Albspirit

Media/News/Publishing

Naime Beqiraj: SIPRIA POETIKE E AZEM SHKRELIT

Wolverine CAMERA

Në kujtesë të 85-vjetorit të lindjes së poetit; foto Ilaz Bylykbashi.

Prej librit të parë me poezi “Bulëzuat” (1960) deri në i fundit “Zogj dhe gurë” (1997) Azemi e kishte të hollë shkrimin dhe ndjesinë ndaj fjalës. U takon autorëve të rrallë që e stërholloi fjalën deri në finesa të imta pa kaluar në rregullat e ngurta e të rrepta të ligjërimit libror e lakonik të cilat poezinë dijnë ta bëjnë edhe të pashpirt. Me gjuhën e rrallë poetike, me stilin e tij, Shkreli mbetet ekzemplar i poetit që e thelloi urtinë e mendimit – në gjuhë të zgjedhur. E heshtura e tij, nuk mbërthehet as zbërthehet. Poezia e tij është liri, e liria nuk ka hijezime. Mendim i tërhequr me pak fjalë e thellësi, ai ndërton skele të fuqishme të fjalës që e mbajnë në tokë dhe e mbajnë pezull një shkëmb të tërë. Poezia e tij ka ndjesi, ka edhe spontanitet. Te Azemi, shpërthimet emocionale janë të rralla, të thella; të zbërthyera e të strukturuara poetikisht që ngriten nga libri në libër. Shqipja e sofistikuar në verbin poetik të Shkrelit, është metaforike, metaforike foljore.

Autor i cili për 40 vjet krijimtari botoi vetëm 8 libra poetikë pa përfshirë ribotimet e përzgjedhjet, pastaj një roman (“Karvani i bardhë” i botuar fillimisht si gjimnazist dhe i ribotuar në version të zgjeruar për çka është thënë nga kritika se nuk e kishte finesën e versionit të parë); pastaj libri me tregime “Sytë e Evës” dhe drama “Varri i qyqes”, librin publicistik “Shtatë nga ata”, Azemi do të mbetet ekzemplar pikërisht në poezi – te kjo gjini të cilën e ngriti në art sipror. Në vargjet e tij nuk ndeshim as tema, as gjuhë as fjalë të befasishme, as shprehje diskursive siç të jenë të herë pas hershme jo vetëm te poetët e brezit të tij. Ai e jeton kuptimin e tyre përgjatë gjithë periudhës prej gati 40 vjetësh sa i krijoi. Nëse nisemi nga mendimi i Orhan Pamukut kur shkruan se nuk dëshëron të jetë pemë por kuptimi i saj, atëherë kuptimi i poetit kosovar është bimësia prej hijes së të cilës ai nxjerr fjalë dhe shprehje të reja.

Tatpjetë moshës na rodhi prapë koha mushkë

U shkund një shekull me pupla dhe tuhamë

Grimin na mbrojtën ushtarë të Natos me pushkë

Paqes së gjumtë i pimë amështinë, u thamë – “Kronikë”

Kuptimi i bimës poetike te Shkreli strukturohet ndjeshëm e hijezues po ashtu edhe në shprehje të rralla, në togfjalësha si njësi të vogla sintaksore përgjatë tërë krijimtarisë së tij:

“Ne i bëmë vig vetvetes çdo gjymtyrë” – (Bisedë me fjalën)

“Të mbytem në det a të Bajramcurrem në male” – (Epikë)

“Drini rrëket dhe gjaku i krujtë i yni” – (Këngë e vjetër)

“Diellin e bakërt të bukës” – (Dukagjinçe)

“Na rodhi prapë koha mushkë” – (Kronikë)

I nënshtruar fjale, jo fjale fjalë pasqyrimi por aso të ngulitura vëmendshëm thellësie, siç e shohim, fjalët e reja, të krijuara nga Azemi na vijnë në fund të vargjeve, por jo në fund të poezisë. Si poet nuk shquhet për ngulmim që t’i jap mesazh të drejtëpërdrejtë poezisë, por edhe kur mëton të ndërtojë mesazh, ai është gjithsesi mesazh poetik:

Në Tivar dhanë të kuqët

E gjakut, pinë të zitë e detit” – (Deti i bardhë)

Ndikimi stilistik, gjuhësor e diskursiv te Shkreli ishte e vazhdon të jetë i pranishëm jo vetëm te autorët që erdhën pas tij, por edhe te brezi i tij. Madje, ka emra të cilët ende vazhdojnë edhe të ndikohen e të imitojnë librat e parë, të dytë e të tretë të Azemit, kurse autorët nga 1985 e tutje kanë shkruar të frymëzuar nga shkolla shkreliane e poezisë së pas viteve ’70.

Ndërsa Azemi piqej si autor nga libri në libër dhe ‘harronte’ të krijonte në stilin e librave të parë, pra nuk përsëriste vetvetën, të tjerë krijues vazhdonin ta imitonin. Nëse, sipas Aristotelit jeta është imitim, atëherë mjeti, objekti, mendimi, fjalët dhe mënyra e të krijuarit të këtij poeti janë kuptimplotë nga disa autorë të cilët edhe sot e kësaj ditë krijojnë sipas shkollës shkreliane. Madje ai me shaka edhe thoshte për akcilin autor: ky po don të jetë më Azem se sa Azemi, e kur nuk po mundet, po hidhërohet me mua. Ky humor shijehollë i stilit që dinte ta bënte vetëm ai, ishte tregues se Shktrli nuk anonte të krijonte ndikim me çdo kusht siç mund dhe vazhdojnë të kërkojnë edhe sot e kësaj dite autorë, jo vetëm nga fushat e letërsisë por edhe arteve pamore, muzikës, teatrit, etj. Azemi vazhdon të mbetet poet me ndikim, por është e vështirë të imitohet, jo se jo të kopjohet.

Shkreli nuk i takon kastës së poetëve të cilët kërkojnë shembje ekzistencash të poezisë pararëndëse. Ai e ka pohuar edhe vet se ç’fuqi ka pasur poezia e Martin Camajt edhe për krijimtarinë e fillimeve të tij. Me kohë, ky ndikim u fashit, por nuk u shemb lidhja e tij me leksikun e trashëgimisë popullore. Ai noton e përhënët mençurisht me gjuhën brenda të cilave erëzojnë metaforat.

“vdekja është guximi i papërsëritshëm andaj

vish gujën e saj dhe nisu kah perëndimi

yt i bukur në daç bëhu krushk i parë i

fundit tënd tri ditë e tri net iu bë” – (Provë)

I njohur si autor që shprehjet frazeologjikë shqipe dhe togfjalëshat, në njërën anë e kanë realizuar poet me botë të pasur vokabulare, por në anën tjetër jo aq të përkthyer në gjuhë të tjera. Shkreli, mbase është nga të rrallët autorë të mirë shqiptarë që pak është përkthyer jashtë. E habitshme pak për një poet të siprisë poetike, por duke e njohur mirë nga afër, them se as vet nuk i ka dhënë dorë dëshirës së morisë së krijuesve për tu lexuar në gjuhë të tjera. Mandej edhe mund të thuhet se poezia e Azemit nuk është e lehtë për tu përkthyer, ndaj dija letrare e ndjeshmëria gjuhësore e përkthyesve ka qenë jo e lartësisë së poezisë së tij, përkthyes të cilët pothuajse i kanë munguar poezisë shqipe. As ai vet nuk shfaqte pikësynim përkthimin e krijimtarisë së tij, as e kishte dëshirë të stuhishme.

Poezia, kjo zonjushë mbretërore për të cilën ai nuk shfaqte epitete, ta zëmë princeshë, mbeti eteri i tij. Mbeti ajo nazikja që secilën lëvizje, në secilën fjalë, secilin tingëllim e tingull e kishte në vendin e vet. Prandaj, duhet të ishe po aq nazik t’i qasëshe asaj poezie nazike.

Pra, Azemi, nuk ka qenë asnjëherë poet i modës, ndonëse modern në shprehje e filozofi të cilën e sjell në diskurs, të gërshetuar me filozofinë popullore të malësorit. Ai u mishërua me leksikun popullor që në librat e parë dhe i tillë mbeti deri në fund, siç është poezia “Takimi” dhe rikthimi i tij në rrënjët e tij të gurta:

I mbështete n’krryle shtatëdhetë vjet pleqnije. S’po m’njef?

E vune dorën n’ballë, se syt po t’rrjellojnë pak.

Mendove – I dhenash t’hueja…

Mos dikush prej “parije”

T’thot: – Tunjatjeta, plak!…

Azemi, në një pjesë të krijimtarisë e vë në qendër njeriun. Është edhe urbani i atyre viteve, por edhe ai tjetri i rrënjëve të gurta të cilin nuk e kërkon. Nuk kërkohet kur e ke përballë, mjafton ta ngrisësh kokën apo të mos ia kthesh krahun. Atë njeri, poeti e ka të njohur, është gati vetvetja i kthyer për do kohë në kostumin urban.

Poetët e Kosovës që e filluan krijimtarinë e tyre në vitet ’60 të shekullit të kaluar e që e zhvilluan poezinë shqipe gjatë gjysëm shekulli krijimtarie, pothuajse të gjithë poezinë e tyre e kishin të lidhur me tokën, me rrënjët, me qenësinë, duke e krijuar që me rrënjët e tyre kodin e identitetit. Aty qëndronte edhe Azemi – përballë traditës së meditacionit dhe herë herë leksikut popullor dhe asnjëherë në nivelin e folklorizimit.

Kanë kaluar gati çerek shekulli që Azemi ka shkuar tek të shumtit. Vdekja vetëm e mikloi trupin e tij kurse veprën ia bëri më të stuhishme. Shkreli kishte hyrë nga dritaret e rralla dhe vazhdon të ushtrojë ndikim krijues si në të gjallë, ndoshta edhe më fuqishëm. Të rrallë janë krijuesit të cilët pas vdekjes magjepsin me të njejtin ndikim, sikur kur ishin gjallë.

Teksa po e shkruaja këtë tekst, kuptova se në një pjesë të botës po shënohej Dita e të ngriturve në Qiell që njihet si dita e të vdekurve. Ne, që e kemi njohur Azemin, që e kemi pasur mik – ne lexuesit e vëmendshëm e edhe të rinjtë vazhdojmë ta mbajmë të gjallë sot e 25 vjet me radhë. Atë e mban të gjallë vlera e veprës së tij poetike e cila qëndron në Olimpin e ngritur bashkë me poetët e rrallë të letërsisë shqipe.

 

Please follow and like us: