Andrea Gudha: Korrespodenca e fundit me mikun tim të rrallë, Isuf Kalo
In memoriam
Korrespodencë e ndërprerë në mes me mikun tim të rrallë Prof. Isuf Kalo në 6 mujorin e fundit të jetës! Kopenhagen – Luzat, Tepelenë…
Pa koment
On 20 Jun 2022 21:27, isuf kalo <kaloisuf@gmail.com>
Përshëndetje i dashur Andrea,
Unë vazhdoj me problemet e mia shëndetësore këtu (p.s. në Kopenhagen), të cilat më kanë shteruar shumë nga forcat fizike por, edhe, nga ato shpirtërore.
Për ta përballuar këtë situatë të re, të lidhur edhe me moshën, po përpiqem të jem sa të mundem aktiv.
Në këtë kontekst mblodha disa nga shkrimet e mia të mëparëshme për shëndetësinë, që m’u dukën më esenciale dhe akute si, edhe disa shkrime të reja. Atë e kam titulluar paraprakisht “Mozaik shkrimesh i një mjeku”, por mbetem i hapur për variante të tjera. Kam shpresën apo iluzionin se, ato do kenë diçka të vlefshm për shëndetësinë dhe publicistikën tonë mjekësore.
Librin po ta dërgoj paraprakisht me dëshirën, që të kem një opinion kritik nga ty, si më i besueshëm për kompetencë, për shijen tënde artistike dhe gjykimin e sinqertë dhe të baras peshuar
Disa nga shkrimet janë disi pikante dhe jam në dilemë, nëse do duhen të botohen siç janë apo, dhe të hiqen fare. Do ta vlerësoja shumë opinionin tënd për to, pa droje, me sinqeritetin që të karakterizon.
Të përqafoj dhe të falenderoj, paraprakisht!
Isufi.
On Tue, Jun 28, 2022 at 11:36 AM Andrea Gudha <a_gudha@hotmail.com>
I dashur Prof. Isufi,
Mbi të gjitha, do të jem shumë i gëzuar për mirë shëndetin tuaj!
Që në fillim, ju përgëzoj për librin e ri, i cili më tërhoqi shumë, shkruar, si gjithmonë, me stilin tënd të veçant letrar.
Libri ka vlera të veçanta për shëndetësinë shqiptare dhe për çdo mjek në veçanti. Të përgëzoj për idenë e librit! Bëre shumë mirë që vendose të hartosh një mozaik të bukur me lule tërë aromë…!
Mendimet e mia modeste t’i kam punuar me ngjyrë të kuqe në libër, të cilat do të jenë në gjykimin tuaj…
Shëndet, përgëzime dhe suksese!
Përqafime, Andrea.
From: isuf kalo kaloisuf@gmail.com
Sent: Monday, September 26, 2022 6:23 PM
I dashur Andrea,
I lexova lajmet për arrestimin skandaloz të kolegut tonë. Natyrisht gabimi i tij etik nuk mbrohet, por tepërimet nga ana e drejtësisë janë të ekzagjeruara dhe tendecioze. Pati mjaft reagime në media, por mungoi ai nga Urdhri i Mjekut dhe nga Sindikata e Mjekëve. Unë, për fat të keq, nuk jam në “formë” për të reaguar. Sëmundja ka përparuar dhe asaj i është bashkëngjitur edhe Parkinsoni…aq, sa më pengon edhe të shkruaj. Mesazhet te shkrimi im për Edvinin mendoj se ishin dy:
E para, që mjekët tanë kanë boshllëqe në njohuritë dhe në kulturën e ligjshmërisë. Ata bien në grackën e “pandëshkushmërisë” së shkeljeve ligjore me iluzionin se, ato ju falen ose, ju justifikohen për hir të meritave dhe shërbimeve të vyera, që ata ofrojnë apo me justifikimin e pagave, padrejtësisht të ulta. Ata i relativizojnë ato shkelje si “të vogla , të parendësishme” në krahasim me ato shkelje, që bëjnë pushtetarët e korruptuar. Por, faji është si gravidanca e jashtëligjshme. Nuk mund të jesh pak apo, jo shumë me barrë. O, je o, nuk je. Nuk ka rendësi nëse barku duket i fryrë me sy, ose nuk duket së jashtëmi, sepse fshihet. Amoralja dhe shkeja ligjore përgojohen dhe dënohen moralisht njësoj. Mandje, më lehtë për të pambrojturit dhe, më shumë nga ana e maskarenjëve të mëdhenj.
Mjekët tanë të sektorit publik shtetëror janë padyshim viktima të keqtrajtimit dhe keqkuptimit, por, në një masë, janë edhe bashkëfajtorë të padrejtësive, që u bëhen. Ata e dinë, paraprakisht, që, ditën kur nënëshkruajnë kontratën për fillimin e punës në atë sektor, se, sa është paga e tyre.
Nëse e vlerësojnë atë të ulët, a të padrejtë, mund të mos ta nëshkruajnë. Mos ta pranojnë kontratën, ose ta negociojnë atë. Nëse e pranojnë të pakënaqur dhe, që në fillim heshtin, bëhen bashkëfajtorë me këtë keqtrajtim. Sektori publik nuk duhet të perceptohet si trampolinë për t’u lejuar, të zhyteni më pas më thellë në detin e korrupsionit dhe të shpërdorimeve profesionale. Them kështu, sepse sektori publik i shëndetësisë nuk është më tashmë e vetmja alternativë për punësim.
Mjekët e pakënaqur me pagën shtetërore janë të lirë ta ushtrojnë profesionin dhe të ofrojnë shërbime në tregun shëndetësor në sektorin privat ose, si profesionist të lirë. Po, ashtu, dhe, në rastet kur paga e tyre, me kalimin e viteve dhe me rritjen e inflacionit, nuk u rritet paralelisht, atëhere, ata kanë të drejtë të protesojnë dhe të organizojnë si bashkësi negocime me shtetin dhe me popullatën për kërkesat e drejta të tyre për paga më të larta brenda kuadrit ligjor në fuqi.
Kjo, jo si individ, që shohin vetëm hallin e tyre! Wshtë e pa drejtë, është e paligjshme të përpiqen në mënyrë individuale të fshehtë që ta korrigjojnë vetë secili padrejtësinë, që u bëhet, duke prekur xhepat e pacientëve dhe qytetarëve tanë hallexhinj.
Të drejtat e mjekëve tanë jo rrallë nëpërkëmben, kontributi i tyre shumë i vyer shoqëror nënvlerësohet. Pagat e tyre paracaktohen dhe imponohen bukrokratisht me arrogancë nga shteti, pa i diskutuar dhe negociuar ato paraprakisht me vetë mjekët ose me përfaqësuesit e tyre. Një nga arsyet për to është se, mjekët tanë janë jo mirë të organizuar, janë jo solidarë dhe jo konseguent sa duhet në mbrotje të interesave dhe të kontributeve të tyre.
Ankesat dhe kërkesat e mjekëve tanë janë më shpesh sporadike, të personalizuara, të pa institucionalizuara dhe më shpesh me bazë emocionale.
E drejta, po nuk dite që ta ruash, të ikën nga duart. Eskili thoshte se, po u kalua kufiri në kërkimin e të drejtës, ajo i kalon palës tjetër. Një sindikatë e fortë, e pa politizuar, pa ndikim partiak, e mbështetur unanimisht nga anëtarët, mund të ishte zgjidhja. Ajo mund të negocionte me shtetin dhe shoqërinë si palë e interesuar me kërkesa realiste, të qarta, të bazuara në argumenta dhe fakte dhe të pajtonte të dy palët. Një Sindikatë, për fat të mirë, mjekët tanë e kanë, por, ajo, me gjithë përpjekjet, që ka bërë, është ende e brishtë dhe e pambështetur sa duhet për të luajtur rolin, që meriton.
Së dyti, po aq ndikuese për keq në opinionet negative për profesionistët e mjekësisë ka qenë edhe qasja “mëndje lehtë” me të cilën janë trajtuar ata, sidomos, në periudhën e post diktaturës nga shteti. Kjo, sidomos, kur kufijtë e Europës u hapën edhe për ne. Në periudhën e demokracisë mjekët tanë nuk ndjehen më “shërbëtorë të popullit ” të detyruar, që të punojnë aty ku i cakton qeveria dhe me paga të imponuara pa miratimin e tyre.
Ata janë profesionistë për të cilët ka nevojë të madhe i gjithë tregu ndërkombëtar i shërbimeve shëndetësore. Këtë e shfrytëzuan disa vende të mëdha europiane, që thithën dhe po thithin një numur të konsiderueshëm të tyre me synimin e një page dhe vleresim më të mirë të punës dhe të kontributeve të tyre.
Hapja e vendit tonë dhe heqja e vizave për vajtje jashtë shtetit i ndërgjegjësoi mjekët (por, jo qeveritarët tanë) për diferencën e pagës së tyre me atë të vendeve të tjera. Një tregues domethënës është fakti që, ende nuk është e përcktuar me evidenca shkencore se, sa është në të vërtetë paga reale, që u takon në mënyrë të merituar mjekëve tanë. Kjo, mund, që ka sjellë për pasojë pretendimet e mundshme subjektive apo abuzive nga ana e vetë mjekëve për të.
Post Scriptum: Këto janë dy ide miku im, por subjekti është shumë më kompleks dhe mua më kanë lënë ose po më lënë fuqitë për ta trajtuar më gjerë…
Me sa duket jeta qenka krejt e pamjaftueshme për të bërë dhe thënë të gjitha ato që do të deshnim të bënim dhe të thonim gjatë saj…
Përqafime, Isufi.
Epilogu
“Raca e njerëzve të mirë është në zhdukje, kurse, gjithçka, që përfaqëson të keqen ka mbijetuar ndër vite dhe, për fat të keq, është shtuar. Por, ja, që kështu është ndërtuar dhe funksionon bota. Ndofta, prandaj, edhe nëntoka mban shumë më tepër qymyr se sa ar”! Isuf Kalo, 15. 07. 2018.
Shkëputur nga Apologjia e Çajupit në Mëmëdhe (A. Gudha 2018).