Të burgosurit politikë shqiptarë- një histori tragjike dje dhe sot
Milazim KRASNIQI
Të burgosurit politikë shqiptarë. Sapo të shqiptohet kjo fjalë, trishtimi emocional përplaset si dallgë në shpirtin e njeriut shqiptar. Është një përvojë tragjike e këtij populli, të cilit hasmi u mundua gjithmonë t’ia errësojë idealin e lirisë me anën e qelive të errëta të burgjeve, me tortura çnjerëzore, me vrasje pa gjyq. Nuk besoj se mund të hartohen ndonjëherë statistika të përpikëta, që do të tregonin numrin e të burgosurve politikë shqiptarë, që jetën e borën nëpër burgjet e pushtuesve të huaj.
Përplasja ndërmjet idealit dhe luftës për liri të shqiptarëve dhe përgjigjes me terror të pushtuesve, ka qenë aq e ashpër, sa nuk ka qenë e mundur kurrë të përshkruhet dhe të evidencohet përmasa e saj tragjike. Ka filluar në agimet e historisë sonë, me burgimin e mbretit ilir Gent dhe burgimin e udhëheqësit të kryengritjes së madhe ilire, Bato Desidiatit, kjo histori e rëndë, tragjike.
Romakët, bizantinët, osmanët, sllavët, grekët, dhe gjithë sorollapi i pushtuesve të tjerë të tokave shqiptare, nuk lanë gurë pa luajtur në përpjekjet e tyre patologjike, për të thyer shpirtin kryengritës e liridashës të këtij populli të lashtë e të fortë, i cili u dukej se u ka dalë si cung në udhën e tyre të pushtimeve dhe të grabitjeve. Paçka se ai ishte në tokë të tij dhe në të drejtën e tij. Ndonjëherë të shkon mendja se burgun e shpikën pikërisht pushtuesit e shqiptarëve, sepse askush sa ata nuk harxhuan energji për të mbajtur mbyllur trupin dhe frymën e njeriut shqiptar që nuk e duron robërinë. Por, ne nuk kemi mundur të hartojmë statistika që do ta tregonin përmasën e këtij krimi të pushtuesve të huaj kundër nesh, sikundër i kanë hartuar popujt e tjerë, si bie fjala hebrenjtë. Ata kanë mbledhur shënime të përpikëta për gjenocidin kundër tyre dhe kanë publikuar shifrën prej gjashtë milionë njerëzish të zhdukur gjatë Luftës së Dytë Botërore, nëpër burgje, krematoriume dhe mekanizma të tjerë të shfarosjes. Një shifër e llahtarshme. Po shqiptarët, po të arrinin të hartonin statistika të përpikëta, fatkeqësisht, ato do të ishin shumëfish më të larta. Bota e ka ngulitur në mendje llahtarinë e antisemitizmit, si politikë të shfarosjes kundër një populli, ndërsa antishqiptarizmi, si term dhe si praktikë shekullore e shfarosjes së kombit shqiptar, nuk i thotë asgjë! Fatkeqësisht, as sot nuk i ka para sysh bota përmasat e antishqipzarizmit, që vjen nga kuzhinat e përbindshme të politikës fashiste serbomadhe. Ende flasin me terma të mjegull, gjoja se ky gjenocid ndodh nga “regjimi autoritar i Millosheviqit”, e jo nga një konstantë e politikës gjenocidale serbe. Ende për të burgosurit politikë shqiptarë flitet si për “gjykime jokorrekte”, ndërsa janë me mijëra shqiptarë që janë mbyllur nëpër qelitë e errëta të burgjeve serbe, ku keqtrajtohen në mënyrën më barbare. Këto ditë, Komiteti kundër Torturës i OKB-së, në një raport të vetin, pranon faktin se të burgosurit politikë shqiptarë keqtrajtohen nëpër burgjet serbe. Edhe Fondi për të Drejta Humanitare, ka publikuar disa fakte për terrorizimin që bëhet nga policia serbe kundër të burgosurve politikë shqiptarë. Raportet e Amnesti Internacional, gjithashtu kanë përmendur fakte tronditëse. Por, të gjitha ato nuk mjaftojnë, nuk e japin as pasqyrën e gjendjes në të cilën janë të burgosurit politikë shqiptarë sot në burgjet serbe. Ka fakte të dhimbshme se edhe ata që janë dërguar në spitale, për mjekim, rrahen brutalisht nga policët, në prani të personelit shëndetësor! Pra, antishqiptarizmi i tërbuar serb, urrejtjen më të egër po e manifeston kundër të burgosurve politikë shqiptarë, të cilët i mban peng. Ndërmjetësit ndërkombëtar nuk e kanë shtruar deri tash në mënyrë adekuate çështjen e të burgosurve politikë shqiptarë dhe gjendjen e tyre. Kjo çështje do të duhej të trajtohej me urgjencë dhe me vendosmëri të madhe; lirimi i të burgosurve të konsiderohet si parakusht për fillimin e procesit të negociatave. Po edhe faktorët shqiptarë, duhet ta nxjerrin këtë çështje me përparësi dhe të këmbëngulin për lirimin e të burgosurve politikë shqiptarë.
Nëse duhet besuar në një ligjësi historike, atëherë duhet besuar se kemi hyrë, megjithatë, në periudhën kur do të duhej të mbyllej kapitulli tragjik i burgimeve të shqiptarëve. Është e sigurt se kjo mund të mbërrihet vetëm kur të sendërtohet çlirimi i Kosovës nga pushtuesi serb. Prandaj, tërë energjia e shqiptarëve të Kosovës dhe e mbarë kombit shqiptar, duhet të derdhet në shtratin e luftës për çlirimin e Kosovës. Vetëm ashtu do të mbërrijmë që ta ruajmë dhe ta kultivojmë dinjitetin e njeriut shqiptar. Vetëm ashtu do të gjejnë satisfaksionin e tyre me miliona shqiptarë të martirizuar për lirinë e këtij vendi.
28 nëntor 1998.
Please follow and like us: