Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Memushi, emër i gdhendur përjetësisht në kujtesën e kombit arbëror

 

(Kushtuar prijësit dhe luftëtarit Sadik Memushi, lindur më 1830 në Fushëbardhë të Gjirokastrës dhe që ra në luftën e Palavlisë më 1878, duke ngelur përjetësisht emër i gdhendur në përjetësi në kujtesën e kombit shqiptar dhe dëshmor i Shqipërisë, i përjetësuar edhe në këngë: “Kush u hodh proto i pari,/Sadik Memushi kordhëtari,/topçitë me top ia dhanë,/flaka i mori fustanë,/fora bëri jataganë, gjaku derdhur për vatanë…”, përgatitur në kuadrin e 110 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar).

 

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Në mes të maleve, rrethuar me kodrina është një fushë e “shtruar” me zallë të bardhë që ja ka vënë emrin fshatit, “Fushëbardhë”. Atje historikisht ka qenë djep i mençurisë, trimërisë dhe lavdisë. Nuk ja kanë përtuar hasmit që jo rrallë ka tentuar të bëhet zot i trojeve. Kështu ndodhte edhe kur kryengritjet nga Kurveleshi, Çamëria e deri përtej maleve të Ded Gjon Lulit në Mbishkodër e krejt Malsinë shpërthyen vrullshëm kryengritjet që vazhduan nga 1830-1847 kundër Tanzimatit, por në të gjithë vilajetet ato nuk pushuan dhe nuk reshtën kurrë. Lindën dhe u rritën në këto kryengritje me qindar e mijëra trima që mbushën radhët kryengritëse sapo u “dërsinte mustaqja”. Historia flet për trimëri të rrallë, kryengritje në jug e në veri me besa besëqë vaijuan deri në motin e madh të LSHP të 1878 të udhëhequr edhe nga Zenel Gjoleka, Çelo Picari e dhjetra kapedanë të përmendur të historisë. Një ndër më të përmendurit e kohës është trimi dhe prijësi Sadik Memushi, që lindi në Fushëbardhë në zjarrin e luftës për liri në vitin 1830. Oxhaku i familjes Memushi ishte shquar për trimëri dhe mencuri dhe që se kishin lëshuar kurrë jataganin dhe më vonë dyfekun nga supi. Fushëbardha dhe Zhulati në atë periudhë bënin pjesë në nahijen e Delvinës. Sadik Memushi u rrit mes këngësh, tregimesh e legjendash që mëkonin trimërinë dhe burrërinë e fisit të vet dhe të të gjithë fshatit, krahinës dhe Labërisë.

Ai ju bë krah familjes që i vogël dhe në vatrën e prushit atdhetar u kalit si një luftëar i së ardhmes dhe që shpejt do të bënte emër dhe do të shquhej dhe për mbrojtjen e Vilajetit nga hordhitë pushtuese, që synonin jugun e Shqipërisë edhe pse ishte ende nën autoritetin e “përkujdesjes” osmane. Ai u rrit me historitë e trimërive të bijëve të Fushbardhës që kishin rënë në betejat e mëdha të historisë si për Bajo Arif Kazo dhe Habil Shuko Xhuvani të rënë në Luftën e Mecovës më 1854 e shumë të tjerë. Por sa herë binte rasti për ta mbrojtur tokën osmane përballë nuk i dilnin turqit, por shqiptarët me vullnetarizëm ose edhe si redifë/rezervistë të ushtrisë osmane.

Në luftrat për mbrojtjen e vilajetit kundër armikut që vinte nga toka por dhe na deti bijtë e Labërisë shkruanin faqe lavdie dhe trimërie për mbrojtjen e truallit të tyre arbëror. Kështu ndodhi edhe kur burrat e Fushëbardhës e Zhulatit por dhe të mbarë Labërisë në Luftën e dytë për Vilajetin e Janinës më 1877-1878, në Qafë Gjashtë, në Palavli, në Skërficë, Senicë.

Është mjaft e njohur Beteja e Palavlisë, afër Delvinës, atje ku luftuan trimërisht çeta e udhëhequr nga biri i Fushëbardhës Sadik Memushi, që luftoi trimërisht dhe ngeli përjetësisht kur gjakun e derdhi rrëke bashkë me Skëndo Xhuvani, Myrteza Sulli, Musa Robi, katër trima jelekzbërtyer. Ata ranë në istikamin e shqiptarizmës, në tokën e të parëve që ua kishin lënë trashëgim. Por sikurse ndodh pas cdo beteje trimat ngelen në këngë: “Kush u hodh proto i pari,/Sadik Memushi flamurtari,/topçitë me top ia dhanë,/flaka i mori fustanë,/fora e bëri jataganë,/për vatanë o të vdekur, o të gjallë,/për atdhe gjakun e dhanë, Skëndua (Xhuvani) me Myrtezanë (Sulli),/Musa Robi deli djalë..”.

Të katër trimat e Fushëbardhës u përjetësuan në këngë dhe u përcollën me nderime. Organizatori dhe drejtuesi i luftimeve të cetave të Fushëbardhës dhe të Zhulatit ishte prijësi, komandanti dhe oratori popullor nga Osman Kuci nga Fushëbardha. Një këngë tjetër e ngelur dhe trashëguar në më shumë se një shekull e gjysëm është, një “këngë beteje”: “Topi ra në Palavli,/Ra topi në Koqinovë,/Palavli shtatë taborë (batalionë),/Ra topi në Palavli,/Sadik Memushi pari,/… Kanë qenë luftime të përgjakshme ku ka spikatur meçuria e labërve në mbrojtje të amanetit të të parëve. Në betejat e 1878, ndërkohë që Lidhja punonte fuqishëm për organizim politik e ushtarak për të përbashkuar trojet shqiptare të të katër vilajeteve edhe pse Memurët (administrate osmane në trojët tona) bëntë gjithcka që të shuante flakët e kryengritjeve. Një rol të rëndësishëm luajti në betejën e Palavlisë edhe topi i gorictë i përgatitur nga Hito Kongoci, biri i shquar i Fushëbardhës. Hitua me mjeshtërinë e tij e përdori si panik topin e gorictë, në përballjet me hasmin. Ai e përdori këtë për të frikësuar ushtritë greke, për ti larguar ato nga trojet jugore të vendit. Prandaj edhe kënga i këndohet: “Kush e njeh Hito Fushëbardhë,/Ngrehu topin e kalanë,/Në kuti ia hodhi zjarrë,/E dogji s’u dha i gjallë,/Në kala, në Koqinovë,/Hito Kongoci me kordhë,/Bën dyfek ruan sinorë,/… Toka shqiptare në Jug të vendit në Janinë, në Sarandë, Gjashtë, Lëkurës, Palavli, Bradhomë, Rrëzomë, Luvadh e gjetkë flet për trimëri të pashoqe të Sadik Memushit, Skëndo Xhuvanit, Myrteza Sullit, Musa Robi, që sërish për të mësuar më shumë më gjerë dhe më thellë për historinë pyesin poetin anonim popullor lab që këndonte: “Gjithë armiqtë le ta dinë,/të shikojnë historinë,/vet koha e ka treguar,/se kushdo që na ka pushtuar,/me lëkurë e ka paguar…” dhe më tej: “Ca burra, ca djem astritë,/me asqerët e osmallisë,/gjyle nga bradhoma nisnë,/ndizej flakë gur e lirisë,/që në Livadh e në Delvinë,/nga Fushëbardha u grinë,/Në veden të historisë,/Jetën dhanë për Shqipërinë”.

Fushëbardha është një fshat karakteristik i Labërisë në të cilin gjen me bollëk gjurmë epike, histori, trimëri, këngë, legjenda e tregime që kanë kapërcyer shekujt e kanë ardhur deri në ditët tona, është vendi që ka ushqyer krenarinë labe e kombëtare, vendi i zjarrit gjithmonë të ndezur, vendi ku rinaia përkund ëndrrat, ku kujtesa njerëzore e krahinore, nuk harron ngjarjet madhore të të gjitha kohrave, luftrat, gjakun e derdhur për liri, tragjeditë e hallet e kohës, nuk harron mbi të gjitha 53 dëshmorët e të gjitha epokave. Shekujt shkuan nëpër luftra, prandaj kanë një traditë të pasur e të çmuar, sikurse kanë traditë në mençuri, në punë, në kuvende dhe në përballimin e halleve e brengave të jetës. Shtëpitë e saj janë të mbledhura në disa mëhalla tej e këtej lumit, që e ndan dhe e përbashkon fshatin që shtrihet mes bardhësive. Mes këtyre kaltërsive dhe bardhësive u lindën e rritën djemtë e fshatit, thurën ëndërrat rinore. Këtu linden, u rritën dhe luftuan për lirinë edhe biri i shquar Sadik Memushi i parë. Ai është trupëzuar njësh me flamurin e Atdheut, dhe rron në valët e flamurit duke u shenjtëruar, për veprën trimërore prandaj respektohet e nderohet në breza. Trimëria e Sadik Memushit nuk ndalet por udhëton nëpër Labëri dhe ka ardhur deri në ditët tona përmes këngëve dhe historisë, sepse ai ra trimërisht në fushën e nderit në moshën 48 vjeçare. Është detyrimi i brezave që të nderojë këtë burrë të madh luftëtar dhe prijës të shquar, që ka ngelur në vargjet:

“Kush u hodh proto i pari,/Sadik Memushi kordhëtari,/topçitë me top ia dhanë,/flaka i mori fustanë,/fora bëri jataganë,/ gjaku derdhur për vatanë…!

Dëshmorët bënë historinë me gjakun e jetën e tyre, duke falur jetën me vetëdije të thellë atdhetare, por trungu familjar i fisit Memushi është një prej 56 fiseve të Fushëbardhës, është pjesë e ndërgjegjes kombëtare, rezistencës, trimërisë, mençurisë të Fushëbardhës, Cepos, Krahinës së Kardhiqit, Labërisë, është një prej fiseve që me vititë dhe virtytet e tyre në dekada janë bërë njësh për atdhetarinë dhe kombin.

Kohën ndryshuan dhe evoluan. Gjaku i të rënëve nu shkoi kot sepse shteti shqiptar u ngrit 110 vjet më parë dhe në dekada u mendua dhe gjykua edhe për dëshmorët. Ata u vlerësuan por përgatitja dokumentare sipas rregullave dhe procedurave të shtetit është detyrim familjar e shoqëror, është detyrim institucionesh, për të plotësuar e përmbushur kriteret e ligjit nr. 109/2018, datë 20.12.2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, neni 5 “Kriteret për shpalljen ose njohjen e statusit “Dëshmor i atdheut”. Vlerësimi i të rënëve është mision dhe detyrim sublim për dhënien e statusit “Dëshmor i Atdheut” është për të rënët në detyrë në mbrojtje të truallit shqiptar sikurse është edhe Sadik Memushi, që bashkë me bashkëluftëtarët që ra në fushën e nderit në Luftën e Palavlisë më 1878, meriton të vlerësohet duke u shpallur “Dëshmor i Atdheut”, bashkë me tree bashkëluftëtarët e tjerë nga Fushëbardha që ranë burrërisht në fushëbetejë: Skëndo Xhuvani, Myrteza Sulli, Musa Robi. Nderimi për luftëtarin e spikatur Sadik Memushin është nderim për kombin, sepse duke përjetësuar dëshmorët përjetësojmë kombin shqiptar, mes kombeve të tjerë të planetit.

-&-

Please follow and like us: