Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Pavarësia

 

Pavarësia është nata e gjatë e dhimbjeve

e dita e gjatë e dëshirave

është zâni i atyne që jeta i ka rrëzu

por edhe i atyne që zgjohen me dëshira m’u çu

një zâ që bahet orkestër dhe i mbledh

dëshirat e dhimbjet një nga një

dhe i strehon

në këngën e madhe të dashunisë njerëzore.

 

Pavarësia është shkollë,

po, shkollë e gjatë e jetës

nuk mësohet një ditë

nuk është deklaratë politike

më së paku deklaratë shtypi

mësohet përditë

mëngjeseve blu e netëve të errëta.

 

Pavarësia nuk është një akt, një gjendje, një emër

Është një udhë e gjatë nëpër trajektoret e jetës

kur ke kryq mbi shpinë

gjithmonë ndodhet pranë një Veronikë dhe t’i fshin djersët

një tjetër të ndihmon me mbajtë kryqin e me ecë.

 

Pavarësia është shkolla e bukur e dashunisë

e shkolla e dashunisë nuk është një deklaratë politike

gëlqere e bardhë m’i mbulu njollat e zeza

është shkollë e madhe e jetës

themelet i ka në miliona dëshira të zvetënume

në miliona që lindin përditë.

 

Flamuri nuk është alefi i jetës, as qëllimi

simbolet e vërteta janë sytë e njerëzve

kur ata janë të gëzum, ka pavarësi të plotë

kur janë të pikëllum, ka veç trishtim.

 

Po, pavarësi është lidhja e miliona fijeve të këputuna

të tretuna

është kambana që ushton

dhe të thërret m’i dëgju ata që kanë nevojë për dritë kur janë n’terr

ata që kanë nevojë për nënkresë të butë kur janë n’stuhi.

 

Po, pavarësi është shumësia e zânave

që i dirigjon një orkestër e mrekullueshme

është kambanë që bie pa pushim

dhe të dëfton fytyrat e atyne syve të bukur që kurrë s’u mbyllën

kur mbi ta ranë plumba

granata

dhe ua copëtuan gjymtyrët

është pikëllimi i atyne që vdiqën pa zbardhë dita

janë gjamat e mnershme të atyne

që kaluan nëpër njëmijë rrathë ferri.

 

Pavarësia nuk është jeta e udhëheqësve

e atyne që me epsh shohin veç naltësi

dhe rrallë u ndodh të shikojnë teposhtë.

Pavarësi nuk janë kufijtë që ruhen me ushtarë

as deklaratat shterpe të institucioneve

deklaratat ethshme të atyne që kanë role të aktrojnë

dhe përherë dëfrehen kur shohin njerëzit e rreshtum.

 

Pavarësia janë hartat e shpirtit

tingujt që përbajnë një orkestër të madhe

me njerëz të veshun bukur e sygëzum

që bashkohen me këngën e Zef Pllumit

me rrëzu kultin e dhunës

dhe me ndërtu monumentin e dashunisë njerëzore.

17 shkurt 2023.

 

Please follow and like us: