Sadik Bejko: Je krijimi
Ti, që siç jam më pranon, me plagët, me acarin,
ti – syri im i mbyllur tek honin po mbart nën këmbë,
krijimi i botës-ti: me një sy, me një hap ngjiz jetën,
ti, eja pajtomë me veten, me botën, me marrinë –
botën ku hovi, fisnikëria shpërfillen, nuk
gjejnë shpagim.
Ti që më je jeta, jeta që kurrë, askund falas nuk jepet,
Ti – syri imi i mbyllur në aventurën, ecjen verbër mbi greminë,
në fije të hollë edhe fare pa fije në ecjen përmbi hon,
në marrinë e bukur, ku më të plotë jemi, me të vërtetë:
rrojmë vallë kur s’rrezikojmë, kur s’kemi krahë, as fletë?
Sa të plas, t’më marrë dreqi, merrmë ti, të paktën,
prekmë ku s’lejoj kënd, prekmë mu në zemër.
Shegën e gjakut, frut të pjekur merrma, ta fal dhe vdekjen time:
Edhe ec, me një sy, me një hap, nga e para ngjiz jetën prapë, prapë.
1980.