Albspirit

Media/News/Publishing

Xhezide Selimi: BIE ME YLLIN NËN TË CILIN FSHIHESH TI

 

Dashuria ime i ka rrënjët tek buzët e tua

Dhe agimet më zgjohen me butësinë e frymës sate;

Sytë e tu vjeshtë e dimër që derdhën

Në gjethe dhe ngrica të bardha.

 

Shikoj avionët, shigjetat e fatit që lënë pas

Mendoj dëshirën për njërën nga to,

Si fëmijë përhumbem derisa ajo shkrihet

Në qiellin me ngjyrë trëndafili.

 

Dua të ngre një shkallë shprese në diell

Atje ku ngrihet vetëm mendja ime e çmendur,

Dhe bota e mendimeve të tua

Në pasqyrat e rrezeve.

 

Shtruar në tryezën festive të shpirtrave,

Veten e shoh në sytë e tu përlotur nga fati i pa fat,

Nuk pres një dolli kënaqësie, puthje e tretur

Në murin e Perëndisë sonë.

 

Kur të çel hana bie me yllin nën të cilin fshihesh ti,

Rikthehem me shpirt njeriu tek dritarja e bardhë,

Ndërsa vështroj shigjetat e fatit për dëshirën

Që nuk mbaron as të nesërmen.

Please follow and like us: