Ka plot gjëra për të cilat s’ka nevojë të shkruhet shumë
Ndue Ukaj
E dua një peizazh të bukur para syve të mi
dhe një libër të shkruar nga një shpirt i shenjtë
që t’i shoh dallgët e jetës si qetësohen në këtë meskohë.
Ngadalësoj hapat, ritmin dhe eci në kohën që është,
në kohën që vështron me sy misteriozë
avullin e kësaj dite,
në filxhanin e kafes dhe gotën e rakisë.
Përditë mësoj gjëra të reja,
ndonëse e di se bota lëviz njësoj,
si në kohën e Homerit, Dantes, Shekspirit, Kafkës, Fishtës, Kadaresë.
S’ngashënjehem pas gjërave të quajtura të modës,
dukurive që duken e zhduken si bryma në një ditë të ngrohtë pranvere.
Shkrimtari im i dashur prej parajsës imagjinuare
fliste për librat e mirë,
për ata që i ka shkruar një shpirti i shenjtë.
Unë me duart e mia kam ngulfatë plot demonë
dhe kam ecë me engjëjt e mi.
Dhe sa herë e zgjati dorën në flokët e dashurisë
më rritet fuqia tërbuese për të bërë mirë
dhe atëherë jam në gjendje
të nisem me këmbë nëpër Saharë e të përshkoj universin
për të zbuluar planete të reja.
Unë s’dua të zbuloj asnjë planet të ri.
E dua një të vogël, pa bujë, pa kujë,
ku s’ka beteja pa ndërgjegje dhe politikë pa shpirt.
Të kam thënë që miliona vjet se më mjaftojnë sytë e tu – dashuri.
Ata janë përherë magjikë.
I pi si vérën e ruajtur në bodrume për ditë të shënuara.
Poezia m’ka mësuar diçka që s’më ka mësuar shkolla:
punët e lumturisë s’janë çështje ekuacionesh, formulash
dhe s’duhet bërë llogari, pjesëtime e shumëzime.
Dhe kështu do të jetë, derisa dashuria s’bëhet sëmundje ngjitëse.