqipëri, ku nisi shkollën fillore në Gjirokastër. Familja e saj u vendos në Tiranë nëntë vite pasi u rikthyen në atdhe. Vëllai i saj, Veisimi kishte një librari në kryeqytet në mesin e viteve ’30 që shumë shpejt u bë për gjithë kryeqytetin shqiptar një pikë e fortë referimi dhe thellimi kulturor. Në vitin 1937, pas gjimanzit filloi të botonte në gazetën “Shtypi” skica letrare me frymëzim popullor, prozë dhe poezi. Në qendër të tyre janë plagët shoqërore të Shqipërisë: varfëria, padrejtësia, analfabetizmi dhe sidomos gratë shqiptare që në mjediset prapanike, vazhdonin vazhdonin të trajtoheshin si skllave, të diskriminuara dukshëm krahasuar me burrat.
Vitet 30’
Një pjesë e rëndësishme e formimit të saj intelektual zë epoka e viteve 30’. Nuk mund të përcaktosh qartë se në cilën prej rrymave të viteve 30’ Musine Kokalari e gjente më shumë veten por duket se më tepër i përket grupit që u konturua me emërtimin “Të Rinjtë” pa u atashuar tek konceptet e “Diktaturës së Ndritur” të Ismet Totos e Nebil Çikës. Ky përfundim mund të nxirret nga shënimet që ajo ka lënë të titulluara “Si lindi Partia Social-Demokrate” (1972), ku shënon konfliktin midis brezave në jetën politike të vendit, midis të rinjve dhe të vjetërve si konflikt për të evoluar shoqërinë shqiptare drejt progresit. Gjithësesi në këto shënime ajo nuk përmend ndonjë adhurim për termin “Diktatura e ndritur” apo idetë të mishëruar në personalitetin e një njeriu të madh si rasti i Ataturkut në Turqi dhe Musolinit në Itali që propagandonte në shkrime të ndryshme publicisti dhe filozofit Ismet Toto. Musine Kokalari duket se kishte bërë për vete devizën e një përparimi të shpejtë aq të nevojshëm në Shqipërinë e asaj kohe ende të paurbanizuar. Ky përparim zakonisht perceptohej si një kontradiktë midis elitës së vjetër shqiptare të formuar në kohën e Perandorisë Otomane me një nostalgji të theksuar për privilegjet e trashëguara nga ancient regime dhe të rinjve që kërkonin një modernizim sa më të shpejtë të bazuar në merita dhe përparim kulturor. Musine Kokalari shkruan rreth këtij debati e kontradikte në “Si lindi Partia Social-Demokrate” (1972) se… brezi i ri gjithmonë shkonte më larg se brezi i vjetër. E tërhiqte atë. Kulturat e ndryshme çanin errësirën dhe në rrugëdaljen drejt qëllimit, gjithmonë shikonte brenda vendit dhe jashtë në popujt e tjerë ku lëvizjet, luftërat, kultura po zhvillohej. Brezi i ri ishte gjithmonë i gatshëm drejt bashkimit të këtyre forcave liridashëse dhe kulturave për të mirën e vendit. Fermentimi ideologjik në të cilat Musine Kokalari formoi botëkuptimin e saj pavarësisht se ajo vetë gjatë këtyre viteve nuk atashohet në asnjë nga rrymat e mendimit të kohës që mbizotëronin në jetën publike të Mbretërisë shqiptare duket se ishin idetë e një amalgame midis atyre të publicistit dhe filozofit Ismet Toto dhe Branko Merxhanit të Neoshqiptarizmës. Pikëpamjet neoshqiptare u shfaqën për herë të parë në gazetën Demokratia të Gjirokastrës më 1928.Më pas ato u shtjelluan edhe në një sërë organesh tëtjera si: “Neoshqiptarizma, Minerva, Illiria e në mënyrë të veçantë në revistën “Përpjekja shqiptare”që ishte organ kryesor i neoshqiptarëve. Përplasja në rrafshin social që propagandonin “të Rinjtë” e Neoshqiptarët: në fakt ishte një përplasje midis primitivizmit qeverisës të klientelës politike përmes funksionimit të derës së bejlerëve që të kujtonin oborret e fisnikëve në mesjetë të përfaqësuar nga klasa e vjetër e politikanëve në Shqipëri dhe personalizimit dhe individualitetit të spikatur të përfaqësuar nga elita e brezit të ri. Ja se çfarë Ismet Toto shkruante ai në vitin 1931 në Gazetën “Ora” të Kostë Çekrezit: Me fjalën njerëz të mplakur na s’kemi ndërmend njerëzit e kaluar nga mosha. Njerëz të mplakur, mund të ketë dhe midis të rinjve dhe mund të ketë pleq, sadopak, që të kenë një shpirt të ri dhe një dinamizëm shembullor. Kriteri i ynë nuk është mosha e një njeriu, por shpirti i sakrificës, karakteri dhe sasia e fuqisë për të vepruar dhe prodhuar në këtë rindërtimin e vendit tonë…”. Musine Kokalari si nxënëse e Institutit Femëror në Tiranë, që në mesin e viteve 30’ ishte një fidanishte e modernitetit të botë shqiptare do të reflektonte këto tendenca dhe në veprën e parë të vet letrare “Siç më thoshte nënua plakë” që e shkruan në 1938 dhe e boton në 1939. Shënimet që na vijnë po prej saj në librin e botuar postum vetëm më 2009, “La mia vita universitaria”, na bëjnë me dije se kjo përmbledhje mori shtysë dhe u shkrua e gjitha gjatë verës së 1938-s, kur ajo gjendej sërish për pushimet verore në Tiranë.“Ishte në këtë periudhë, që meqë më kishte rënë në dorë “Bulkthi në oxhak” i Dikensit, shkrova novelën time të parë dhe ia paraqita prof. Xhuvanit, të cilin kisha pasur rastin ta njihja. I pëlqeu dhe më inkurajoi të shkruaja të tjera. Dhe unë shkrova dhjetë, në dialektin e vendit tim, ku pasqyrohej jeta, mendimet, dhimbjet, bestytnitë dhe mrekullitë e këtyre njerëzve: “Gjyshja plakë” e inatosur kundër rinisë së re për idetë liberale; dy zonja që zihen në rrugë derisa lëshojnë mësë fundi fjalë larë e palarë; burri që vepron shpesh si qen dhe nuk prêt shumë, mbas vdekjes së gruas së parë, rimartohet. Jeta që zhvillohet në qytetin tim ku kam kaluar fëmininë ka pamje të ndryshme. […]”. Novelat e shkrimtares së parëshqiptare janë një monument etnolinguistik dhe antropologjik i vendlindjes së saj, Gjirokastrës, por në të njëjtën kohë edhe një manifestim i hershëm i feminizmit në botën shqiptare. Bota e ndërtuar nga Musine Kokalari është një botë tërësisht femërore. Ky identitet ndërtohet në tematikë dhe fokus, në subjekte e në personazhe, në narratorë e rrëfimtarë dhe sidomos, ekskluzivisht në dy nivelet e ligjërimit: 1) atij që i jepet ose fiton të drejtën e ligjërimit; 2) në natyrën ekskluzivisht femërore të këtij ligjërimi. Pikërisht këtu Musine Kokalari është e para dhe e vetmja e epokës së saj letrare. Pikëpamjet dhe estetika e saj letrare duket se mbizotërojnë diskursin e saj në fund të viteve 30’. Ato dëshmojnë një sens të ri në mendimin politik shqiptar që synon të reagojë ndaj realitetit në mënyrë kritike, por sidomos konstruktive, me ambicien për të ndërtuar një botë ideale. Është fjala për një përpjekje mendore arketipin e së cilës na e ka dhënë Platoni. Një pjesë të rëndësishme të shqetësimeve sociale zënë edhe skicat dhe poezitë me të cilat ajo kish debutuar në shtypin e kohës. Muza ose Tacita ishin pseudonimet me të cilat , para se të studionte në Itali, kishte firmosur në gazetat “Shtypi”, artikuj me të vërtetëtë sigurtë në vetvete për një vajzë të atyre kohëve, reportazhe dhe rrëfime që denonconin problemet shoqërore të gruas në vitet 30’. Janë pikërisht këto ide dhe pikëpamje që tentojnë drejt një modernizmi të shpejtë në jetën publike shqiptare që lënë paksa në heshtje në shënimet e jetës së saj të Universitetit ngjarje madhore në historinë e Shqipërisë si është pushtimi fashist në 7 prill 1939. Ndoshta në këtë përqasje kish ndikuar dhe debatet intelektuale te mesit të viteve 30’ në Shqipëri mbi antonominë e njohur Lindje-Perëndim. Kjo antinomi në shtypin e kohës merr trajta paradoksale ndër më të acaruarat.Editoriali i prillit 1936 i revistës “Lek” të etërve jezuitë (Shkodër) titullohet Lindje dhe Perëndim:orientalizëm dhe oksidentalizëm. Prirja e kësaj reviste duket e profilizuar qysh në 1934 në dy artikujt e jezuitit italian Zef Valentini: Shgatrrim dhe rilindje e korporatës dhe Si do të jetë korporata e ardhshme?ku propozohet si model shteti fashist italian.Po në“Leka” politika ekspansioniste e Italisë në lindje mbështetet në artikullin e tetorit 1936 Shqipnia dhe Panagjyri i Lindjes nga Gjikam(Gjon Kamsi)…Gazetarë prirjesh të ndryshme (T. Zavalani në Illyria, Sh.Samiu në Kuvendi Kombëtar, Z. Psimi në Leka etj) e paraqesin krizën shqiptare ai pasojë të një orientimi politik të gabuar, regresiv, d.m.th “oriental”, dhe parashikojnë për zgjidhje një kthesë vendimtare kah perëndimi, më sakt: kah një forme perëndimore regjimi . Ekspansioni kulturor italian influenconte shumë në botën intelektuale të Tiranës aq sa intelektualë të shquar të kësaj periudhe nuk arrinin të dallonin qartë format endryshme të regjimeve politike në Perëndim që fillonin nga demokracia liberale dhe mbaronin tek fashizmi. Më 1937 Musine Kokalari mbaroi Institutin “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas vijoi studimet në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941 me një temë diplome për Naim Frashërin.
Vitet e Luftës së Dytë Botërore
Katër vitet e saj në Romë janë të mbizotëruara nga kërkimi i vetvetes dhe zbulimi i madhështisë së qytetërimit evropian me të cilin ajo bie në kontakt të drejtë për së drejtë në Itali. Këto vite të përshkruara në librin e vet ‘Jeta ime Universitare’ (1940-1942) ku gjejmë dhe pasazhin mbi momentet e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Vizitat e mia shkruan Musineja u ndërprenë për disa kohë, nga nisja për në Shqipëri në 5 të prillit. Në mbrëmjen e asaj dite, kur mbrrita në Bari, pashë një grumbullim ushtarësh dhe e mësova arsyen. Më zuri frika duke menduar mbi situatën në të cilën ndodhesha. Ndruhesha vetëm që nuk do më lejonin të nisesha. Përkundrazi, po. Ndoshi vetëm me anijen e fundit dhe arrita të nesërmen në 6 prill, në Tiranë, në castin kur qielli ishte mbuluar me aeroplanë italianë. Anembanë mbretëronte një gjendje shpirtërore që mundet lehtësisht të përfytyrohet. Një qeveri ikte, një italiane e zevendësosnte. Në ato çaste ndjenjat më intime zgjihen dhe shpirti gjendet në një turbullirë të tmershme. Ajo mbrëmje ishte thellësisht e qetë, një lloj qetësie që jep një ndjenjë paniku, ndërsa, ngandonjëherë, dëgjoheshin disa gjuetje pushke. Një ditë kishte mbaruar dhe e nesërmja ishte e panjohur. Në 7 prill, nga mesdita hynë në Tiranë trupat italiane. Shpejt qyteti u mbush. Një gjuhë e re dëgjohej nëpër rrugë; hapa ushtarësh, motoçikletash e autokarrosh. Italianët, që jetojnë nëpër qytete të mëdha, ndeshen në sende të pakuptueshme për ta. Çdo karekteristikë orientalizmi (lindore), u jep atyre përshtypje varfërie dhe mbeten të mrekulluar e të habitur.
Edhe pse ky libër u shkrua në vitin 1942 në italisht kur Shqipëria ishte ende e pushtuar nga Italia Fashiste është një burim i mirë historik për të kuptuar mëdyshjet dhe përthyerjet e intiligjencës shqiptare për të nisur një rezistencë të hapur ndaj fashizmit. Nga njëra anë për herë të parë shteti shqiptar kishte hyrë në një etapë të re moderniti të manifestuar në zhvillim urban, modernizim administrate, kujdes shëndetësor e zhvillim social duke përfshirë dhe zmadhimin e tij në territore të banuar nga shqiptarë etnikë dhe në anën tjetër ishte suprimimi i shtetit shqiptar dhe lirive individuale nën një regjim fashist që drejtonte me dorë të hekurt gjithçka në Shqipëri. Misione të ndryshme shëndetsore italiane u dërguan në qytete e fshatra të Shqipërisë për të egzaminuar njerëzit e sëmur, u shpërndanë ilaçe, madje u bënë dhe ndërhyrje kirurgjikale. U ngritën spitale, qendra shëndetsore, maternitete, jetimore dhe azile për moshat e thyera, u luftuia malaria e tuberkulozi, si dhe u finacua Kryqi i Kuq Shqiptar. Këto masa sigurisht që u ndërmorrën në kuadër të fashistizimit të shpejte të vendit. Motoja e regjimit fashist që ishte instaluar në Shqipëri ishte Besim, Bindje, Luftë. Ajo ishte e shpërndarë në mënyrë kapilare në shoqërinë shqiptare të kohës në të gjitha format e organizimit fashist si organizatat “Bijtë dhe Bijat e Shqiponjës” që përfshinte moshën nga 6 deri në 8 vjeç, në “Balilla” nga 8 deri në 13 vjeç dhe këtu kishte vetëm djem, ndërsa vajzat e po kësaj moshe quheshin “Shqiptarkat e Vogla”. Grupmosha e tretë, 13-17 vjeç , quheshin ”Avanguardistë” për djem dhe “Shqiptaret e Reja” për vajzat. Grupmosha e katërt, nga 17-21 vjeç, quheshin Fashistët e Rinj ose Fashistet e Reja. Të rinjtë shqiptarë që studionin në universitetet italiane ishin të organizuar në “Grupet Universitare Fashiste”. Pranimi në organizatat fashiste bëhej pas betimit Në emër të Zotit e të Italisë betohem se do të ndjek urdhërat e Duçes për t’i shërbyer me të gjitha forcat e mia po të jetë nevoja edhe me gjakun tim çështjes së Revolucionit.
Nga burimet arkivore nuk rezulton që Musine Kokalari të ketë qenë pjesë e këtij organizimi të rinisë shqiptare universitare, por si pjesë e borgjezisë së kulturuar që po lindte e së cilës ajo i përkiste nuk qendroi pasive kur iu kërkua hartimi i një vepre letrare që do të nxirrte në pah kontrastin midis dy kulturave të dy brigjeve të Adriatikut dhe modernitetin që po përqafohej dita ditës nga ndikimi i drejtë për së drejtë i kulturës italiane në Shqipëri. Në pranverën e vitit 1940, Pietro Parini, asokohe i dërguari italian në Shqipëri, i jep detyrën autores “të shkruajë përshtypjet e një gruaje shqiptare në Itali”, duke iu referuar sidomos studentëve shqiptarë në kryeqytet. Libri që botohet në të përditshmen “Tomorri” në katër kapituj titullohet “Nënua Plakë në Romë” dhe është një vazhdim i novelave të mëparshme të botuar në 1939 “Siç më thotë nënua plakë”. Këndvështrimi i saj si shkrimtare e re vazhdon të mbetet origjinal edhe në këtë përmbledhje të vogël rrëfimesh. Nënua plakë në Romë është një tekst me substrat orientalist i ballafaqimit dhe antonomisë Lindje-Perëndim ku spikasin temat e feminizmit, urbanizmit, folklorit dhe antropologjisë sociale. Si të tilla ato janë tekste novatore në letërsinë shqipe të shkruara nga një shkrimtare e re, por në to nuk gjendet as dhe një grimcë filozofie politike që autorja do dëshmonte dy vjet më vonë me angazhimin e saj politik në sociademokracinë shqiptare. Duket se deri në fund të vitit 1941 Musine Kokalari nuk është përfshirë ose të paktën nuk ka dëshmi të përkatësisë së filozofisë së saj politike dhe interesat e saj si një studente e porsa diplomuar e filologjisë anojnë drejt gjetjes së rrugës së vet si shkrimtare. Kur kthehet në Tiranë pas studimeve universitare në 1941a jo i rrëfen Ali Asllanit, mik dhe shkrimtar, bashkëpunëtor i revistës “Gruaja Shqiptare” dhe sikurse dhe ajo, autor i një narrative të frymëzuar nga shoqëria folklorike shqiptare: “Dua të shkruaj, të shkruaj e vetëm të shkruaj letërsi dhe të mos kem fare të bëj me politikë”. Angazhimi i saj letrar fillon si një pikënisje për të rrëfyer traditat, peisazhet rurale, folklorin dhe etnografinë, vështirësitë dhe pasiguritë sociale në shoqëri të mbyllura patriakale çka më vonë e drejtuan drejt zgjidhjeve politike që duhet tu jepeshin këtyre problemeve. Në këtë përqasje të saj ndaj rrëfimit të problematikave të shoqërisë shqiptare të kohës duket se në mënyrë të pavetëdijshme ajo influencohet nga verizmi italian i shprehur shumë qartë më vonë nga realizmi letrar i Gioavanni Verga dhe Luigi Capuana, deri tek Carlo Levi dhe Pierpaolo Pasolini dhe shkollës së begatë historiografike, antropologjike dhe folklorike të Italisë së Jugut. Kjo përqasje e saj letrare dhe estetike ndaj realitetit shqiptar si dhe angazhimi në shkruajtjen e temës së diplomës mbi Naim Frashërin, apostullin e shqiptarizmës duket se shtrojnë udhën për pjekurinë e saj politike në shtratin e tradicional të politikës shqiptare që rrënjët i kishte në lëvizjen kulturore e politike të njohur si Rilindja Kombëtare (1878-1912). Në këtë angazhim të ri të saj politik që e përfton në Tiranë sigurisht që kanë influencuar edhe figura të rëndësishme të jetës politike e kulturore së Shqipërisë si Mithat Frashëri, Ernest Koliqi, Aleksandër Xhuvani, Ali Asllani, Sotir Kolea, Mitrush Kuteli, Lasgush Poradeci etj me të cilët siç dëshmohet nga arkivi familjar dhe ai që ndodhet në Arkivin Qendror të Shtetit ajo ka pasur kontakt dhe letërkëmbim përgjatë periudhave 1937-1942. Këto figura të rëndësishme të jetës publike, politike e sociale në Shqipëri pavarësisht angazhimeve të tyre politike apo nautralitetit ndaj regjimit fashist ushtarak që kishin imponuar italianët në Shqipëri vazhdonin të përcillnin në jetën publike shqiptare, kulturën politike të nacionalizmit shqiptar të nisur me themelimin e shtetit kombëtar shqiptar e të përforcuar gjatë qeverisjes së Zogut. Gjatë qendrimit në Itali Musine Kokalari ishte ballafaquar me luftën në momentin kur P. T., një djalosh italian me të cilin ajo bie në dashuri rekrutohet dhe shkon në Libi për të luftuar por është vetëm në Shqipëri në korrik të vitit 1942 që ajo gjen një moment ndriçimi që përcakton edhe angazhimin e saj politik në forcat e rezistencës ndaj regjimit pushtues italian. Deri më atëherë Musine Kokalari siç kujton në librin e vet ‘Jeta ime Universitare’ (1940-1942) nuk kishte ndjerë një përfolje dhe diskriminim si shqiptare në Itali dhe përgjithësisht përshkruan me pozitivitet marrëdhëniet midis dy vendeve. Kushtet e shtetit dhe të politikës shkruan ajo-megjithëse ishin miqësore shkaktonin shpesh herë në qenien tonë, ndofta pa të drejtë, intepretime pak të këndshme. Në vitin e parë, i cili nuk më harrohet, ndonjë nga italianët ka ofenduar, pa dashje, vogëlsinë e vendit tim. Episodi i dytë që ajo përshkruan në kujtimet e saj është momenti i shpërthimit të Luftës Italo-Greke në 28 tetor 1940. Qe në këtë kohë-shkruan ajo-opinioni publik italian mbarti urrejtje kundrejt popullit shqiptar për tradhëti të supozuar nga ana jonë, në kufirin greko-shqiptar. Gjithësesi të dy incidentet e përshkruara nuk ishin të mjaftueshëm për ta kthyer atë që të ndërmerrte një angazhim të drejtë për së drejtë politik në forcat e rezistencës. Ndërkohë që Musine Kokalari studionte në Romë, në Shqipëri kishte filluar rezistenca antifashiste ndaj pushtimit italian. Shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore dhe hyrja në të e demokracive perëndimore i vuri shqiptarët pra dilemës së orientimit: ose me Boshtin fashist, ose me “plutokracinë”, siç i kishte cilësuar Musolini, Francën dhe Britaninë e Madhe. Një klikë mercenare e koloboracioniste, me pak segmente të zgjatura të saj, u bashkua me fashizmin. Fytyra e këtij regjimi në publik ishin gazeta “Fashizmi” e më vonë “Tomorri”, emisionet e Radio Tiranës dhe gjithë propaganda figurative filmike. Kjo ishte “Shqipëria fashiste”. Gjithësesi kufijtë mes atyre që nisën bashkëpunimin me italianët dhe atyre që ish neutralë apo filluan paksa më vonë rezistencën nuk ishin kaq të ndarë. Elita tradicionale shqiptare kishte rezervat e veta ndaj Britanisë së Madhe dhe Francës që në konfigurimet e tyre gjeopolitike në Ballkan kishin mbështetur më tepër fqinjët e shqiptare, grekët dhe serbët dhekishin krijuar një Shqipëri të cunguar në vitin 1913. Shqipëria ishte një nga viktimat e para të të ashtuquajturit rend i ri fashist dhe i konfigurimit të hartës gjeopolitike që Fuqitë e Boshtit dëshironin t‘i jepnin botës. Pushtimi i saj nuk solli kundërshtime të ashpra diplomatike. Kryeministri anglez, Charmberlen u shpreh në Dhomën e Komunëve se “Anglia nuk kishte interesa në Shqipëri” dhe shkoi ta kalonte fundjavën për peshkim. Edhe Fuqitë e tjera të Mëdha e njohën pushtimin fashist, me përjashtim të SHBA, Turqisë dhe Egjiptit shtete që vazhduan t’i mbajnë hapur ambasadat e vjetra të shtetit shqiptar dhe nuk e njohën shtetin e ri kuisling shqiptar, të përfaqësuar nga mëkëmbësi i mbretit të Italisë, Jakomoni dhe kryeministri shqiptar, Shevqet Vërlaci. Mund të imagjinohet sa i madh qe zhgënjimi i nacionalistëve shqiptarë, të cilët disa muaj më vonë panë se agresioni ndaj një vendi tjetër, siç ishte Polonia, do të sillte reagim të fortë diplomatik dhe ato fuqi që e kishin braktisur Shqipërinë në fatin e vet do të futeshin në luftë kundër Boshtit. Parimet e Konferencës së Paqes dhe të Lidhjes së Kombeve u shkelën me të dyja këmbët në rastin e Shqipërisë dhe u respektuan tërësisht në rastin e Polonisë. Barazia midis shteteve, që ishte një nga parimet bazë të themelimit të Lidhjes së Kombeve rezultoi më tepër një qëndrim retorik dhe nuk përfaqësonte aspak një vullnet të fortë politik. Ky reflektim nacionalist i shtrirë në të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare të kohës sidomos pas disfatës italiane në luftën Italo-Greke gjeti një përkrahje e mbështetje veçanërisht tek të rinjtë e shkollave, një pjesë e mësuesve të tyre , por edhe studentë tek intelektualë atdhetarë. Ata ndjenë nevojën e organizimit, të manifestimit e të veprimit antifashist. Në Shqipëri ende në vitin 1939 nuk kishte organizata të mirëfillta politike antifashiste. Kishte vetëm disa grupe të vogla komuniste në Korçë, Shkodër e Tiranë, si dhe individë e bërthama me bindje republikane, monarkiste dhe antifashiste. Pikërisht tek të rinjtë( një pjesë e shoqeve të saj prej Institutit Femëror) dhe intelektualë atdhetarë disa prej të cilëve edhe miq familjarë, Musine Kokalari do të gjej mbështetje për të diskutuar idetë e saj dhe në disa raste do të përfshihet në aktivitete të përbashkëta politike. Ndërkohë jeta politike në vend kish filluar polarizimin ku komunistët shqiptarë ishin organizuar në PKSH të krijuar me asistencë jugosllave dhe nacionalistët kishin formuar organizatën politike të “Ballit Kombëtar” me pikëpamje republikane e reformatore. Shqipëria për fat të keq nuk kishte traditë të përfaqësimit të partive politike pasi Mbreti Zog nuk kishte lejuar formimin e tyre dhe përvoja politike ishte shumë e varfër në këtë drejtim. Musine Kokalari merr kontakte me të dyja krahët e rezistencës dhe vet ajo sipas kujtimeve të bashkëkohësve merr pjesë në aksione të rezistencës antifashiste. Musineja ishte tepër e kthjellët dhe kishte bindjen kujton shoqja e saj Seflixhe Ciu që komunizmi dhe fashizmi skanë asnjë ndryshim midis tyre, përderisa dhe vrasin njeriun…Musineja ishte antifashiste e vendosur. Dhe atë ditë, në korrik 1942, kur erdhi të më takonte, e gjeti oborrin e burgut mbushur me vajza të reja, të arrestuara nga të gjitha anët e Shqipërisë. Vajzat këndonin në oborr. Se mjaft në robëri/O e mjera Shqipëri/ O djem rrëmbeni pushkët/Ja vdekje, ja liri”. Nuk do ta harroj kurrë shprehjen e fytyrës së Musinesë. Mbeti si e hipnotizuar para asaj force dhe asaj dëshire të jashtëzakonshme të vajzave shqiptare për LIRI. Ishte ajo rini e bukur që ia blatoi jetën çlirimit të Shqipërisë. Po ndoshta në sytë e saj ishte dhimbja. Ato vajza ishin gati për dasmë dhe nuk e llogarisnin farejetën. “Si mundet brishtësia e shpirtit të vajzës shqiptare të jetë një uragan i tillë”? Çdo të vijë pas uraganit?
Përfshirja e Musine Kokalarit në rezistencën shqiptare që kishte filluar do të sillte një risi në përfshirjen e grave të shkolluara në luftë. Ajo do të kërkonte që të përshtaste traditën më të mirë të trashëgimisë politike të Shqipërisë me parimet e demokracisë liberale të Britanisë së Madhe dhe Francës. Në librin e vet të shkruar në vitin 1972 “Si u formua Partia SocialDemokrate” ajo shkruan se idealet e Rilindjes ishin të gjalla, të shëndosha. Demokratët e shikonin dhe mbështeteshin tek ideja e zhvillimit, e evolucionit hyrë në ndërgjegjen shoqërore si zhvillim gradual. Në të njëjtën kohë ajo bën dallimin e qartë të ideve tradicionale të zhvillimit të Shqipërisë me idealet e së majtës ekstreme, komunizmit që kishin hyrë edhe ato në Shqipëri. Po krahas këtyre idealeve shkruan ajo,Revolucioni i Tetorit pruri ideale të tjera revolucionare që hynin në Shqipëri dhe u formuan grupet komuniste jo me shtrirje në shkallë kombëttare, por të kufizuara dhe me oarime jo të qarta, as të njëllojta.
Përsa i përket formimit të saj intelektual Musine Kokalari dukej se kishte kaluar nëpër shkollën evolucioniste të mendimit politik shqiptar. Kjo shkollë edhe pse jo e afirmuar nga ideologë të mirëfilltë përfshinte brenda vetes ide republikane e liberale që nga Rilindja Kombëtare e deri në vitet 40’. Si ideolog i respektuar dhe me influencë të madhe në jetën publike shqiptare sidomos të kolonisë shqiptare në Turqi prej nga vinte dhe Musine Kokalari ishte filozofi dhe gjuhëtari Sami Frashëri. Në vitin 1899 ai kishte botuar në Bukuresht traktatin politik “Shqipëria çka qenë , ç’është dhe çdo të bëhet” që ishte kthyer në një manifest të elitës liberale shqiptare. Përfaqësuesi i kësaj elite që kish lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën shqiptare gjatë viteve 30’ ishte Mithat Frashëri (1880-1949), nipi i Sami Frashërit dhe një nga themeluesit e mëvonshëm të organizatës nacionaliste “Balli Kombëtar”. Libraria e Mithat Frashërit në rrugën Mbretërore në Tiranë ishte kthyer prej kohësh në një vend ku diskutoheshin dhe shpërndaheshin idetë liberale të kohës. Unë e kam njohur këtë ambjent që në vogëli, shkruan ajo kur përshkruan Librarinë e Mithat Frashërit ku kishte kontakte me intelektualë të tjerë shqiptarë të njohur të kohës si Sotir Kolea, Aleksandër Xhuvani e Mati Logoreci. Jam rritur me gjithçka që po rritej zhvillohej, kërkohej ishte mbështetur në botëkuptimin e thellë iluminist dhe në reformizmin e parlamentarizmin që na e ushqeu Sami Frashëri që në bangat e shkollës. Është pikërisht në këtë ambjent ku ajo sëbashku me Skënder Muçon, Isuf Luzin dhe Selman Rizën themelon Partinë SocalDemokrate të Shqipërisë si një alternativë evolucioniste dhe rrugë të mesme që të lidhte me të forcat e pakristalizuara, duke u radhitur me të në aleancë me Partinë Komuniste në gjirin e Frontit Nacionalçlirimtar. Musine Kokalari zgjedh me vetëdije të plotë bashkimin e të gjitha forcave antifashiste mbi bazën e një aleance demokratike dhe për këtë arsye kur bie në kontakt me Nexhmie Xhuglinin më vonë Hoxha i parashtroi intesifikimin e luftës kundër okupatorit dhe parashtrimin për të hyrë në gjirin e Frontit Nacionalçlirimtar, jo si individë të veçantë por si grup demokratik ose më mirë si parti (socialdemokrate). Përpjekja e Musine Kokalarit për të themeluar rrugën e mesme në Shqipëri pjesëmarrëse në rezistencën e armatosur ra në vesh të shurdhër si nga përfaqësuesit e PKSH ashtu dhe nga udhëheqësit e organizatës politike “Balli Kombëtar”. Rezistenca e armatosur ndaj fashizmit italian ishte opsioni më i pranueshëm dhe i përshendetur edhe nga aleatët ë e mëdhenj që në dhjetor të vitit 1942 në deklarat e tyre përkatëse. Në këtë kuadër Musine Kokalari shprehet në librin e vet “Si lindi Partia Social-Demokrate” (1972) se pushtimi italian pra, nxorri në plan të parë luftën. Gjithë ish të emigruarit në kohën e Zogut, të kthyer në vend, kishin dëshirën, që në gjendjen e re të bëhej e mundur dhe vendi me një luftë demokratike dhe të mbështetur në ndihmën e aleatëve, të arrinin në një Shqipëri demokratike konstuticionaliste që ishte dhe opinioni i gjithë demokratëve të vendit. Edhe pse midis programit të Ballit Kombëtar të quajtur “Dekalogu” kishte një lidhje organike me programin e Partisë Socialdemokrate të përpiluar nga Musine Kokalari dhe Isuf Luzajt, udhëheqësit e “Ballit Kombëtar” Mithat Frashëri dhe Hasan Dosti nuk e pranuan alternativën e krijimit të këtij formacioni të ri politik me arsyen se do të përçahej organizata e tyre politike. Pavarësisht këtij fakti të nxitur edhe nga gjendja e brendshme politike e marrëdhëniet midis forcave politike të kohës, Musine Kokalari dhe Isuf Luzaj duke njohur moralisht Skënder Muçon si udhëheqës vazhduan me projektin e themelimit të Partisë Socialdemokrate dhe organit periodik të shtypit të titulluar “Zëri i Lirisë”. Data e saktë e themelimit të Partisë Socialdemokrate nuk dihet, por për të është shkruajtur në shtypin e kohës së LANÇ si tetor 1943. Numri i parë i gazetës së “Zëri i Lirisë” është 1 kallnor (janar) 1944. Në faqet e Zërit të Lirisë shpallet dhe popullarizohet, në radhë të parë, programi i Partisë Socia-demokrate , si dhe ndonjë aspekt i statutit të saj (i pabotuar në këtë organ dhe që nuk ka arritur si dokument as në arkivat tona). Sipas kujtimeve të Musine Kokalarit në librin dëshmi “Si lindi Partia Social-Demokrate” (1972) përpjekja e parë socialdemokrate në shtypin shqiptar të kohës ajo kish këmbëngulur për të vazhduar botimin e saj si alternativë e mesme në konfliktin politik që kish filluar në Shqipëri në tetor të vitit 1943. Musine Kokalari ishte e vetëdijshme se gazeta dhe fraksioni politik që ajo përfaqësonte nuk do të ishte i suksesshëm madje shton se dhe me Skënder Muçon, Isuf Luzajn dhe Skënder Rizaj që e themeluam nuk u takuam më bashkë. Mungesa e një kohezioni dhe organizimi sigurisht që do të ndikonte dhe në vazhdimësinë e alternativës socialdemokrate në vitin 1944, por Musine Kokalari dëshmon se qëllimi i saj ishte largpamës dhe do i shërbente i Shqipërisë në momentin kur ajo do çlirohej nga gjermanët. Unë i nxora ato gjashtë numra shkruan ajo vetëm me një qëllim: Qe përshkruar një rrugë, një program partie. Pas çlirimit, në qoftë se do të ishte Shqipëria demokratike të mbështeteshim në atë rrugë dhe të vazhdonte. Për këtë arsye qysh në kryeartikullin e parë të gazetës shënohet se alternativa socialdemokrate rreshtohet përkrah rrymave të tjera politike sëbashku me komunistët e vërtetë shqiptarë, zjarristët e patundur, rreth birit të Abdylit, (Mithat Frashërit) flamurtarit të 78’. Duket se më tepër se një realitet i mundur në vitin 1944 pretendimi i mësipërm ishte një dëshirë për të arritur një nga synimet e Partisë Socialdemokrate, rruga e mesme e nje bashkimi që kishte dështuar në Mukje. Në të njëjtën kohë përmendja e përbashkimit rreth figurës së Mithat Frashërit dëshmon edhe afërsinë ideologjike të programit të socialdemokratëve me Dekalogun, programin e “Ballit Kombëtar”.
Në numrin e parë të gazetës krahas botimit të programit të Partisë Socialdemokrate bie në sy një tjetër shkrim programor me titullin “Misioni i Partisë Sociademokrate”. Në artikull zbërthehet programi i Partisë Socialdemokrate ku bie në sy ndarja n dy etapa i misionit dhe idesë socialdemokrate në Shqipëri. Në etapën e parë sipas artikullshkruesit synohet indipendenca dhe kufijtë etnikë, istalimi i një qeverie demokratike… ndërsa në etapën e dytë parashikohet vendosja e drejtësisë shoqërore shoqëruar me të gjitha referimet për popullin shqiptar . Artikulli nuk ka emër në fund por duke pasur parasysh pohimin e Musine Kokalarit kur shkruan për botimin e gazetës se… unë (Musineja) nxirrja material andej këndej. Ndihmonte dhe Isuf Luzi dhe e vetmja munda të nxjerr gjashtë numra mund të supozohet se artikulli është i Musinesë ose Isuf Luzit që kishin hartuar dhe programin e Partisë Socialdemokrate. Po kështu një veçori tjetër e rëndësishme e këtij organi të shtypit të partisë Socialdemokrate është përdorimi për herë të parë në termiologjinë e shtypit të shkruar të termit nacionalist në vend të fjalës ballist, një term që u rrimor në shtypin shqiptar të viteve 90’. Origjinaliteti i këtij organi krahasuar me organet e tjera shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore është trajtimi relativisht i gjerë i së ardhmes, i problemeve social-politike, kryesisht në prizmin teorik nga një këndvështrim socialdemokrat, i programit të formacionit politik që përfaqësonte. Një aspekt të rëndësishëm në gazetë zinte përgatitja ideologjike dhe pasqyrimi i ideve socialdemokrate që do duhesh të hidhnin rrënjë në realitetin shqiptar. Nga pasqyra e lëndës del se me këtë problematikë janë botuar në “Zërin e Lirisë” 12 artikuj propagandistikë, studimorë dhe pjesë të përkthyera nga literatura botërore . Me interes të veçantë janë edhe artikujt që lidhen me realitetin shqiptar dhe sfidat e socialdemokracisë në një vend që kish hyrë me vonesë në procesin e industrializmit dhe zhvillimit urban. Në gazetë trajtohen sipas prizmit socialdemokrat çështje të sindikalizmit në artikujt “Punëtorija e shtypshkronjave” dhe “Klasa dhe kolektivitete në vendin tonë”. Gazeta kishte si moto të vet në krye të ballinës devizën “Drejtësi shoqërore dhe liri politike”. Këto dy synime që ishin të pasqyruar dhe gjerësisht në programin e Partisë Socialdemokrate, në fakt konkurronin si ide me atë çfarë propagandonte dhe PKSH forca më e madhe e rezistencës antifashiste e organizuar jo vetëm politikisht duke udhëhequr Frontin Nacionalçlirimtar, por edhe ushtarakisht në formën e batalioneve dhe brigadave partizane. Kjo duhet të ketë qenë një nga arsyet që forma e bashkëpunimit që iu afrua Partisë Socialdemokrate ishte vetëm futja në gjirin e Frontit Nacionalçlirimtar të anëtarëve të kësaj parti si anëtarë të thjeshtë dhe jo si formacion politik. Konflikti politik midis PKSH dhe Ballit Kombëtar i nisur në tetor 1943 me ardhjen e gjermanëve në Shqipëri nuk la shumë hapësira për rrugë të mesme dhe bashkim të të gjitha forcave të rezistencës. Në këtë kontekst pas përfundimit të Operacionit të Dimrit nga forcat gjermane ku një pjesë e madhe e forcave të Ballit Kombëtar bashkëpunuan me to për të goditur bazat dhe forcat e armatosura të Frontit Nacionalçlirimtar, alternativa socialdemokrate edhe pse me një mbështetje të mjaftueshme në Tiranë ku në një mbledhje ku u shpall themelimi i saj sipas Musine Kokalarit morën pjesë 60 veta, u shpërbë. Një grup të rinjsh shkruan Musine Kokalari ikën në Berat dhe forca gjermane intesifikohej më keq. Vrau Skënder Muçon në Vlorë që u takua me englezët. Balli u paralizua. Bëri në Berat Kongresin dhe një pjesë e krerëve të tij, si Kolë Tromara, Bahri Omari, Koço Muka muarnë pjesë në qeveri. Unë (Musine Kokalari) nuk e nxora më gazetën. U mora vetëm me letërsi. Çdo përpjekje qe e kotë, nga të dy palët.
Në gjysmën e dytë të vitit 1944 ajo i rikthehet pasionit të saj letërsisë duke botuar dy libra: …”Sa u tunt jeta”…dhe “Rreth Vatrës”. Të dy librat paraqesin një interes të madh etnografik e folklorik pasi i pari është përshkrimi i dasmës gjirokastrite dhe i dyti një përmbledhje përrallash të mbledhura nga Musine Kokalari. Kjo atmosferë idilike e me kalldrëmet, çatitë e kështjellën e Gjirokastrës e rrëfimet e përrallave që mbartin mënçurinë, mjediset, zgjidhjet , moralin e ndjesinë ndaj së bukurës ndërpritet nga tragjedia familjare e shkaktuar nga terrori i kuq në ditët e çlirimit të Tiranës. Filloi lufta e Tiranës kujton Musine Kokalari në librin e vet ‘Si lindi Partia Social-Demokrate’ (1972) 12 nëntor, mi morën dy vëllezër e shumë veta në lagje (për fat vëllai i tretë ishte i sëmurë me tifo) i vranë “ushtarakë çlirimtarë”. Më 13 nëntor më arrestuan. Më mbajtën në një shtëpi tek lagjia jonë. Ndaj të gdhirë kapërcyem tek rruga e Fortuzit, ndën gadishmërinë e tanksit gjerman. Na shpunë në rrugën Bardhyl. Na përplasën në bimsat e një shtëpie ku qenë shumë të burgosur, të mbledhur andej këndej. Ky moment që është fillimi i kalvarit të vuajtjes së Musine Kokalarit nuk është i dokumentuar në arkiva dhe na vjen i dokumentuar nga kujtimet e saj. Një nga akuzat që i bëhe nga dy hetuesit partizanë që e marrin në pyetje Sylo Kozeli dhe Sotir Polena është se ajo është socialdemokrate dhe se ka sjellë përçarje gjatë luftës. Është ironik fakti që të njëtën akuzë për përçarje i kishin bërë dhe krerët ballistë kur ajo i pat lajmëruar për formimin e Partisë Socialdemokrate. Në datën 28 nëntor ajo lirohet por Musine Kokalari është e ndërgjegjshme se një epokë ka përfunduar për popullin shqiptar dhe ka filluar një epokë e re. Filloi tragjedia e individit demokrat shkruan ajo, nënë diktaturën e proletariatit. Kështu u mbyll epoka e Rilindjes dhe tendenca demokratike nga pozita humaniste që mbron popullin e thjeshtë, njeriun e punës për të shpëtuar nga skllavëria fizike dhe shpirtërore dhe dinjitetin njerëzor. Hyri dhuna dhe gjakderdhja për të shfarosur demokraten dhe gëzimi mizor për gjakderdhje, me forcë e mospërfillje.
Vitet 1945-1982
Në historinë e rezistencës antikomuniste të Evropës Lindore, Shqipëria si vendi që hyri shumë shpejt se çdo vend tjetër i Evropës Lindore në procesin e sovjetizimit, nuk ka shumë histori politike për të rrëfyer pasi çdo mjet dhe akti i rezistencës u shtyp dhe u përndoq nga regjimi komunist. Udhëheqja e re komuniste që erdhi në pushtet pasi ndaloi kthimin e mbretit Zog në vend, shpalli se do të krijonte një tip demokracie popullore që do të reflektohej në kthimin e vendit në republikë dhe respektimin e disa të drejtave të njeriut. Deklarata e KANÇ-it në 24 tetor 1944 hapte shumë shpresa se pushteti i ri që po vinte në fuqi ndoshta do të mund të respektonte disa parime minimale të demokracive popullore. Sigurisht që këto shpresa përvijoheshin në njerëzit që nuk e njihnin natyrën e regjimeve komuniste dhe metodat e tyre për të dominuar në jetën politike të vendit, pasi për një pjesë të madhe të intiligjencës së kohës nuk kishte dyshim se komunistët ashtu si dhe gjatë luftës do të përpiqeshin që të mos ndanin pushtet me asnjë fraksion tjetër politik. Periudha kur pushteti komunist në Shqipëri dha iluzionet që mund të pranonte edhe një pjesëmarrje të opozitës është shumë e shkurtër. Ajo zgjati nga dhjetori i vitit 1944 deri në dhjetor 1945 periudhë në të cilën ende nuk kishte mbaruar zyrtarisht Lufta e Dytë Botërore dhe ende nuk ishin ndarë zonat e influencës në Evropën Lindore. Gjatë kësaj kohe Shqipëria po sovjetizohej me hapa shumë të shpejtë nën asistencën jugosllave. Mirëpo pavarësisht hapave të shpejtë që po hidhnin në këtë drejtim, qeveria komuniste formalisht po ndiqte dhe hapat e legjitimitetit të pushtetit. Zgjedhjet e para për të formuar Asamblenë Kushtetuese që do të vendoste dhe formën e qeverisjes në Shqipëri, do të mbaheshin në datën 2 dhjetor 1945. Zhvillimi dhe mbarëvajtja e tyre ishte një kushtet që duhet të plotësonte qeveria shqiptare, në mënyrë që të fitonte njohjen e plotë dhe të pakushtëzuar. Masat e shpejta të komunistifikimit të shtetit dhe të qeverisjes, edhe pse P.K.SH vazhdonte të mos deklarohej hapur dhe të fshihej përmes FNÇ, kishin krijuar një klimë jo shumë të përshtatshme për gjallërimin dhe pjesëmarrjen politike të opozitës shqiptare në jetën publike e sociale të vendit. Në Shqipëri tashmë ishte vendosur një regjim komunist sipas modelit sovjetik, por në ndryshim nga “demokracitë e tjera popullore”, ky proces u zhvillua me asistencën dhe mbështetjen direkte të Jugosllavisë dhe Titos . Shumë shpejt, në vlagën e korrospondencave të Qeverisë së Përkohshme me qeveritë e Aleatëve për të siguruar njohjen, si dhe masave për komunistifikimin e Shqipërisë, edhe perëndimorët që operonin në Shqipëri nëpërmjet misioneve të veta ushtarake dhe civile e ndjenë të nevojshme të ndihmonin dhe përkrahnin opozitën e brishtë shqiptare. Për më tepër, brenda vetë FNÇ, kishte figura dhe personalitete që nuk binin dakord me format e organizimit të ri shtetëror, si gjykatat vendore, këshillat dhe komitetet egzekutive, forma të huazuara nga sistemi komunist sovjetik. Një pakënaqësi e madhe tjetër ishte dhe e elementëve të shpronësuar apo tregtarëve të mëdhenj, pasuria e të cilëve u ishin nënshtruar ligjit të Tatimit të Jashtëzakonshëm të Luftës.
Kontaktet e para të britanikëve me opozitën u vendosën në qershor të vitit 1945, përmes njërëzve që punonin pranë Misionit Ushtarak Britanik, si Kiço Xhonga, Ing.Avdulla Muça, Shaban Balla, Niko Beço, Hivzi Golja, Llazi Posti etj. Intelektualët e mësimpërm, të afërt me Misionin Ushtarak Britanik, siguruan komunikimin midis këtij misioni me koordinatorin e grupit të rezistencës Sami Çeribashi, me elementë të përjashtuar nga Fronti si ish ministrin e arsimit Gjergj Kokoshi dhe grupin social-demokrat të përfaqësuar nga Musine Kokalari. Gjithashtu ata përfshinë në Komitetin inisiator të krijuar në pranverë 1945 edhe Qenan Dibrën eksponent i njohur i Partisë së Legalitetit. Grupimi Social-Demokrat kryesohej nga Musine Kokalari, intelektuale dhe shkrimtare e njohur për kohën. Ky grupim ishte krijuar që gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në të bënin pjesë figura të njohura të botës së pakët intelektuale shqiptare të kohës si Avokat Suad Asllani dhe Musa Disdari. Është interesant fakti se vazhdimisht opozita shqiptare e pas luftës është konsideruar en block si opozitë e mbështetur në ideologjinë e djathtë. Ky sugjerim dhe mendim duke analizuar grupimet e opozitës nuk i përgjigjet realitetit. Sipas një analize të programit të Partisë Social Demokrate, parti në të cilën Musine Kokalari ishte themeluese i përkiste skeptrit të majtë të partive politike realiteti është më i larmishëm.
Grupimi social-demokrat përfaqësonte një rrymë të moderuar të së majtës shqiptare, e cila ishte për një evolucion të shoqërisë shqiptare pa qenë e nevojshme të ndërmerreshin masa ekstreme të kopjuara nga sistemi komunist në Bashkimin Sovjetik. Në nenin dy të statusit të Partisë Socialdemokrate shkruhej se PSD është evoculioniste përsa i përket kolektivizmës ekonomike. Pra grupimi socialdemokrat kërkonte evolucion të marrëdhenieve ekonomike në Shqipëri dhe jo një kolektivizim të dhunshëm që u zbatua nga komunistët shqiptarë. Po kështu përsa i përket problemit agrar, një nga problemeve më të mëdha të shoqërisë shqiptare të asaj kohe PSD në statutin e vet, neni tre shënonte se ka për qëllim kryesor t’i sigurojë bujkut tokën e mjaftueshme për të punuar, të zhdukë shfrytëzimin,spekulimin dhe parazitizmin. Gjithashtu do t’i sigurojë proletariatit bukën, banimin dhe të gjitha ndihmat e tjera për t’ja bërë jetën e këndshme. Siç shikohet nga frazeologjia e përdorur PSD ishte shumë afër qëndrimeve të së majtës shqiptare që synonte një shndrrim social që t’i përgjigjej nevojave të kohës. Si qëllim të afërt dhe shpresëdhënës për të realizuar një balancë ekonomike në jetën e popullit shqiptar, PSD shikonte realizimin e një reforme agrare që do të ishte etapa e parë e ndarjes së tokës . Për më tepër në program synohej në realizimin e një sistemi sigurimi shoqëror për mbrojtjen e të gjitha klasave shoqërore. Musine Kokalari dhe socialdemokratët shqiptarë ishin të ndërgjegjshëm se në Shqipëri duhet të kishte një drejtësi shoqërore në mënyrë që të kishte më shumë liri politike. Edhe në aspektin e politikës së jashtme PSD ishte në mbështetje të të një ideje për realizmin sa më parë të një konfederate ballkanike, duke qenë një hap më parë se dhe vet komunistët shqiptarë që nuk guxonin ta shprehin hapur në asnjë program të tyre këtë qëllim. Mirëpo pavarësisht këtyre qendrimeve shumë të ngjashme me komunistët shqiptarë, sërish qendrimet e tyre u quajtën të rrezikshme për monopolin e pushtetit që dëshironin të arrinin komunistët sepse sociademokratët ishin për një jetë aktive parlamentare dhe egzistencën e opozitës në jetën politike të vendit përfshinte të tre organizatat. Gjithësesi edhe Misioni Ushtarak Britanik që ishte më aktivi në takimet dhe konsultimet me opozitën shqiptare nuk ndiqte preferenca partiake. Ata ishin të interesuar për të pasur një opozitë të bashkuar në mënyrë të tillë që jeta politike në Shqipëri të mos monopolizohej nga Partia Komuniste Shqiptare.
Në takimet e dëndura të shefit të Misionit Ushtarak Britani, Palmerit dhe anëtarëve të këtij misioni, majorëve Smith, Arnot dhe Leon me komitetin iniciator të përbërë nga të ri grupimet ishte nënvizuar nevoja për krijimin e një opozite të bashkuar që do ti përfshinte të tre organizatat. Pas takimeve të shumta me britanikët, u ra dakord që në mbledhjen e parë të përbashkët të tre grupeve dhe me praninë e Gjergj Kokoshit, në datën 17 nëntor 1945 të krijohej një Komitet Nacional i organizatës Bashkimi Demokratik. Në këtë takim u shtrua për shqyrtim edhe çështja e pamundësisë së pjesëmarrjes në zgjedhje pasi kishte mbaruar afati ligjor, afat që sipas ligjit shkonte të paktën 40 ditë para datës zyrtare të zgjedhjeve. Në këtë kontekst, duke mos pasur mundësinë nga ana ligjore për të marrë pjesë në zgjedhje, u shqyrtua versioni i kërkesës për shtyerjen e datës së zgjedhjeve. Për këtë arsye ata vendosën t’i drejtoheshin me një memorandum aleatëve ku do të shpreheshin qartë kërkesat e tyre, përfshi dhe mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve të 2 dhjetorit. Kësaj radhe në mbledhjen e datës 20 nëntor që u organizua në shtepinë e Shaban Ballës, me profesion gjeometër dhe shofer pranë Misionit Ushtarak Britanik, e kryesoi Gjergj Kokoshi. Për këtë rol udhëheqës të Gjergj Kokoshit, mesa duket ka luajtur rol, kredencialet e dhëna nga anglezët por edhe autoriteti i tij i padiskutueshëm si ish ministër i Arsimit dhe Kulturës Popullore dhe ish anëtar i kryesisë së Frontit Demokratik. Në mbledhjen e dytë të opozitës Gjergj Kokoshi ra në mosmarëveshje me Musine Kokalarin për pikat e hartimit të Memorandumit dhe krerët e grupeve.Musineja kërkonte të përfshihej në memorandum kërkesa për zhvillimin e një plebishiti në Kosovë për vetëvendosje. Këtë qendrim Musine Kokalari e mbështeste jo vetëm në formimin e vet kombëtar nën frymën e Rilindjes Kombëtare por edhe në nenet e statusit dhe frymën që kishin ndërmarrë intelektualët që kishin themeluar Partinë Social Demokrate. Në nenin VI të statutit të PSD shkruhet partia ka për qëllim të luftojë kundër çdo okupatori për indipedencën e një Shqipërie të unjisur brenda kufijve të saj etnikë
Duket se nën arsyetimin e sigurimit të mbështetjes britanike ndaj opozitës dhe aktivitetit të saj, ky moment i mos rënies dakord mes grupeve për çështjen e Kosovës, u kapërcye dhe në datën 22 nëntor u organizua mbledhja e tretë në shtëpinë e Ali Kavajës, anëtar i Grupit të Resistencës, nëpunës tatimor para pushtimit dhe gjatë kohës së luftës. Në këtë mbledhje u hartua Memorandumi në frëngjisht nga Musine Kokalari dhe Qenan Dibra, e cila iu dorëzua misioneve anglo-ameriakane prej Qenan Dibrës, Shaban Ballës dhe Sami Qeribashit. Ndërkohë një notë tjetër i ishte dorëzuar Misionit Ushtarak Britanik më parë nga Komiteti Inisiator i Opozitës dhe programi prej 13 faqesh i hartuar nga Kiço Xhonga, e përkthyer në anglisht nga Emin Bakalli, nëpunës në Ministrinë Botore. Nota iu dorëzua Nënkolonelit Palmer nga Lari Posti në datën 5 nëntor. Ky i fundit do të udhëtonte po atë mbrëmje për në Kazerta ku ndodhej Shtabi i Forcave Aleate të Mesdheut. Në këtë mënyrë britanikët do të njiheshin drejtë për së drejtë me kërkesat dhe programin e opozitës së brishtë shqiptare. Mirëpo, për fat të keq kishte një mospërputhje midis vullnetit dhe zellit antikomunist të Palmer-it dhe oficerëve të tjerë britanikë të misionit dhe kalkulimeve të kujdeshme të Londrës zyrtare për të mos u përfshirë në një mbështetje të hapur apo planifikuar një zbarkim të mundshëm në Shqipëri. Nga dokumentacioni i shqyrtuar rezulton se qoftë Palmer-it dhe më vonë Hoxhsonit, Londra zyrtare i ka tërhequr vëmendje për ndërhyrje në punët e brendshme të qeverisë shqiptare me argumentin se fundi, fundit Qeveria e Përkoshme e dominuar nga komunistët, kishte ardhur në fuqi me vullnetin e plotë të popullit shqiptar e se nuk ishte imponuar nga jashtë. Në deponimet në gjyq të anëtarëve të Bashkimit Demokrat, dëshmohet se ka një devijim nga ajo, çka Londra u kish komunikuar oficerëve britanikë për mbështetjen e opozitës dhe mundësinë e zbarkimit në Shqipëri. Palmeri kishte nënvizuar faktin se nuk ishte pranuar kërkesa për ndërhyrjen angleze për ndryshimin e regjimit në Shqipëri pasi edhe Anglia ishte në pamundësi të zbarkimit të forcave ushtarake pasi ishin okupuar në Greqi. Palmeri ishte shprehur me anëtarë të opozitës”nuk mund të vëmë në rrezik jetën e asnjë ushtari anglez dhe se smund të nisim luftën e tretë botërore për shkak të Shqipërisë. Ky qendrim i britanikëve rezultoi tëishte fatal për shpresat e opozitës antikomuniste shqiptare.
Për fat të keq të historisë së parlamentarizmit në Shqipëri, zgjedhjet nuk u shtynë dhe u zhvilluan në datën e përcaktuar më parë në 2 dhjetor 1945. Fronti Demokratik fitoi shumicën e vendeve në Asamblenë Kushtetuese prej 70 vendesh dhe asnjë kandidat jashtë listave të Frontit, nuk fitoi. Misioni Ushtarak Britanik dhe Misioni Civil Amerikan i ndoqën zgjedhjet nga afër, por u zhgënjyen nga rezultati i tyre. Triumfi në zgjedhjet e 2 dhjetorit nga Fronti Demokratik dhe PKSH që qendronte në prapaskenë, u dha komunistëve shqiptarë një vetëbesim për të ecur më tej në projektin e tyre për instalimin e regjimit të tyre. Modeli, mbi të cilin ata bazoheshin ishte modeli sovjetik, që në Shqipëri po instalohej me asistencën e drejtë për së drejtë të jugosllavëve. Modeli sovjetik ishte një sistem totalitar i bazuar në një parti të vetme. Si i tillë, në procesin e funksionimit të shtetit, në të mungojnë ata organizma që shërbejnë si kundërpeshë ndaj pushtetit, që e kontrollojnë dhe e kufizojnë atë nga ndërrmarrja e veprimeve arbitrare. Kundërshtarët ideologjikë të komunistëve gjatë luftës “Balli Kombëtar” dhe “Lëvizja e Legalitetit”, me mospërfshirjen e tyre në luftime të drejtë për së drejta kundër forcave të Boshtit, e kishin humbur legjitimitetin për të ushtruar opozitë në Shqipëri, aq më tepër që shumica e udhëheqësve të tyre ishin në emigrim politik, jashtë Shqipërisë dhe nuk kishin asnjë mundësi për të ndikuar në ngjarjet në Shqipëri. Në këtë kontekst të vetmit që mund të krijonin probleme në instalimin e regjimit komunist në Shqipëri ishte opozita e Bashkimit Demokrat, ndaj për këtë arsye menjeherë pas zgjedhjeve , qeveria e Enver Hoxhës vendosi të marrë masa respresive ndaj tyre. Mjet kryesor në ushtrimin e pushtetit të regjimeve totalitare është tiranizimi. Ai është në vetë përmbajtjejn e totalitarizmit, të sundimit total nga një parti e vetme e udhëheqësi i saj, të nënshtrimit të individit në kuadrin e komb-shtetit. Një numër i madh i eksponentëve të opozitës shqiptare kishin mbajtur kontakte shumë të ngushta me oficerë të Misionit Ushtarak Britanik, si Nënkolonelin Palmer, Kapitenin Smith dhe Togerin Arnot. Të arrestuarit ishin pothuajse të gjithë eksponentët e Bashkimit Demokrat duke filluar nga Gjergj Kokoshi, Musine Kokalari, Sami Qeribashi, Ali Kavaja, Qenan Dibra etj. Rezultoi që pjesa më e madhe e tyre kishte qenë prej kohësh nën survejimin e agjentëve të Mbrotjes së Popullit dhe ndaj tyre u ushtrua një proces hetimor i dhunshëm dhe i egër. Akuzat kryesore drejtoheshin ndaj bashkëpunimeve të tyre me të ashtëquajturit kriminelët e luftës ose të arratisurit në male dhe përpjekje për të rrëzuar me dhunë pushtetin në fuqi. Në këtë proces u përfshinë 75 persona prej të cilëve 9 veta morën dënime kapitale dhe të tjerët u dënuan me burgime të gjata. Procesi hetimor edhe me vonë ai gjyqësor hodhën bazat e sistemit të eliminimit të elitave jokomuniste dhe të kundërshtarëve politikë që do të vazhdonte për pothuajse gjithë periudhën e sundimit komunist në Shqipëri. Ky gjyq i parë ndaj opozitës shqiptare nuk ishte i rastësishëm. E veçantë për mjetin e eliminimit komunist nuk ishte vetëm numri i madh i të eliminuarve, por mënyra e përzgjedhjes së atyre që ekzekutoheshin. Iu dha fund gjykimit në bazë të fajësisë vetiake apo përgjegjësisë vetiake. Dënimi nuk bëhej mbi bazën e akuzës për krime vetiake, por mbi bazën e prejardhjes sociale të të dënuarit dhe të thashethemeve për të. Musine Kokalari u arrestua më 23 janar 1946 dhe e mbajtën 17 ditë në burg.
Mbi Musine Kokalarin u zbatua e njëjta strategji për ta denigruar dhe burgosur. Qendrimi i saj në gjyq ishte një shuplakë ndaj regjimit komunist dhe dëshmi e forcës morale që intiligjenca shqiptare po tregonte përkundrejt totalitarizmit. Me ndërgjegje të plotë ajo kish braktisur muzën e krijimtarisë Kalipso dhe përmes guximit të saj intelektual po hynte në histori duke u shndrruar në muzën e historisë Klio. Musine Kokalari nuk pranoi të merrte avokat mbrojtës në gjyq dhe e shkruajti vetë mbrojtjen e saj. Në gjyq ajo do të shprehej me një guxim të pashoq intelektual e njerëzor se “Unë nuk kam nevojë të jem komuniste të dua vendin tim. E dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua përparimin e saj. Ju mburremi se keni fituar luftën, dhe tani ju jeni fituesi qe doni të shuani ata që ju i quani kundërshtarë politikë. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju jeni duke më ndëshkuar për idealet e mia!”. Po kështu ajo do të shprehej edhe për alternativën socialdemokrate duke qartësuar se aktiviteti i grupit të vogël socialdemokrat nuk është gjë tjetër veçse një notë e drejtuar aleatëve të perëndimit për shtymjen e votave ku qeveria u njoh me të drejtë opozite. Më 2 korrik të vitit 1946 Musine Kokalari u dënua me 20 vjet burgim nga gjykata ushtarake e Tiranës si sabotatore dhe armike e popullit. Me arrestimin dhe dënimin e Musine Kokalarit u shuan shpresat se regjimi komunist në Shqipëri do të ndiqte një rrugë të moderuar drejt konsilidimit të pushtetit të tij dhe me veprimet e tij arbitrare po shuante rezistencën dhe mendimin ndryshe. Për të filloi kalvari i vërtetë i burgjeve dhe internimeve komuniste që do të degdisnin nga Tirana, Burrel, Shkodër e më në fund në Rëshen, Mirditë deri në fund të jetës së saj. Në ecejaket e degdisjes së saj sa nga një burg në tjetrin nuk mungonin dhe stigmatizimet përsa i përket kredos së saj socialdemokrate. Në vitin 1957 gjatë një inspektimi në burgun e Shkodrës, Beqir Balluku, funksionar i lartë i hierarkisë komuniste që edhe e kish arrestuar në nëntor të vitit 1944 do ta pyeste: Si vete socialdemokrate? Në 8 tetor të vitit 1961 ajo u lirua nga burgu dhe u dërgua në internim në Rrëshen. Aty ajo iu nënshtrua një ndjekje të përhershme nga Sigurimi i Shtetit siç dëshmohet nga dosja e saj në arkivat e AIDSSH. Jeta ë Rrëshen është një kapitull tragjik më vete, vuajtjesh e shëmtimesh do të shkruante Musine Kokalari në shënimet e veta. Ata pandehnin se unë nuk e dija. Sa vjet vuajtje e padrejtësi? Nuk kam mbajtur të mbaj një ditar të hollësishëm që do ishte shumë interesant. Ska gjë më të keqe kur njerëzit janë të paformuar ideologjikisht dhe çudi, ardhur nga bangat e Universitetit. Skishin marrë vesh asgjë. Musineja punoi fshesare dhe 11 vjet në ndërmarrjen e Ndërtimit në Rrëshen, mes tullave, llaçit dhe betonit. Kur i mbaroi internimi më 1979 i thanë të shkonte në Gjirokastër, por pasi nuk e lejuan të shkonte në Tiranë, nuk pranoi të lëvizte nga Rrësheni. Ndërroi jetë më 13 gusht 1983. Më 1991 familjarët e saj e zhvarrosën, tani e ka varrin në Shish-Tufinë. Rezistenca e saj morale dhe intelektuale ka lënë gjurmë të pashlyeshme në mendimin intelektual shqiptar.
Trashëgimia politike dhe ideologjike e Musine Kokalarit
Në vitet e mëpasme pas dënimit të Musine Kokalarit dhe përqasjes së PKSH drejt një komunizmi sa më ortodoks të lidhur ngushtë ideologjikisht me variantin sovjetik është vështirë të gjurmohen ndikimet e mendimit të saj në të majtën shqiptare. Realizimi i Reformës Agrare në 1946 ishte shumë i ashpër dhe i tejkalonte përmasat e një reforme që jepte frymë për ekonominë. Konfederata Ballkanike u mbështet fuqishëm nga udhëheqja komuniste shqioptare deri në denconcimin e saj si koncept nga Stalini, por qartazi Musine Kokalari dhe PSD-ja shqiptare mendonte për një variant tjetër që përfshinte dhe vetëvendosjen e popujve siç dëshmohet dhe nga memorandumi dërguar amabasadës britanike në prag të zgjedhjeve të 2 dhjetorit në 1945.
Në vitin 1948 pas pleniumit të VIII të PKSH, Musine Kokalari kujton në librin e vet ‘Si lindi Partia Social-Demokrate’ (1972) se i kërkuan të mbronte tezat shkurtimisht të Socialdemokracisë. Nuk është e qartë se cili ka qenë qëllimi i kësaj kërkese por fakti që i janë referuar si mendimtare socialdemokrate dëshmon për autoritetin që ajo kish fituar si përfaqësuese e kësaj rryme në Shqipëri. Në shënimet e veta në kapitullin e fundit ‘Përshtypje’ nga libri “Si lindi Partia Social-Demokrate” (1972), ajo kritikon variantin e socializmit të ushtruar në Shqipëri jo vetëm përsa i përket dhunës së ushtruar dhe mungesës së të drejtave dhe lirive të njeriut por edhe për konceptet teorike që ilustronin marksizmin në Shqipëri. Puna e krahut është e rëndë në socializëm, që thonë që është klasa punëtore në fuqi, punëtori mbetet gjithmonë në fund: qoftë në dituri, aqë më pak në pagesë dhe aq më shumë në mbylljen e tij brenda katër mureve të ndërmarrjes.
PSD-ja e themeluar në shkurt të vitit 1991 nga një grup intelektualësh shqiptare në kuadër të pluralizmit nuk arriti ta përfshinte figurën e Musine Kokalarit si një figurë themeluese të mendimit socialdemokratik në Shqipëri dhe figura e saj iu bashkangjit opozitës së djathtë shqiptare edhe pse ideologjikisht ajo i përkiste spektrit të majtë. Trashëgimia politike e mendimit të saj teorik nuk u morr parasysh as në formimin e sindikatave të pavarura nga politika dhe as për dinjitetin human që ajo kish shkruar aq shumë. Në memorandumin dërguar ambasadës britanike në pjesën politika sociale që dukej që ishte një reflektim i programit të Partisë Socialdemokrate nënvizohej si kërkesë lënia e lirë e organizatave të punëtorëve dhe pjesëmarrja e tyre në vendosjen e kushteve të punës. Revokimi i mendimeve të saj teorike rreth socialdemokracisë mund të jenë një përpjekje e mirë për të ridimensionuar rrugën e tretë të së majtës shqiptare.

Please follow and like us: