Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Vlora Obertinca: Qenia njerëzore në dashurinë e munguar

“Lëngata për dashuri, i çon njerëzit të gjejnë qetësi në telenovela”, Dr. Vlora Obertinca.

Sa më shumë që kalon koha dhe njerëzit nuk marrin dhe japin dashuri, ndjejnë boshllëk brenda vetes e me të bie disponimi dhe secili kërkon shtegdalje për të gjetur mënyrën se si ta rimbush baterinë e dashurisë.

Dashuria është energjia më e bukur që ekziston në Univers. Ajo ka fuqi të lumturon dhe të shëron shpirtin e njeriut dhe si e tillë që është, njeriu ka gjithmonë nevojë ta ndjejë atë, aq sa ka frymë dhe jetë.

Po e shoh kohët e fundit, e gjithë shqiptaria po e përjeton dashurinë e sinqertë të një çifti të ri në ‘Big Brother VIP Albania’ dhe këdo që e takon, flet për këtë çift, e posaçërisht për djaloshin e sinqertë që shpreh dashurinë e tij haptas për vajzën që e do. Ai është i vendosur madje edhe i ka propozuar martesë dhe kjo sjellje e tij ua rikujton njerëzve dashurinë e vërtetë se si duhet të jetë, ashtu siç ka qenë dikur.

Kjo tregon se njerëzit kanë mungesë të marrjes dhe dhënies së dashurisë së vërtetë në jetën e përditshme.

Mirë që po shohim dashuri të vërtetë në TV sepse dashuria duhet të jetë e sinqertë dhe duhet marrë po aq sa japim.

Do të bëten mirë rinia jonë të marri mësim dhe t’u kthehet traditave tona shekullore sepse, ky ‘modernizimi’ i vrullshëm po na shkatërron si popull.

Lajmet si një i ri apo e re shqiptare sot ndërron deri në 20 partnerë para martesës, është lajm shumë i keq dhe pa të ardhme të mirë. Kjo sepse dashuria e ka humbur kuptimin dhe kjo nuk quhet më dashuri, por shfryerje e epsheve shtazarake. Nuk mundet njeriu t’i ndërrojë 20 partnerë me gjasë ta gjejë njeriun e jetës.

Unë i them rinisë së sotme, kërkoni dhe kërkoni, por mos lëndoni njeri sepse aq sa lëndoni dhe braktisni shpirta të pafajshëm, aq do ta paguani llogarinë tuaj në fund. Krijimi i familjes është një akt i shenjtë prandaj them planifikoni, analizoni, dashuroni dhe vendosni për një njeri që ia vlen ta kalosh jetën. Kjo formulë krijon familje të shëndosha dhe gjenerata të reja me perspektivë ku ka paqe, dashuri dhe qetësi. Mos e kêrkoni dashurinë jashtë vetes sepse dashuria për veten është dashuria për tjetrin. Dashuroni njëri-tjetrin sinqerisht, shmangijuni imagjinatave të çfrenuara dhe kthejuni jetës reale duke e shijuar çdo moment të jetës me njeriun që e doni dhe ju do prej së vërteti.

Please follow and like us: