Albspirit

Media/News/Publishing

Milan St. Protiq: Kombi serb është para zhdukjes. Pas 50 vjetësh nuk do të jetë më

Beograd, 13 shkurt 2023 – Historiani serb Milan St. Protiq ka thënë se populli serb gjendet përballë rrezikut të shuarjes. Ai ka thënë se, sipas tendencës aktuale, kombi serb nuk do të ekzistojë fare pas 50 vjetësh.

Protiq ka thënë se hyrja në Bashkimin Evropian (BE) është shpresa e vetme për Serbinë, por ka shtuar se nuk është i sigurtë se edhe kjo është e mjaftueshme për ekzistencën e kombit serb.

“Jam i bindur se e vetmja fije kashte e shpëtimit për Serbinë, nëse edhe ajo ekziston, është që të bëhet anëtare e BE-së me të drejta të plota. Kjo është e vetmja gjë që mund të na ndihmojë në situatën tragjike në të cilën gjendemi, megjithëse nuk jam i sigurt se edhe kjo mund të na ndihmojë. Bëhet fjalë për mbijetesën e këtij kombi. Për 50 vjet nuk do të jemi. Do të jemi një milion, një milion e gjysmë. Me ne do të merren etnologët e botës. A do ta fusim kokën në rërë dhe të bëhemi sikur asgjë nuk po ndodh?”, ka thënë Protiq për televizionin Nova.

Protiq është pyetur lidhur me këshillën që ua ka drejtuar serbëve të Kosovës që të shpërngulen në Serbi. Ai ka thënë se në Kosovë “po vriten njerëz të pafajshëm, të cilët Serbia po i përdor si argument për mbrojtjen e territorit”.

“Dhe e dijmë shumë mirë që kjo nuk do të ndryshojë asgjë për të mirë. Përkundrazi”, ka theksuar Protiq.

Ai ka thënë se Serbia është hipokrite, sepse ajo nuk është fare e interesuar për serbët në Kosovë.

“Ne veshim kostume të shtrenjta, ulemi në limuzina të shtrenjta, shkojmë atje disa orë dhe ndajmë dhurata të vogla, biskota e çokollata, dhe mendojmë se kemi bërë diçka. Për mua, kjo është shkalla më e lartë e hipokrizisë kombëtare. E dimë që për ta (serbët në Kosovë) nuk do të bëhet kurrë më mirë”, ka thënë ai.

Protiq ka thënë se as anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara nuk do të ndikojë për mirë në jetën e serbëve në Kosovë.

“A do të jetë Kosova anëtare e Kombeve të Bashkuara apo jo, a do të reflektojë kjo disi në jetën e serbëve në Kosovë? Nuk do të reflektohet. Ky është vetëm pretekst i Beogradit që ta pengojë këtë dhe tekë e shqiptarëve që të hyjnë (në OKB). Është edhe kapriço e Perëndimit që ta realizojë atë që e ka filluar”, është shprehur ai.

“Shtetit tonë i intereson vetëm territori dhe jo fati i popullit tonë, vendet e shenjta apo objektet fetare”, ka thënë Protiq.

Please follow and like us: