Albspirit

Media/News/Publishing

Biblioteka që i jep shkëlqim qendrës së Vitisë

Komuniteti i Vitisë ka arritur ta vendosë një bibliotekë në qendër të qytetit e cila ngjason me një kabine telefoni, duke i dhënë shkëlqim sheshit të qytetit. Në këtë bibliotekë lexues, nxënës e studentë mund të marrin libra për lexim dhe më pas t’i kthejnë sërish pas leximit, shkruan Fol Drejt.

Shkruan Gëzim Olluri

Shoqata e Shkrimtarëve të Vitisë “Ramadan Musliu” në krye me organizatoren Xhezide Selimi dhe aktivistë politikë, qytetarë si dhe kabinën që e ka siguruar kafiteria “Bar’on”, kanë arritur të japin shembull të mirë për nxitjen e kulturës së leximit. Vitiasit e kanë vendosur një kabinë telefoni në sheshin “Njazi Azemi” dhe në të kanë vendosur një sasi librash të grumbulluar nga vullnetarët.

Kjo bibliotekë është vendosur pasi komuniteti vitias ka siguruar lejen nga Komuna e Vitisë, rrespektivisht nga Drejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjencë. Leja për bibliotekën ka filluar nga 20 janari i këtij viti dhe do të vazhdoj deri më 20 janar të vitit 2024 me mundësi vazhdimi.

 Biblioteka është hapur më 17 shkurt, në 15 vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Përmes kësaj mënyre, aktivistët vullnetmirë nga Vitia dëshirojnë që të ofrojnë qasje më të lehtë në libra dhe nxitje të kulturës së leximit.

Xhezide Selimi, e cila është organizatore në vijimësi për dhurim librash në bibliotekat shkollore në Viti, ka thënë për “Fol Drejt” se një nismë të tillë do ta vazhdojnë edhe në qytetet e tjera të Kosovës. Sipas Selimit, që në fillim të vendosjes së saj ka pasur interesim të nxënësve për të marrë libra ngase janë mbledhur edhe libra për nxënës e fëmijë falë dhuruesve e donatorëve.

 “Nisma është hapur më 17 shkurt, në 15 vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Që në fillim ka pasë interesim nga fëmijët sepse kemi mbledhur edhe libra për fëmijë. Me organizime të tilla do të vazhdojmë edhe në Gjilan, Kamenicë, Ferizaj e Shtime  fillimisht, e pastaj edhe në qytete të tjera me radhë. Besoj që ky model nuk ka procedura të komplikuara dhe ofron qasje të lehtë në libra e në anën tjetër nxit kulturën e leximit sidomos tek fëmijët”, thotë Selimi.
Nismëtarja nga Vitia shton që në qytetet e tjera vendosja e bibliotekave të tilla mund të bëhet edhe në ndonjë mënyrë tjetër, duke shpresuar që nuk do të dëmtohen. “Jemi duke biseduar me komuna, shoqata dhe klube letrare dhe në qytetet e tjera biblioteka të tilla do të mundohemi t’i bëjmë edhe në forma të tjera dhe nuk do të thotë patjetër të jetë një kabinë telefoni. Fillimisht do të marrim leje nga drejtoritë përgjegjëse komunale që t’i respektojmë aspektet ligjore dhe ta ruajmë hapësirën publike e pastaj të vazhdojmë me vendosjen e bibliotekave me shpresën që nuk do të dëmtohen”, ka thënë poetja nga Vitia.
Please follow and like us: