Ilmi Kasemi ringjall Gjergj Fishtën
Nga Fatos KOLA*
Paraditen e të shtunës, më datë 15 gusht 2009 në qytetin e lashtë të Lisuss-it, Lezhën e sotme, u përurua memoriali në skulpturë kushtuar personalitetit të shquar të kulturës dhe qytetërimit shqiptar, At Gjergj Fishtës, realizuar me financimin tejet modest të Ministrisë së Kulturës. Vepra e derdhur në bronz u vendos, në bashkëçalim të MTKRS me pushtetin vendor (Bashkinë Lezhë), bash para bibliotekës “Gjergj Fishta” të qytetit të lashtë, ngjitur me Qendrën historike e Muzeale, pranë vendvarrimit të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Vendvarrim që njëkohësisht ndodhet dhe është ngritur pranë qendrës arkeologjike të qytetit, qendër në të cilën vazhdojnë gërmimet për zbulimin e rrënojave të lashta pellazgo-iliriko-arbërore. Kësisoj kjo zonë historike e njohur edhe si sheshi kryesor i qytetit të Lezhës, u përplotësua me kompleksin skulpturor kushtuar At Gjergj Fishtës. Vepra në fjalë e ka zanafillën në konkursin që Ministria e Kulturës shpalli para dy vjetësh, për nderimin e figurës madhore të At Fishtës në kryeqendrën e vendlindjes, në qytetin të cilit ai i këndoi vargjet homerike më të frymëzuara, në Lahutën e Malsisë. Kjo vepër me autor skulptorin e shquar Ilmi Kasemi, u përurua në prani të dhjetra qytetarëve, me pjesëmarrjen e titullarit të MTKRS, ministrit Ardian Turku, kryebashkiakut të Lezhës, autorit dhe personaliteteve të shumtë të artit e kulturës, të ftuar me këtë rast nga organizatorët e përurimit dhe autori.
Fishta përballë idealeve
Memoriali është organizuar nga autori nëpërmjet dy blloqesh monolite të lartësuara kundruall njëra-tjetrës, ku njëri monolit i plastikuar është At Fishta, ndërsa krahas tij në monolitin tjetër janë derdhur idealet që frymëzuan jetën e poetit të madh. Menjëherë memoriali të troshit me trandjen që transmeton kjo zgjidhje-metaforë vizuale marramendëse: Fishta përballë idealeve; idealet përballë Fishtës. Një çiftëzim i pazakontë. Kësisoj titanët e shqiptarëve i kanë zënë rrugën shoshojt. Përballë Fishtës lartësohet me të njëjtin mas’shtab Atlasi djalosh me pamje tipike malësori shqiptar, me shtat të ngjeshur e të fuqishëm, me qeleshen e famshme pellazge mbi krye.
Këtë radhë Atlasi, ky simbol mitologjik me origjinim pellazg, tashmë pronë shpirtërore e mbarë qytetërimit botëror, është përzgjedhur nga Kasemi të mbajë mbi supe qiejt dhe idealet e përbashkëta derdhur në simbolika, idealet më sublime të racës së Fishtës dhe Kasemit, ato të qytetërimit shqip-shqip. Atlasi i Kasemit natyrshëm të ndërmend Atlasin mitologjik – bir i Qiellit dhe i Tokës, që është ngarkuar nga babai – Perëndi të mbajë përjetësisht mbi shpatulla qiellin, por që në të vërtetë është mishërim artistik dhe figurativ i shtatores së bronztë të Zeus – Zojzit pellazg, të quajtur “Zojzi – Zeusi rrufehedhës”, po me qeleshe mbi krye, (vepër që është zbuluar në Apolloni dhe që datohet si skulpturë pellazge e shek. V para Krishtit). Me këtë zgjidhje, Kasemi i zuri pritë Fishtës dhe e përballi me birin e zgjedhur dhe më të fuqishmin e qiellit dhe tokës, bash me titanin që është ngarkuar të mbajë përjetësisht mbi supe qiejt e idealeve të shqiptarëve. Këto qiej janë Zanat: ajo e betejës dhe e luftrave; ajo e Poezisë; si dhe Lahuta e moçme; mbi të Kokë – dhia pellazgo – arbërore, dhe; libri i projektuar si simbol i diturisë. Pra, Kasemi e vuri Fishtën në sfidën e përballjes me titanët dhe qiejt e shqiptarëve. Dhe bash këtu zë fill rëfimi im për këtë memorial me një zgjidhje tronditëse.
Parimet dhe fatet që mishërohen në vepër
Madhështia e qytetërimeve matet me madhështinë e njerëzve të mëdhenj që ata nxjerrin. Njerëzit e mëdhenj i kanë të lidhura fatet me ato të popujve dhe kombeve të cilëve u përkasin. Po të hedhim shikimin në vlerat gjithëkohore të artit, do të vërejmë se këto vlera kanë përmbajtje objektive dhe se nuk konsiderohen si produkte thjesht subjektive të çastit e të unit. Vepra e Kasemit është krijuar mbi këtë parim madhor. Artisti duhet t’i çlirojë imazhet nga aparenca e jashtme dhe duhet të zhytet në të vërtetat e brendshme, të cilat sendërtojnë limfën që i mban të lidhura në përjetësi ato. Kasemi këto simbolika dhe të vërteta të njohura prej tij thellësisht e në të gjitha planet nëpërmjet mitologjisë, historisë, filozofisë etj., i ka ngjizur në një unitet, nëpërmjet limfës plastike. Në vepër vërehet si tipar kryesor lakuriqësia… Jo ajo e figurës, por ajo e gjendjes. Pra lakuriqësia e idealeve që vepra mishëron dhe rrezaton.
Figura artistike nuk mund të sakrifikohet, as për moralin dhe as për historinë. Kasemi ia ka dalë mbanë edhe njëherë të risjellë si të vërtetë absolute këtë profeci të vlefshme në të gjithë historinë e artit skulpturor, jo vetëm atij planetar, por edhe atij shqiptar.
Të gjitha gjetjet arkeologjike në trojet etnike shqiptare, në skulpturë dhe pikturë, janë të mbarsura me vizione të tilla të lakuriqësisë së gjendjes, dhe ato janë me mijëra. Parim i veprës së artit është mishërimi i idesë së besimit të njeriut në mundësinë e tij për të krijuar dhe transformuar mjedisin ku jeton. Njeriu, kjo qenie me fuqi dhe vullnet të jashtëzakonshëm, krahas ëndrrës për të sunduar dhe transformuar vetveten dhe natyrën, krijon vepra arti.
Kasemi përballë Fishtës
Vepra e Kasemit blatuar Fishtës, ka arritur me sukses t’i risjellë realitetet materiale e shpirtërore të racës së shqiptarëve, në një memorial me gjuhë të lartë plastifikimi, duke formësuar në një unitet gjithëkohësinë dhe fuqinë e shpirtit e të mendjes së tyre.
Aty ku e mbarojnë misionin e tyre mitet, legjendat, filozofitë, gjuhët, shkencat, etj., është arti që e merr në dorë misionin.
Edhe në këtë mision Kasemi ia ka dalë mbanë me artin dhe veprën e tij, duke na sjellë një realitet të krijuar, që ka fuqi të transformojë… Përballja me këtë vepër, për çdo shikues është dhe do të jetë një tronditje e madhe. Në këtë përballje shikuesi ndesh me fuqinë e vetvetes, fuqi që e detyron të meditojë. Arti merret me sublimen… Për gjatë dy vitesh kam qenë dëshmitar i faktit që Kasemi, si qenie, ia arriti ta prekë dhe jetësojë sublimen me trupin dhe shpirtin e tij, madje mundi ta projektojë atë në vepër. Çdo element i veprës së Kasemit preket me limitet e përkryerjes. Realiteti historiko-shkencor që mbart vepra kulturologjike e Kasemit, është dhe do të jetë ajo që do të ndeshë çdokush në trajtimin e mëposhtëm dhe përballë veprës së tij. Ashtu sikurse Homeri, Safo, Eskili, Euripidi, Fidia, Praksiteli, Mikelanxhelo, etj., po ashtu edhe Fishta e Kasemi, si bij të popullit që me alegori të mençura krijoi dhe mishëroi figura të perëndive në vepra arti, krijuan perëndi dhe vepra arti me subjekte mitologjike.
Fishta dhe Kasemi dukshëm të ndikuar fort nga mitologjia dhe folklori shqip-shqip, na e bëjnë të pamundur dallimin e kufijve midis krijimeve të tyre dhe veprës gjithëkohore të racës së shqiptarëve. Mitet, legjendat, qeniet fantastike, kultet apo hyjnitë tek pellazgo-ilirët, janë një pasuri e pamatë dhe zënë mjaft vend edhe në vetë fondin planetar. Ndaj për këtë arsye në veprën e Fishtës e të Kasemit, do vërejmë se këto realitete shpirtërore janë të ulura këmbëkryq. Janë ulur këmbëkryq dhe ndodhen në bashkëbisedim intensiv e të pambarimtë me këta dy artistë. Fishta e ka përshkruar dhe jetësuar veprën e tij nëpërmjet sentencave të mrekullueshme poetiko-gjuhësore. Kasemi i përgjigjet poetit të madh me sentenca dhe me një gjuhë poetike të lartë të plastikës. Në kontaktin me veprën e Kasemit bie në sy veçansia e skajshme e imazheve që kanë dy blloqet skulpturale që përfaqësojnë dy realitete tejet të largëta, lidhjet e të cilave vetëm shpirti mund t’i kapë. Por gjuha plastike e përdorur nga Kasemi si formësim shpirtëror, i ka bashkësuar këto dy realitete në një unitet bashkëbisedues e të pandashëm. Ato mund t’i ndajë vetëm një dhunë e përdorur me pahir nga një shpirt i keq.
Për të na treguar se Fishta nuk mund të kuptohet ndryshe jashtë idealeve shpirtërore lakuriqe që mbart dhe përcjell, Kasemi e vendosi At-in “bari të grigjës” të veshur me veladon, përballë idealeve shpirtërore lakuriqe të vetë poetit. Sepse lakuriqe ia tha Fishta të vërtetat popullit dhe grigjës së tij, madje në mjaft raste e “flaku” tej edhe veladonin. Nuk habitem nëse vepra e Kasemit është keqkuptuar dhe ende mund të keqkuptohet nga mendjet e ngushta. Por nëse do të njohim Fishtën dhe jetën e tij pa kompromis, do të pohojmë se vetëm kësisoj, sikundër na e ka sjellë Kasemi, mund dhe duhet të konceptohet Fishta në një vepër plastike, në një memorial skulpturor. Prandaj Kasemi i tejkaloi detyrat e projektit të mangët që projektuan burokratët injorantë të MTKRS, të cilët akoma e konceptojnë dhe barazojnë Fishtën, veprën dhe jetën e tij, thjesht me një frat të veshur me veladon. Kasemi e projektoi veprën duke na sjellë në jetë dimensionin mijëravjeçar të jetës shpirtërore të Fishtës dhe atë disa dekadash të jetës biologjike nën veladonin e bariut të grigjës. Fishta i patrashëguar me bij e bija biologjikë dhe i nëpërkëmbur prej burokracive me syze të errëta që ndeshi në të gjallë në vendin e tij, pati fatin e madh të mbramë: atë që njëri prej bijve të tij shpirtërorë të merrte përsipër të na i rrëfente sërish të vërtetat më të qenësishme që Ati shpirtëror ia rrëfeu Kasemit-skulptor me anë të veprës madhore që na la trashëgim.
Kasemi, ky mësonjës i shquar për disa brezni akademike, u dha mësimin e madh aparatçikëve me syze të zeza që veprojnë ende nëpër institucionet tona me metodat komuniste ku vetëm porositësi e di dhe urdhëron se çfarë duhet të bëjë artisti, duke e fyer kësisoj atë me nivelin mjeran të kërkesave. Kasemi tregoi se artisti nuk është një nxënës që duhet mësuar e këshilluar sesi duhet ta bëjë një vepër arti. Injorantët që ende ky shtet vazhdon t’i caktojë si përcaktues të politikave dhe ideve artistike, arritën deri aty sa të përcaktonin si detyrë vetëm Fishtën të veshur me veladon, madje edhe sa i gjatë do të ishte, duke i fyer artistët konkurrues në inteligjencën dhe frymëzimin e tyre. Por Fishta kish qëlluar me fat, ngaqë biri shpirtëror i tejkaloi detyrat projektuese, megjithëse vetëm pas një beteje rraskapitëse dhe të pazakontë me errësirën dhe të paditurit, madje deri edhe në ditën që vepra u përurua. Kasemi vuajti deri në fund betejën e stërzgjatur me injorantët që, dje dhe sot, ende vazhdojnë ta akuzojnë atë se “doli jashtë detyrave të projektimit”. Por Kasemi, ashtu si edhe Fishta që doli jashtë veladonit dhe porosive – i shtyrë nga idealet për të thënë të vërtetat e mëdha, dhe jo për të zbatuar urdhrat nga lart të pushteteve – i mbetën besnikë thënies profetike të Aristotelit: “Për të qenë jam me Platonin, por mbi të gjitha jam me të vërtetën”.
Po cili është Ilmi Kasemi
Qysh në mesvitet 70-të dhe fillimvitet 80-të Ilmi Kasemi spikati si njëri nga talentet më të mëdha të shkollës së artit pamor shqiptar, madje qysh në Liceun artistik “Jordan Misja”. I pajisur me mendje të hapur, aftësi vëzhguese të rralla, thellësi mendimi e gjykimi, urtësi, kulturë e pasion për artin, shkëlqeu duke justifikuar bindjen e të gjithëve për sukses krijues të padiskutueshëm. Pas përfundimit me rezultate të shkëlqyera të studimeve në ILA, si pedagog dhe skulptor i aktivizuar në realizimin e mjaft veprave kolektive dhe krijimeve personale tejet cilësore, ai shkëlqeu edhe si pedagog reformator dhe studiues i artit dhe kulturës kombëtare e botërore. Krijimtaria e tij në lëmejtë e pedagogjisë, studimeve dhe didaktikës, kulmoi me krijimin dhe pajisjen me program shkencor ndër më të përparuarit, të Atelierit të Materialeve të Përziera në Akademinë e Arteve, duke kontribuar maksimalisht në reformimin e thellë, cilësor dhe me parametra shkencorë të shkollës shqiptare të skulpturës. Rezultat i drejtpërdrejtë i të cilave ishin arritjet e bujshme të mëvonshme të Atelierit që ai krijoi, në përballjet me akademitë më të forta të botës në skulpturë, sikundër janë ato italiane. Por për arsye personale dhe me synimin për të thelluar studimet pedagogjike e shkencore në vendin me kulturë dhe tradita nga më të shkëlqyerat në artet pamore, në mesvitet e dekadës së kaluar Kasemi emigroi familjarisht në Itali, ku arriti suksese të bujshme profesionale, duke realizuar vepra të fituara me konkurrim përballë skulptorëve pjesëmarrës italianë, etj. Largimi i Kasemit padyshim që la një boshllëk të madh, por idetë, konceptet dhe programi i tij reformator mbetën si trashëgimi e vyer e akademizmit shqiptar në skulpturë. Pas qëndrimit prej afro një dekadë jashtë atdheut, Kasemi u rikthye tashmë tejet i pjekur dhe i përplotësuar profesionalisht, për të na dhënë frytet e sumumit të formimit profesional në lëmën e didaktikës, ato të studimeve dhe krijimtarisë vetjake. Këto parametra të jashtëzakonshëm i paraprinë edhe krijimit unikal e të përkryer profesionalisht, që Kasemi na dhuroi e që ia përkushtoi At-it të tij shpirtëror e të shqiptarëve, Gjergj Fishtës, veprën letrare dhe mesazhet atdhetare e filozofike të të cilit na dëshmoi së fundmi se i njeh thellësisht. Bazuar në studimet e thelluara vetjake mbi kulturën dhe qytetërimet mesdhetare, Kasemi konkludon se nuk ekzistojnë të ashtuquajturit arte antike helene e romake në artet pamore, përveçse thjesht varianteve helene e latine të lashta të artit pamor pellazgo-etrusko-iliro-epirot, si arte të popujve antikë të mesdheut, krahas artit gjenial egjiptian.
Koncepsioni pellazgo-epirot i Kasemit
Studimet e thelluara vetjake të Kasemit-bir i shquar i Çamërisë, në lëmën e trashëgimisë shqiptare në artet pamore, e kanë drejtuar atë kah lashtësia dhe lidhja unikale pellazgo-iliro-epirote me rrënjët e qytetërimit arbëresho-shqiptar në 3 mijë vitet e fundit. Pikërisht tek mitologjia pellazgo-shqiptare e risjellë madhërishëm në artin poetik nga Fishta, gjeti burimin e frymëzimit Kasem Thesproti për kryeveprën e parë të skulpturës shqiptare në këtë kapërcyell shekulli, që qëndron denjësisht krahas kryeveprave të skulpturës moderne shqiptare të “shesheve qytetëse”, atyre të Luftëtarit Kombëtar nga O. Paskali dhe të Skënderbeut të Krujës, realizuar nga J. Paço shekullin e kaluar. I frymëzuar nga konkluzioni shkencor i albanologut të madh hungarez Lajosh Taloci (1834-1916), se “nuk ekziston popull tjetër në Ballkan, që të mundë të ndjekë historinë e fisit të vet, ashtu me rend kronologjik, qysh prej kohëve më të lashta e gjer në ditët tona, sikurse populli shqiptar”, Kasem Thesproti si stërnip i pellazgëve “hyjnorë” ka kapur fort rrënjët e artit të skulpturës pellazge, duke i shtrirë në veprat e tij, veçanërisht në atë të fundit, përcaktim vlerësues të cilin Kasem Thesprotit ia ka bërë edhe kritika e specializuar italiane. Në leksionet e tij për studentët e Atelierit të Materialeve të Përziera, arti i skulpturës pellazgjike shërbeu si zanafilla e krijimit të koncepteve profesionale dhe e vjeljes së vlerave të pamata, si parakusht për krijimin e shprehive e dijeve profesionale solide. Sipas Kasem Thesprotit, për prejardhjen tonë pellazgjike dëshmojnë gjetjet arkeologjike të Xarës (pranë Sarandës), të Lanabregasit rrëzë Dajtit, të Bardhajt afër Shkodrës, që kanë qenë vendbanime me moshë mbi 30 mijë vjeçare (nga fillimi i Paleolitit), apo muret pellazgjike, të ndeshura që nga Jugu i Thesprotisë, tejpërtej Mollosisë e Kaonisë, gjer në Gjirin e Abrakisë (Artës së sotme, dikur kryeqyteti i Mbretërisë së Pirro Mollosit)…, e sipër, në Labeati, në kriporet e Tragjasit, deri në Orikum. Sipas Prof. Kasemit, madhështia e artit pamor pellazg shpërfaqet dukshëm edhe në arkitekturën e mrekullueshme pellazge, sipas ligjësive të së cilës është ndërtuar Amfiteatri i famshëm i qytetit po aq të famshëm të Dodonës pellazge, rrënojat e të cilit ndodhen 60 km. në Lindje të Konispolit dhe 22 km. në jug dhe jug-perëndim të Janinës, e që janë zbuluar në vitin 1875 prej arkeologut thesprot-çam Kostandin Karapanos. Ky amfiteatër i një qyteti stërmadh që konkurron fort edhe stadiumet bashkëkohore, kishte formë gjysmërrethi me diametër prej 150 metrash dhe shërbente para 25 shekujsh si institucion polifunksional: teatër, stadium dhe hipodrom me afro 20 mijë vende. Po aty ndodheshin edhe selitë e Kuvendit të Përgjithshëm, Kuvendit të pleqve (çamërisht, të Plakonisë-senatit), si edhe Akropoli e Hierorja e Zojzit (Zeusit). Gjithashtu kuptimplotë është fakti se ky amfiteatër, disa shekuj para krijimit të qytet-shteteve greke, kishte më shumë vende se ato të Dionizit të Athinës me 17 mijë vende dhe Epidaurit me 14 mijë vende. Skënderbeu, në letrën që i dërgonte princit italian Xhovani Antonio Orsini më 31 tetor 1460, shkruante: “Ne arbërit jemi epirotë… pasardhës të Pirro dhe Aleksandër Mollosit…”. Pirro i Epirit mbi përkrenaren e tij, mbi pjesën frontale të kokës, kishte të gdhendur një gjethe të madhe lisi, ndërsa ushtarët e tij epirotë, pas betejës, në shenjë triumfi, vendosnin mbi kokë kurora me gjethe lisi… Shtysa këto që e nxitën Kasemin të veshë me gjethe lisi gjithë kollonën ku mbështetet Atlasi pellazgo-thesproto-fishtian, vendosur në qytetin e lashtë dhe bashkëkohor të Lissus-it. Kasemi pohon se, sipas Plutarkut, elementët kryesorë mbi përkrenaren e Pirros ishin Brirët e Cjapit, të cilët për nder të Tij i vendosi mbi përkrenare edhe Skënderbeu-Iskander, stërnip i Aleksandrit të Madh të Mollosisë-Thesprotisë. Prof. Kasemi deklaron me krenari se pema e Lisit dhe gjethet e tij kanë qenë simboli historik i Dodonës pellazge, dhe se për këtë fakt kanë shkruar dhjetëra autorë antikë. Homeri, teksa shkruan për Odisenë thotë se “në Dodonë kishte shkuar për t’u këshilluar me Hyjin dhe për të dëgjuar nga Lisi i gjatë falltar vullnetin e Zeusit”. Ndërsa Hesiodi shkruan se “Dodona dhe Lisi ishin qendra e pellazgëve”. Homeri dhe të tjerë autorë antikë i atribuonin Zeusit si armën ndëshkuese më të fortë “rrufenë”, të cilën si armë mitologjike Fishta e cilëson “rrfeja shgjetare…”. Marin Biçikemi, në mënyrë të pavarur nga bashkëkohësi i tij Barleti, më vonë Frang Bardhi e Pjetër Bogdani, si dhe studiuesit e huaj të Mesjetës gjer në fund të shekullit XVI, sikurse Filelfi, Kanensi, Bembo, Xhovio, Loniceri, Sansovino, Rozaçi, Boteri, Orbini etj., e identifikojnë Epirin me “Arbërinë e Poshtme”, ndërsa Pirro Mollosin e Mollosisë–Thesprotisë, si “Mbret i Arbërit të Poshtëm”. Sipas Kasem Thesprotit, që nga Filati e Margëllëçi, në mbarë Kaoninë, e deri në Pilur e Vuno, njihen dhe tashmë janë grumbulluar këngët shumë të vjetra që i këndohen Pirros dhe Aleksandrit të Mollosisë-Thesprotisë, si stërgjyshër autentikë të shqiptarëve. Që në lashtësi Pirroja thërritej “Shqiponjë”, ngaqë Ai dhe Aleksandri i Mollosisë kishin si emblemë Shqiponjën, ngaqë prenë miliona monedha në afro 72 seri të ndryshme me simbolin e shqiponjës dhe se prej këtej edhe shqiptarët sot quhen botërisht “bijtë e shqipes”. Homeri (shek IX para Krishtit), tek “Iliada” vë në gojë të Akilit të Mirmindonëve këto fjalë kur i lutet Zeusit për shpirtin e Patroklit: “O Zeus, mbret dodonas e pellazg, që banon larg, që kujdesesh për Dodonën dimërkeqe…”. Herodoti shkruan se “pellazgët kishin gjuhë barbare (johelene), ata nuk ishin veçse një popull barbar (pra johelen)”, dhe se “helenët i morën emrat e perëndive nga pellazgët”. Sipas Prof. Kasem Thesprotit, enët prej balte të gjendura në Dodonë dhe që sot ndodhen në Muzeun e Janinës, u ngjajnë plotësisht atyre të gjetura në trojet e Shqipërisë administrative, nga gërmimet dhe ekspeditat arkeologjike. Nisur nga relievet skulpturore të gdhendura në monedhat, që nga skulpturat e mjellmave e deri tek “Polydeuku” i gjendur në Dodonën mollose-thesprote, nga “Shqiponja thesprote e Gyrionit” të gdhendura në monedha apo terrakota e enë qeramike të pikturuara ku spikat edhe dielli-hyll i besimit pagan epirot, që për perëndi njihnin Zeusin-Zojzin, Prof. Kasemi sërish këmbëngul në konkluzionin se sot në artin botëror janë të gabuara referencat që bëjnë fjalë për skulpturë klasike antike helene, apo romake, përveçse për një skulpturë panmesdhetare pellazgjike, përfshirë këtu edhe atë minoike (mikenase), shkollën e të cilave në mënyrë të shëmtuar e kopjuan, imituan, përshtatën dhe përvetësuan (kjo në kulmin e pushteteve të tyre shtetërore e perandorake), grekët dhe latinët, këta pasardhës të pellazgëve-etruskë e mesapo-japigë. Sipas tij kjo tezë katërcipërisht e vërtetuar, gjen mishërimin e vet në: shqiponjën mollose-thesprote të rrethuar nga katër diej, (pikturuar mbi mburojën e Akilit-ajakas, mbi një vazo etruske të shek. V para Krishtit); në bustin e Pirro Mollosit, i vetmi portret autentik i lashtë, zbuluar në Herkulanum, (e që sot gjendet në Muzeun Kombëtar të Napolit); në “shqiponjën-atribut të Pirros (reliev mbi një monedhë të shekullit IV-III para Krishtit), etj. Sipas Kasemit është tejet domethënës dhe utilitar tek shqiptarët fakti që “Dhia është simbolika Dodonase e Mëmësisë” ndaj dhe bash për këtë arsye shërbeu edhe si emblemë e Donika Kastriotit, gruas së Skënderbeut, (bijë e Gjergj Arianitit), për çka ai në vijim pohon se në këndvështrim historik e religjioz, Emblema e Dhisë nuk është tjetër veçse simboli pagan i rrezatuar mirëfilli prej Dodonës pellazgo-epiroto-molloso-thesprote, që ruhet sot si riprodhim i një gravure mesjetare në Napoli të Italisë. Prof. Kasemi, si dëshmitar okular pohon me bindje se sot, nga afro 1015 shtatoret e dokumentuara se ekzistonin në qytetin e Artës para shkatërrimit të saj nga romakët, një pjesë të të cilave ai i ka parë të ekspozuara nëpër muzetë e Italisë, konkludohet lehtësisht se “stilistikisht nuk kanë asgjë të përbashkët me shkollëzat helene dhe latine të skulpturës, kulmuara enkas nga kritika në shekuj, si kinse mrekullira të skulpturës antike helene e romake(!?)”.
Ashti fishtian i Kasemit
Si mik i hershëm i Kasemit, kam pasur fatin të njihem me frymëzimin dhe pathosin e tij fishtian, veçanërisht të ilustruar me vargjet e Lahutës së Malësisë, nga të cilat më ka pohuar se ka marrë edhe shtysën për ideimin e veprës. Ndaj jam i bindur se tek Kasemi ka zënë vend koncepti mbi tandemin “shqiptar–lahutë” si dhe konkluzioni i Maksimilian Lambercit se “shqiptari pa lahutë është pa epope kombëtare, lahuta pa shqiptar është pa subjekt”. Kasem Thesproti i mahnitur nga Zanat e mitologjisë pellazge dhe autori i “Mrrizi i Zanave”, nuk mund t’i shmangej zgjidhjes kompozicionale të veprës. I mrekulluar nga Koliqi, që shkruajti se “Fishta me Lahutë të vet Shqiptarizmit i kishte ngrehë nji përmendore dhe i kishte mbet besnik mitologjisë ilire… qi të çon tek burimet e lashta të nji populli”, Kasemi bashkë me Fishtën u përballën me shoshojn në sfidë dhe na dhanë kryeveprën. Miku im shpesh më kujtonte se Fishta pohon tek Lahuta se këngët e tij ishin bashkëkrijim dhe bashkëkëndim me Zanën e Malit, së cilës afër fundit të Lahutës së Malësisë i falet nderës për “punë të kryeme s’bashkut…”, kur shkruan: “Hej moj Zanë, ti kjosh e bardhë / …, çëse ti, purë m’Lahutë të Malsisë / n’ hulli mendjen mbajtë ma ke / veçse po moj bjeshkatare / krah m’krah bashkë na tue këndue / ndërtue kem nji pomendare (përmendore) / rr’fe as mot mos me e dërrmue”. Tek kënga e njëzetegjashtë, titulluar “Koha e Re”, Fishta i këndon Zanës: “Hej moj Zanë ty t’ kjosha true / … shkrepë prej mbrëmjet nëpër etër / behma këtu n’ këtë Lissus t’ vjetër / … për me këndue n’ Lahutë të Malsisë / se si u end fati i Shqipnisë / … Pse po m’u end kanga për s’mbarit / vonë se vonë fisi i Shqiptarit / mana, ty ka me t’ urue… / ke me ndie edhe si kjan / vala e Drinit prap n’ ditë t’ sotit / për urë vorrit të Gjergj Kastriotit / shpata e t’ cilit dikur motit vezulloi n’ hazëm t’ Shqipnisë / si ajo rr’feja e Perendisë / Pse dikur ktu dhe Bardyli / me gjak hasëmsh dhenë kërtylli / e ajo Teuta Mbretneshë / vashë ilire sokoleshë / qi nuk dijte se shka a tuta / si ajo shqipja skepe-kërruta / lëshonte hovin mbi Romakë / pa dhimbë Adrien tue e përgjakë”. Ndaj jo rastësisht bash në Lezhën e Kuvendit të bashkimit të shqiptarëve nën Gjergj Kastriotin, Kasem Thesproti bashkë me Fishtën tubuan bashkëkohësit duke u ndërmendur mesazhin-apel të përjetshëm të At Gjergjit: “Çohi o bij të Skënderbegut / turq e t’ k’shtenë mos t’u dajë feja… / Hej moj Zanë si t’duket ty / A thue shoh un kurrë me sy / se Shqiptarët do të bijnë m’nji fjalë / zot Atdheut për t’i dalë / se mbas flamurit kuq e zi / Gegë e Toskë fushë e Malsi.. / kanë me derdhë gjakun për Shqipni…”.
Artur Shopenhauer ka thënë: “Ne duhet të sillemi me kryeveprat e artit si me personazhet hyjnorë: të qëndrojmë qetësisht para tyre dhe të presim derisa ato të na flasin”. Unë ithtari i At Fishtës së madh, miku dhe kolegu i autorit, qëndrova para kësaj kryevepre të Kasem Thesprotit…, prita deri sa ajo më foli, dhe çfarë pashë e dëgjova prej saj ua rrëfeva juve më lart. Ndihem i mrekulluar…
(Autori është skulptor dhe pedagog i skulpturës në Akademinë e Arteve, Tiranë).