Vlora Obertinca: Mendimet vibrojnë në Univers më shpejt se sa valët e telefonave celularë
“Fuqia e qëllimit është përqendrimi i vëmendjes në mobilizimin e trilion qelizave të organizmit tonë, për të realizuar një qëllim të vetëm. Fuqia e qëllimit ka krijuar luftë dhe paqe, ka krijuar dhe ka shkatërruar perandori, për të cilat kanë lënë gjurmë të shkruara në historinë e njerëzimit”, Dr. Vlora Obertinca.
Kur Nënë Tereza filloi rrugëtimin e saj të shenjtë si 16-vjeçare, kishte pasur një fuqi të fortë të qëllimit, që t’i shërbejë Zotit dhe njerëzve në nevojë, kudo që ndodhen në botë. Fuqia e qëllimit të saj i tejkaloi pritshmëritë, duke u shndërruar për së gjalli në një ikonë të famshme të humanizmit botëror dhe duke e shpallur të shenjtë pas vdekjes nga Selia e Shenjtë në Vatikan. Ajo e kishte vënë tërë qenien e saj, që të ndihmojë të varfërit, të sëmurët dhe njerëzit e pa strehë.
Fuqia e qëllimit të saj krijoi një mrekulli në shekullin e 20-të dhe do të mbetet në historinë e njerëzimit për të gjitha gjeneratat që do të vijnë. Siç ka treguar edhe ajo vetë, rrugën që e zgjodhi, nuk ishte e lehtë, sepse shumë herë ishte sfiduar dhe ishte sprovuar në besimin e saj, por fuqia e qëllimit të saj e mposhti të gjithë frikën dhe luhatjet që kishte, duke përmbushur një mision të shenjtë e hyjnor, me shumë dashuri dhe mëshirë për njerëzimin.
Mendova se fuqia e qëllimit tim është të motivoj sa më shumë njerëz që mundem. Mënyra më e mirë për t’i arritur të gjithë këta njerëz që kanë nevojë për motivim, është të shkruaj një libër, të cilin do ta marrin me vete kudo që të shkojnë dhe kudo që të jenë, do të kenë afër tyre energjinë time pozitive, sa herë që kanë nevojë dhe ta kërkojnë atë. Kjo sepse ne nuk e dimë se të gjithë njerëzit në tokë janë të lidhur me njëri-tjetrin kudo që janë, ngase vijmë nga i njëjti burim i pafund inteligjence dhe mendimet tona vibrojnë në Univers më shpejt se sa valët e telefonave celularë.
Fragment i shkëputur nga “Vera e shpirtit” me autore Vlora Obertinca.