Albspirit

Media/News/Publishing

DUART E KËPUTURA TË KORAB MULES NGA MINAT SERBE DUARTROKASIN MIQËSINË SHQIPTARO-SERBE

Rexhep Shahu
(Fragment nga libri im në proces ‘Lufta ime për Kosovën’).
Pas 23 vitesh e takova sërish Korab Mulën aty në fshatin e tij në Dobrunë të Hasit.
Ishte ashtu siç e kisha gjetë në vitin 2000, siç siç e kisha lënë edhe në vitin 2005.
Nuk e ka asnjërën dorë, ia kanë këputë minat serbe pranë shtëpisë së tij në fshatin e tij Dobrunë. Korab Mula atëhere 18 vjeç po kulloste lopën afër shtëpisë së tij kur shkeli në minat serbe dhe mbeti pa duar. Minat serbe i kanë vendosë ushtarët serbë në 1998 në Dobrunë e në shumë fshatra të Hasit, Tropojës e Kukësit, në një teritor të Shqipërisë administrative 1400 hektarë.
Ushtria e Shqipërisë dhe policia kufitare e Shqipërisë nuk patën fuqi t’i ndalojnë ushtarët serbë që erdhën në këmbë dhe vendosën mina ngado nëpër fshatrat kufitare me Kosovën të pa shqetësuar nga askush. Asnjë polic kufitar, asnjë ushtar i Shqipërisë nuk ra në luftë duke mbrojtë atdheun, teritorin, duke bërë qëndresë apo duke i penguar ushtarët serbë që të mos vinin për të mbjellë mina në teritorin e Shqipërisë me duart e tyre.
Ja ku e kemi sot Kurab Mulën, viktimë e minave serbe të vendosura në teritorin e Shqipërisë prej ushtarëve serbë në vitin 1998. Si Korab Mula ka patur plot, nuk di sa janë sot gjallë e sa të vdekur. Statistikat e asaj kohe tregonin për 53 të vdekur e 274 të mbetur sakatë prej minave serbe.
Ku janë duart e Korab Mulës…?
Duart e Korab Mulës… nuk janë ato duar që e penguan shtetin e Shqipërisë që të padiste në Hagë, në gjykatat ndërkombëtare Serbinë që të detyrohej ai shtet kriminel të paguante për dëmët që shkaktoi, t’i paguante duar e Korab Mules.
210 mijë lekë të vjetra i jep Korab Mulës shteti i lavdishëm i Shqipërisë. 210 mijë lekë të vjetra nuk janë as 200 dollarë. Dhe shteti kriminal serb që ia këputi duart Korab Mulës nuk paguan asgjë. Shteti shqiptar që ka frikë shtetin e Serbisë nuk i kërkoi kurrë Serbise dëmshpërblim për duart e këputura të Korab Mulës.
Korab Mula nuk kërkon mëshirë. Ai ia then kokën me parakrahët pa duar gjithkujt që e mëshiron. Ai kërkon të jetojë me dinjitet. Sepse nuk është ai fajtor pse ia këputi duart mina serbe, por është fajtor shteti i Serbisë, është fajtor shteti i Shqipërisë që nuk e mbrojti teritorin e atdheut, që nuk e trajton me dinjitet Korab Mulën e të tjerët si ai.
E pata njohur Korabin kur ishte 18 vjeç. Trishtohesha kur më thoshte atëherë, si do të ha bukë unë, si do ta kapi lugën… Si do t’i uli e si do t’i ngre pantollonat në banjo…
E takova keto ditë shkurti 2023 për herë të tretë pas 23 vitesh. Ishte martuar, ishte bërë baba i një vajze dhe një djali të mrekullueshëm. Ndjeva një gëzim të papërshkruar. Falenderova në heshtje deri në qiell gruan e tij.
Nuk jargavitet Korab Mula. Nuk bëhet dot lypës. Më tha se është ndërtuar një pallat në Krumë për njerëz si Korabi, por nuk ia japin një apartament sepse ai nuk ka të ardhura që ta paguajë dhe apartamentet i marrin ata që kanë të paguajnë, jo ata që kanë më shumë nevojë për të.
Mendoja se do ta ndihmojë shteti që ai të integrohet në ndonjë punë që mundet ta bëjë në kushtet që është. Por shteti ynë zbukuroi me grada e llamarina gjokset e ushtarakëve të Shqipërisë që qëndruan ca kohë si eskursionistë në Kukës në vitin 1999.
Please follow and like us: